Qytetarëve do t’u kërkohet një dozë e vaksinës për të hyrë nëpër kafene

Qytetarëve do t’u kërkohet një dozë e vaksinës për të hyrë nëpër kafene

Aktuale August 06, 2021 - 15:53

Shoqata e Gastronomëve ka mbajtur takim sot me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

Në një njoftim bëhet e ditur se nga java e ardhshme edhe stafi i gastronomisë duhet të ketë certifikatë të vaksinimit e po ashtu edhe qytetarëve do t’u kërkohet që së paku të kenë një dozë të vaksinës për t’i frekuentuar lokalet e gastronomisë.

“Kjo e fundit nga java e ardhshme do të fillojë të jetë e nevojshme edhe për stafin e gastronomisë që të jenë të pajisur me certifikatë të vaksinimit, në kuptim të operimit të biznesit dhe do të pasojë pas më së shumti dy javësh edhe nevoja që qytetarët të kenë së paku një dozë të vaksinës, në rast të frekuentimit të të gjitha lokaleve të gastronomisë, si restorante, kafene, salla të dasmave, klube të natës dhe aktivitete të tjera”, thuhet në njoftim.

SHGK-ja ka ftuar stafin e gastronomisë dhe klientët e tyre që t’i marrin vaksinat, në mënyrë që të parandalohet një valë e re epidemiologjike.

“Gjithashtu vlen të ceket që orari i operimit të bizneseve do të rritet deri në 12:00 të mesnatës, sipas rregulloreve komunale, e po ashtu vlen e njëjta edhe për klubet e natës, të cilat do të funksionojnë deri në 03:00 të mëngjesit, duke mundësuar një operim më të lehtë për të gjitha domenet e gastronomisë, por me kufizimet e cekura më lart. Në rast të mosbashkëpunimit tonë, në fund me pasojat do të ballafaqohemi të gjithë, duke filluar nga ne e duke pasuar edhe me sektorë të tjerë. Vaksinohu, Sigurohu!”, thuhet në njoftim. /Zëri