Kurti kritikon mediat vendore në takim me Rrjetin e Agjencive të Lajmeve të Evropës Juglindore

Kurti kritikon mediat vendore në takim me Rrjetin e Agjencive të Lajmeve të Evropës Juglindore

Aktuale September 18, 2021 - 23:33

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur një delegacion të Rrjetit të Agjencive të Lajmeve të Evropës Juglindore (ABNA) me të cilët ka diskutuar për prioritetet e Qeverisë, situatën me pandeminë COVID-19 dhe rolin e medias në pasqyrimin objektiv të realitetit pandemik.

Kurti në këtë takim foli për situatën aktuale me pandeminë COVID- 19 dhe masat që ka marrë qeveria për lehtësimin e pasojave të pandemisë.

Ai tha se "deri tani Kosova ka administruar mbi një milion doza të vaksinës anti-COVID dhe kjo shton shpresën për përballimin më të lehtë të rrezikut nga valët e reja të paralajmëruara të përhapjes së virusit".

Kryeministri i njoftoi përfaqësuesit e agjencive të lajmeve edhe për veprimet ligjore që ka marrë Qeveria për luftimin e korrupsionit. Ai tha se "fatmirësisht korrupsioni në Kosovë nuk është kulturë, por është sistem i etabluar në institucione, dhe si i tillë ka më shumë mundësi të luftohet".

Sa i përket gjendjes së medias në Kosovë, kryeministri Kurti tha se "nuk është më e mira, por nuk është edhe shumë keq", thuhet në njoftimin nga Qeveria.

Ai tha se mediat në përgjithësi kanë kontribuar në informimin e publikut për gjendjen epidemiologjike. Por, vazhdoi ai, "ka pasur edhe media që shpesh i kanë dëmtuar përpjekjet për menaxhimin e pandemisë, duke raportuar lajme të paverifikuara dhe dezinformata, të lansuara madje edhe nga deputetë opozitarë".

Në njoftim thuhet se përfaqësuesit e rrjetit të Agjencive të lajmeve të Evropës Juglindore e falënderuan kryeministrin për mirëpritjen dhe e njoftuan për punën e ABNA-s dhe sfidat e mediave gjatë dhe pas pandemisë.

Kujtojmë se rrjeti i Agjencive të Lajmeve të Evropës Juglindore ka mbajtur këto ditë konferencën vjetore në Kosovë me temën qendrore “Media dhe turizmi në epokën post-pandemi”. /Zëri