“Të gjithë lotët tanë” shfaqet në Beograd

“Të gjithë lotët tanë” shfaqet në Beograd

Aktuale May 26, 2022 - 11:03

Ekspozita “Të gjithë lotët tanë” është hapur në kuadër të Festivalit “Mirëdita, Dobar dan!” të mërkurën në Beograd.

Ekspozita fokusohet në historitë e viktimave të luftërave nga rajoni, e përbërë nga 34 fotografi të realizuara nga katër fotografë në vende të ndryshme, në Serbi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Fotografët nuk e njihnin njëri-tjetrin dhe arritën të krijonin me fotografitë e tyre një histori universale që bashkonte kujtimet e dhimbshme të njerëzve të zakonshëm dhe vuajtjet e tyre”, thuhet në njoftimin e Festivalit. 

Fotografitë tregojnë histori të shumta të luftërave në ish-Jugosllavi, fotografi familjare të personave të zhdukur, vende krimi, varre masive, persona të zhvendosur dhe monumente, por edhe pasojat afatgjata të konfliktit që ende ndjehen sot, duke treguar tragjedinë dhe kompleksitetin e luftës.

Image

“Qëllimi i vendosjes është prezantimi i publikut të gjerë me këto histori dhe apelimi për mbështetje për viktimat dhe grupet e tjera të prekura në rajon në ndjekjen e tyre të drejtësisë dhe gjetjen e së vërtetës”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërkaq, për ekspozitën Kryetari i Rinisë së DSS-së ka thënë se qëllim i festivalit “Mirëdita, Dobar dan!” është promovimi i “së ashtuquajturës kulturë të rrejshme e joekzistente kosovare”. Ka thënë se në programin e festivalit i pengojnë “paraqitja e Kosovës si shtet neutral” dhe vetë emërtimi kultura kosovare, “sepse ajo nuk ekziston”. Përreth objektit të “NGO Hub”, “rinia demokratike” ka vendosur foto të “dëmeve që shqiptarët ua kanë bërë serbëve”.

Kurse, siç raporton Danas, përfaqësuesja e Iniciativave Qytetare, Teodora Zahiroviq, theksoi se qëllimi i ekspozitës ishte krijimi i një hapësire për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në rajon dhe ofrimin e mbështetjes për viktimat në kërkim të drejtësisë.

Përfaqësuesja e Shoqatës së Familjeve të Viktimave të Kosmetit, Natasha Scepanoviq, theksoi se kjo ekspozitë kontribuon në kultivimin e kulturës së kujtimit të vuajtjeve mizore dhe çmendurisë që nuk i solli askujt të mirë në vitet 90.

Kurse, drejtoresha e programit të Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Sofija Todoroviq, ka theksuar se ekspozita sjell zërin e viktimave dhe jep porosi të qartë se duhet ndërtuar paqe.

Ekspozita do të jetë e hapur deri më 1 qershor./Shqip.com