Banjat termale të Podujevës, shëruese për shumë sëmundje
Foto: Laura Hasani

Banjat termale të Podujevës, shëruese për shumë sëmundje

Aktuale July 17, 2021 - 08:56
Amire Osmani & Rinora Elshani

Qindra qytetarë vizitojnë në ditë banjat termale të Podujevës, që konsiderohen si më të mirat për shërimin e shumë sëmundjeve.

E veçanta e tyre është se këto burime janë të hapura në natyrë.

Këto burime po përdoren sidomos për kurimin e sëmundjeve kronike të reumatizmave, raporton Zeri.info.

Uji në banjën në Shakovicë të Podujevës, ose siç njihet me emrin popullor “Banja e Lluzhanit”, edhe pse ajo gjendet në fshatin Shakovicë, është shërues për shumë sëmundje.

Image

Në këtë banjë që nga muaji maj fillojnë të vijnë qytetarë të moshave të ndryshme. Koha që mund të frekuentosh këtë banjë të hapur në natyrë zgjat deri në muajin tetor.

Banja e Shakovicës daton që nga vitet ’80. Që nga ajo kohë kjo banjë ka ndryshuar shumë në aspektin infrastrukturor.

Mirëpo, pronari i saj Samir Azemi thotë se të gjitha investimet i ka bërë me forcat vetanake.

Asi thotë se asnjëherë nuk është ndihmuar nga Qeveria me ndonjë ndihmë monetare sado të vogël.

Sipas tij, kushtet e banjës janë të mjaftueshme dhe të përshtatshme për t’u shfrytëzuar si nga meshkujt, ashtu edhe nga femrat.

Rreth 400 veta në ditë vizitojnë banjat termale

Vizitorët duket se janë të kënaqur.

Gjatë ditës numri i vizitorëve arrin deri në 400 veta, të cilët vijnë nga të gjitha qytetet Kosovës.

Image

Ditëve të verës numri shtohet edhe nga prezenca e mërgimtarëve që ndajnë ditë nga pushimi i tyre në Kosovë për të kaluar edhe në ujërat termale të kësaj banje.

Për të parë efekte të shërimit banja rekomandohet të vizitohet nga 11-21 ditë, ndërsa qëndrimi në ujë është i parashikuar deri në 30 minuta për ata qytetarë me sëmundje kronike, ndërsa për sëmundjet e tjera 40 minuta.

“Në banjën e Shakovicës shumë sëmundje kanë pasur shërim, duke filluar nga sëmundjet si: reuma, unaza, sëmundjet kronike, madje edhe alergjitë, gjë që nuk është dëgjuar shumë në banja”, thotë Azemi.

Për kurimin e këtyre sëmundjeve tregojnë dhe vetë vizitorët.

Femi Nishefci është njëri nga vizitorët e rregullt, i cili tha se ankohet nga alergjia në sy dhe shërimin e ka kërkuar deri në Stamboll, mirëpo sipas tij nuk kishte pasur rezultate. Prandaj, në kërkim të ndonjë kurimi ai tha se ka vendosur të vijë në këtë banjë.

Image

Nishefci thotë se uji i kuaj banje e ka ndihmuar shumë që të ketë përmirësim me sytë.

Uji i kësaj banje buron 24 orë.

Banja e Re në periferi të Podujevës, vend shërimi për shumë sëmundje

Njëra nga banjat e Podujevës, e cila njihet si Banja e Re, është bërë vend shërimi për banorët e rrethinës së Podujevës dhe më gjerë.

Banja e re, e cila brenda ditës vizitohet nga 200-250 banorë, është e hapur nga 25 qershori dhe do të jetë e hapur deri në fund të shtatorit.

Image

Në këtë ujë termal kosovarët thonë se po i shërojnë shumë sëmundje, si unazat, majesilin, hemorroidet e specifikisht reumën, raporton Zeri.info.

Përfaqësuesi i kësaj banje, Labinot Elezi, tregon se kjo banjë është e zbuluar që nga vitet ’80 dhe se e kanë trashëguar nga gjyshi.

“Kohëzgjatja e preferuar në pishinë gjatë ditës është 40 min., kurse për persona të cilët janë me sëmundje kronike ose të zemrës nuk preferohet të qëndrojnë më gjatë se 30 minuta”, thotë ai.

Pishinat e kësaj banje hapen në 05:00 dhe mbyllen në orën 22:00.

“Çdoherë pas mbylljes së pishinave bëhet pastrimi i tyre dhe përgatitjet për ditën tjetër. Burrat dhe gratë janë në pishina të ndara, kemi mjekun, i cili vjen i kontrollon gjatë ditës dhe po ashtu i kemi çdoherë nën mbikëqyrjen tonë. Është e vizituar nga të gjitha moshat, sidomos ata të moshës mbi 50 vjeç”, thotë Elezi për “Zërin”.

Ai thekson se e veçanta e këtij uji është se çfarëdo infeksioni të ketë vizitori, kimikatet e tij nuk e lejojnë që të shpërndahet.

Elezi thekson se për rregullimin kësaj banje nuk ka pasur mbështetje nga Qeveria dhe sipas tij çdo investim e kanë bërë vetë.

Njëri nga vizitorët e Banjës së Re është edhe Rrahman Arifi, i cili thotë se ka 4-5 vjet që e sjell nënën në këtë banjë.

“Nënën e kam pas të paralizuar dhe nuk ka mundur të lëvizë, kam dëgjuar për Banjën e Re, kam 4-5 vjet që e sjell këtu, tash është shëruar, tash mund të lëvizë e ecë vetë”, thotë Arifi.

Image

Ndërsa Bahri Polloma thotë se ankon nga reuma dhe unazat, prandaj ka 10 vjet që e viziton këtë Banjë të Re.

“Këtu kemi gjetur shërimin. Qëndroj nga 11-21 ditë, sepse më pak nuk ka efekt. Uji është shumë i pastër dhe e mirëmbajnë”, thotë Polloma. /Zëri

Image