Kurti për AKP-në: Ka shitur një ari tokë sa një litër qumësht, do ta ndryshojmë mënyrën e buxhetimit

Kurti për AKP-në: Ka shitur një ari tokë sa një litër qumësht, do ta ndryshojmë mënyrën e buxhetimit

Aktuale August 06, 2021 - 17:04

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se privatizimi i egër u bë në një kohë kur Kosova e posa dalë nga lufta nuk e kishte rimëkëmbur ekonominë e kjo vazhdon të ndodh ende.

Kurti në seancen e Kuvendit deklaroi se do të ndryshojnë mënyrën e buxhetimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit teksa drejtoi ndaj tyre një sërë kritikash, njofton Klankosova.tv.

“Funksionimi i AKP-së ka mbledhur para nga privatizimi i pronave por merreni me mend i ka mbuluar edhe shpenzimet administrative me to, aty janë pagat më të larta në Kosovë dhe shpenzohen pa masë – kjo mënyrë e buxhetimit të AKP-së duhet të ndryshohet menjëherë. Kompensimet e larta e të paarsyeshme, mëditje nga 2000 euro e deri në 3000 euro për një mbledhje të mbajtur”.

“Pse të privatizohen objektet publike përderisa jemi duke shpenzuar me qindra mijëra euro për qera të institucioneve, ato duhet të mbesin objekte publike dhe të shfrytëzohen për nevojat e akomodimit të ministrive, agjencive, institucioneve të pavarura, institucioneve lokale e qendrore, janë rreth 100 asete të tilla – ndërtesa të zbrazëta”.

Kryeministri mes tjerash kritikoi AKP-në për privatizimin e tokave bujqësore dhe shitjen e tyre me çmime jashtëzakonisht të ulëta teksa theksoi se një ari tokë është shitur sa një litër qumësht.

“Me çfarë të hyrash AKP-ja ka privatizuar tokat bujqësore, shet shumë tokë për pak para megjithëse të gjithë e kemi ditur se kjo është është deklaruar edhe në Komisionin Hetimor Parlamentar për Privatizim që asetet tona janë shitur me çmime jashtëzakonisht të ulëta gati sa një litër qumësht aq është shit një ari tokë”.

“Privatizimi në jetën politike dhe institucionale në Kosovë e ka pasuar privatizimin në ekonomi dhe jo anasjelltas. Privatizimi i ka shndërruar fabrikat në qendra tregtare kurse Kosovën në një vend që konsumon por prodhon fare pak”.

Gjatë fjalës së tij Kurti edhe lavdëroi qeverinë e tij ku deklaroi se t’i ndryshojë të gjitha kritikat që i dha për AKP-në.

“Me qeverinë tonë kjo do të ndryshoj sepse jemi ne që jemi zotuar për të sjellë investime dhe për të krijuar vende pune me ç’rast pasuria publike duhet të ruhet dhe të zhvillohet”, deklaroi Kurti.

Para deputetëve, Kurti tha se ky do të jetë bordi i fundit i AKP-së që do t’i hap rrugë Fondit Sovran, Agjencisë dhe Bankës Zhvillimore.

“Ky do të jetë bordi i fundit i AKP-së në mënyrë që të hapim një etapë zhvillimore për Kosovën drejtë Fondit Sovran, Agjencisë dhe Bankës Zhvillimore. Nga bordi i ri presim që pas votimit në Kuvend të marrë masat për të ndaluar proceset që ne si qeveri i kemi paraprijë për ndaljen e tyre. Me bordin e ri synojmë një auditim të gjerë dhe thellë në AKP dhe të vendimeve të ish-bordeve të AKP-së”.

Emrat e kandidatëve për anëtarë të Bordit të AKP-së që do t’i propozohen Kuvendit janë: Nazmi Mikollovci, Suzana Dautaj-Surdulli, Mentor Hyseni, Vjollca Jashari, Violeta Arifi Krasniqi, Xhevdet Neziraj, Halim Muqolli dhe Avni Ajdini.

Kujtojmë se disa muaj më parë, Kuvendi shkarkoi bordin e kaluar nga udhëheqja e AKP-së.