Qeveria gati për bordin e ri të “Trepçës”, kjo është lista e ngushtë [dokument]

Qeveria gati për bordin e ri të “Trepçës”, kjo është lista e ngushtë [dokument]

Aktuale November 02, 2021 - 11:05

Kryeministri Albin Kurti sot ka marrë pjesë në rihapjen e Terminalit Doganor në hapësirat e “Trepçës”, ku po pritet të vjen edhe bordi i ri i përhershëm.

“Shtatë vjet më vonë ne po e bëjmë këtë hapje të Terminalit Doganor, po e rikthejmë në ‘Trepçë’ atë që gjithmonë i ka takuar dhe po korrigjojmë një dëm që i është bërë. Në atë kohë 24 punëtorë kanë punuar në Terminalin Doganor të ‘Trepçës’ dhe kishin mbetur pa punë atëherë kur e kishin nxjerrë jashtë kësaj hapësire Terminalin Doganor”, ka thënë Kurti, raporton “Zëri”.

Kjo ndërmarrje publike qendrore e Kosovës funksionon me ekzekutiv dhe bord mbikëqyrës. Ky i fundit është ndër organet kryesore të ndërmarrjes. Kritikat e shumta që ka pasur vetë Kurti ndër vite kanë konsistuar në borde të kapura. E tash është ngushtuar rrethi i personave që kanë konkurruar për të qenë pjesë e bordit.

“Zëri” jua sjell emrat e kandidatëve që janë kualifikuar për t’u testuar në intervistë me gojë, në procesin që po monitorohet edhe nga Ambasada Britanike.

Lista e kandidatëve ka 24 persona, të cilët janë: Selim Lulaj, Goran Laziç, Adem Zogjani, Shaqir Rexhepi, Avdyl Hasani, Muharrem Peci, Fatos Krasniqi, Fadil Begu, Xhevdet Tahiri, Kimete Gashi, Nezir Rama, Muharrem Mustafa, Hasan Fejzullahu, Shyqyri Sadiku, Bahri Hyseni, Fatmir Gërguri, Betim Elezaj, Ibrahim Krasniqi, Muhamet Sadiku, Esat Peci, Bujar Bilalli, Lulzim Rexhepaj, Safet Sadiku dhe Gëzim Kastrati.

Image

Emrat që do të dalin nga kjo listë pas intervistimit do të shkojnë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ku duhet të marrin pëlqimin e kabinetit qeveritar me votë.

Bordi i kësaj ndërmarrjeje, pas zgjedhjes, do të jetë i përhershëm dhe jo i përkohshëm si aktualisht, që përbëhet nga kryesuesi Bahri Hyseni, ndërsa anëtarë, Hekuran Nikçi, Alban Krasniqi, Shyqeri Kelmendi dhe Shyqeri Sadiku, si përfaqësues i punëtorëve, të cilët janë 20% aksionarë të ndërmarrjes.

Kujtojmë se në këtë ndërmarrje para dy javësh ka pasur një përleshje mes disa punëtorëve të administratës dhe minatorëve me kryeshefin e ri të vendosur nga Qeveria e Kosovës, Enis Abdurrahmani. /Zëri