Zjarri në spitalin COVID në Tiranë, Manastirliu: Të gjithë pacientët janë mirë, po hetohen pistat

Zjarri në spitalin COVID në Tiranë, Manastirliu: Të gjithë pacientët janë mirë, po hetohen pistat

Aktuale November 27, 2021 - 13:58

Ministrja e Shëndetësisë në Shqipëri, Ogerta Manastirliu, ka qenë sot në ambientet e spitalit COVID3, në Qendrën Spitalore Universitare në kryeqytet, të cilat u përfshinë nga flakët mëngjesin e kësaj të shtune.

Para mediave Manastirliu tha se zjarri nuk ka rënë në asnjë nga repartet ku ofrohet shërbim ndaj pacientëve, por ka rënë në zonën jeshile, tek ish-reparti i kirurgjisë, e cila është një strukturë mbështetëse.

“Dua të siguroj që janë të gjithë shendosh e mirë. Incidenti ndodhi jo në zonat e pavioneve. Ashtu sikur mund të shquhet, është një incident që ka ndodhur në zonën e gjelbër, ku janë shërbimet mbështetëse. Nuk është e lidhur me 3 pavionet. Ky incident menjëherë sapo është evidentuar nga strukturat mbështesë, është reaguar përmes bombolave fikse. Menjëherë janë informuar strukturat përgjegjëse për hetimin. Deri atëherë mund t’ju siguroj se pacientët dhe stafi spitalor janë mirë, pasi incidenti ka ndodhur në zonën jeshile, te reparti i ish-kirurgjisë e cila është një strukturë ndihmëse për spitalin Covid”, u shpreh Manastirliu.

Fatmirësisht nuk ka asnjë të lënduar, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të rënies së zjarrit./TCH