Policia jep detaje për kërcënimin ndaj kryeministrit Kurti

Policia jep detaje për kërcënimin ndaj kryeministrit Kurti

Aktuale October 28, 2021 - 11:39

Policia e Kosovës, pas pranimit të informacioneve lidhur me kërcënimin ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit, menjëherë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme operativo-hetimore.

Përmes një njoftimi për media, nga PK-ja kanë bërë të ditur se fillimisht Policia e Kosovës ka shtuar masat e sigurisë personale të kryeministrit, duke përfshirë këtu mbrojtjen e afërt, por gjithashtu edhe ka dërguar njësi të reagimit të shpejtë nga regjioni i Prishtinës, të përbëra nga dy zyrtarë policorë, në sigurim te shtëpia e banimit të kryeministrit.

“Policia e Kosovës konfirmon se në këtë aktivitet nuk ka pasur të angazhuar asnjë zyrtar të njësive speciale”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, lidhur me rastin menjëherë janë iniciuar hetimet dhe ato janë duke vazhduar, përderisa duke u bazuar në hetimet e deritanishme dhe vlerësimin e rrezikut, Njësia e Reagimit të Shpejtë është larguar nga lokacioni.

“Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin drejt ofrimit të sigurisë ndaj personaliteteve të vendit dhe qytetarëve të saj, duke përfshirë edhe hetimin dhe trajtimin e të gjitha rasteve”, thuhet më tej në njoftim.