Bosch: Borrelli duhet ta dijë se veriu i Kosovës drejtohet nga kriminelë - duhet lavdëruar çdo aksion atje

Bosch: Borrelli duhet ta dijë se veriu i Kosovës drejtohet nga kriminelë - duhet lavdëruar çdo aksion atje

Aktuale October 13, 2021 - 22:30

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch e ka këshilluar Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell që të njoftohet më mirë për situatën në veri të Kosovës.

Borrelli, në reagimin e tij pas aksionit policor anti-kontrabandë në veri, tha se "veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë sigurinë janë të papranueshme". Ai madje kërkoi që për aksione të tilla të diskutohet në Bruksel me Serbinë.

Ndërsa Bosch ka thënë se Borrelli me deklaratën e tij për aksionin e policisë në veri, ka treguar paafësinë e tij lidhur me Kosovën, që sipas tij, i ka kërkuar policisë të mos dalë kundër kontrabandistëve, transmeton Zeri.info.

Ish-ambasadori ka thënë se po ta merrte mundin Borrelli të njihte situatën në veri të Kosovës, do ta kuptonte se ajo pjesë drejtohet nga banda kriminale.

“Përsëri BE-ja tregoi paaftësinë e saj në lidhje me Kosovën. Borrelli de facto, duke i kërkuar policisë të mos dalë kundër kontrabandistëve, nëse do të kishte marrë mundimin të njihej me realitetin në veri të Kosovës, do të kishte ditur se veriu drejtohet nga banda kriminale dhe nuk është kurrë vonë për të dalë kundër tyre. Pra, edhe nëse reagimi është i dhunshëm, ai duhet ta lavdërojë atë”, ka shkruar Bosch në Facebook.

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion kundër kontrabandës në veri, ku u përball me rezistencë të dhunshme nga ana e qytetarëve atje. Dhunë pati edhe ndaj gazetarëve. /Zëri