Hoxhaj: Për Kosovën, Shqipëria është partneri më i natyrshëm dhe më strategjik në Ballkan

Hoxhaj: Për Kosovën, Shqipëria është partneri më i natyrshëm dhe më strategjik në Ballkan

Aktuale November 27, 2021 - 11:42

Ish-ministri i jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj ka thënë se sa herë që mbahen mbledhjet e përbashkëta midis Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë ka vlerësime të ndryshme rreth qëllimeve dhe rezultateve të tyre.

Përmes një shkrimi në Facebook, Hoxhaj tha se për Kosovën, për arsye historike, kulturore dhe politike Shqipëria është partneri më i natyrshëm dhe më strategjik në Ballkan.

"Çdokush ka të drejtë në mendimin e vet, porse një gjë qëndron: ato bazohen në qasje të qartë strategjike. Ka marrëveshje të shumta, ka zotime të ndryshme dhe ka pengesa në zbatimin e tyre, por të gjitha këto përbëjnë politikën e hapave të vegjël se si Shqipëria e Kosova të afrohen sa më shumë me njëra-tjetrën. Nëse BE-ja, për arsye të shumta, nuk po zgjerohet me shpejtësinë e duhur drejt Ballkanit, është strategjike që ne të zgjerohemi drejt njëri-tjetrit.", ka shkruar Hoxhaj.

Hoxhaj u shpreh i lumtur dhe krenar që dikur kishte një rol në krijimin e një platforme të partneritetit strategjik në vitet 2013 dhe 2014 përmes mbledhjeve të përbashkëta me Shqipërinë.

"Atëherë e kemi quajtur strategjik! Për mua ka qenë politikë e hapave të vegjël dhe e hapave të ndërmjetëm drejt një hapësire sa më të përbashkët: politike, ekonomik, shoqërore dhe kulturore.", ka shkruar Hoxhaj. /Zëri