![Fillon takimi trilateral Lajçak-Bislimi-Petkoviq në Bruksel](/uploads/zeri.info/images/2023/April/04/auto_twitter-miroslav-lajcak1680623438.jpg)
Fillon takimi trilateral Lajçak-Bislimi-Petkoviq në Bruksel
Në orët e vona të pasdites të së martës, 4 prill, në Bruksel ka filluar takimi trilateral mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçakut, dhe shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Para këtij takimi, Lajçak kishte takuar përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë ndarazi, ndërsa ishte takuar edhe me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të shtetit, Derek Chollet.
Përmes një postimi në Twitter, Chollet tha se në këtë takim është diskutuar “për mbështetjen tonë të fortë për dialogun e udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përkushtimin e përbashkët për ta mbështetur rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në BE”.
Pas takimeve me Bislimin dhe Petkoviqin, i dërguari evropian shkroi në Twitter se veç zbatimit të marrëveshjes, do të diskutohet edhe për "çështjet aktuale urgjente".
Bislimi, i cili ka udhëtuar dje drejt Brukselit, ka takuar sot edhe komisionerin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Komisionari evropian shkroi në Twitter se kanë biseduar për agjendën e reformave evropiane dhe për opsionet se si do të mund të ndihmoj Komisioni Evropian në implementimin e atyre që janë arritur në dialog, që ky të jetë i suksesshëm.
Ndërsa në një komunikatë të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës u tha se, gjatë takimit, Bislimi theksoi përkushtimin e Kosovës "për të ecur bindshëm drejt Bashkimit Evropian".
BE-ja tha të hënën se shpreson që ajo që ka ndodhur ditëve të fundit në veri të Kosovës nuk do të ndikojë në takimin e kryenegociatorëve të Prishtinës dhe Beogradit.
Unioni e ka quajtur marrëveshjen si kalim në një fazë të re në dialog, nga faza e krizave në një fazë të normalizimit. Por, zhvillimet e fundit në veri e kanë kthyer frikën e përseritjes s tensioneve.
Mbrëmjen e së shtunës janë djegur tri vetura në Leposaviq, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës. Dy prej veturave ishin me targa RKS, ndërsa njëra me targa të Beogradit. Më pas, Policia e Kosovës njoftoi se e kishte arrestuar një pjesëtar të komunitetit serb në Mitrovicën e Veriut nën dyshimin se, ndër të tjera, ka marrë pjesë në djegien e një veture.
Takimi Bislimi-Petkoviq është i pari pas takimit në Ohër, ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kanë arritur pajtueshmëri për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve.
Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar për tekstin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, më 27 shkurt.
Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.
Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje./REL