Kurti fton të mbijetuarit e dhunës seksuale të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre

Kurti fton të mbijetuarit e dhunës seksuale të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre

Aktuale June 19, 2021 - 19:28

Në Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, kryeministri i vendit Albin Kurti, së bashku me deputeten e Kuvendit Vasfije Krasniqi kanë vizituar Komisionin qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare të Kosovës.

Gjatë kësaj vizite Kurti u njoftua nga afër për punën e këtij komisioni, ku tha se mandati i këtij Komisioni mund të sjellë realizimin e së drejtës së garantuar me ligj.

“Ne nuk mund ta imagjinojmë tmerrin që kanë përjetuar personat që i kanë mbijetuar dhunës seksuale gjatë luftës, pasuar me ndrydhjen e pasluftës. Janë viktimizuar sërish nga stigma dhe mos intervenimi institucional për të trajtuar këtë krim të kryer gjatë luftës në Kosovë, këtë armë lufte të përdorur nga okupatori. Kombinimi i përgjegjësisë institucionale dhe vetëdijësimit shoqëror mund të sjellë rezultatet që duam, për të tejkaluar sfidat për realizimin e mandatit të këtij komisioni dhe nxitjen e aplikimit për realizimin e seë drejtës së tyre teë garantuar me ligj”, ka thënë Kurti.

Ai po ashtu ka ritheksuar domosdoshmërinë e thirrjes së vazhdueshme për personat e mbijetuar, që të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre, dhe që këto thirrje të arrijnë kudo që të mbijetuarat/it mund të jenë.

Në këtë takim të pranishëm ishin edhe kryetarja e Komisionit Minire Begaj Bala, anëtarët e komisionit, së bashku me përfaqësueset organizatave joqeveritare të autorizuara për të ndihmuar në procesin e aplikimit Feride Rushiti, drejtoreshë e QKRMT-së dhe Mirlinda Sada, drejtoreshë e Medica Gjakova, si dhe anëtarët e sekretariatit të këtij komisioni qeveritar. /Zëri

ë