Shoqëria civile thirrje Kuvendit që të mos procedohet votimi i Komisionerit për Informim
Disa organizata joqeveritare, i kanë bërë thirrje Kuvendit që të mos e procedojë në seancë plenare votimin e Komisionerit për Informim dhe Privatësi, seancë e cila pritet të mbahet nesër.
OJQ-të janë kundër Enver Bujarit i cili është propozuar për këtë pozitë, pasi sipas tyre, ai ka ndryshuar të dhënat për përvojën e punës dhe edukimit në CV-në e tij, transmeton Zeri.info.
“Ne, organizatat dhe aktivistët e poshtëshënuar, pas mbledhjes së dëshmive shtesë rreth kandidatit Enver Bujari, kërkojmë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë në pushtet që të mos e procedojnë tutje këtë proces. Pas dyshimeve që z.Bujari ka ndryshuar të dhënat për përvojën e punës dhe edukimit, përmes të drejtës së qasjes në dokumente publike, ne kemi siguruar dosjen e plotë të aplikimit të tij”, thuhet në komunikatën e përbashkët të një sërë OJQ-ve.
OJQ-të nënshkruese të këtij reagimi thonë se sipas dokumenteve të ofruara, rezulton që Bujari nuk ka ofruar dokumentin që dëshmon mbi përvojën e punës, ashtu siç është kërkuar me konkurs dhe ligj, por vetëm raportin e Trustit Pensional.
“Ky dokument është i rëndësishëm sepse për këtë pozitë kërkohet që kandidatët të kenë: së paku, tetë (ë vite përvojë pune profesionale, nga të cilat, së paku, pesë (5) vite përvojë në pozita udhëheqëse, dhe vetëm me raportin e Trustit Pensional një gjë e tillë nuk mund të dëshmohet”, thuhet më tej në reagim.
Andaj, në mungesë të këtyre dëshmive, OJQ-të thonë se deputetët e panelit intervistues – të përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë tjera në pushtet – nuk është dashur që të ftonin Enver Bujarin fare në intervistë.
Shoqëria civile thotë se përgjegjësia për të kontrolluar dosjen i takon deputetëve të panelit intervistues dhe se “për këtë dështim, ne mbajmë përgjegjës këta deputetë: Fatmir Humolli, Shqipe Mehmeti Selimi, Mefail Bajqinovci, Enver Dugolli dhe Arbër Rexhaj nga Lëvizja Vetëvendosje, Erxhan Galushi dhe Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Slavko Simiq nga Lista Serbe”.
Duke ditur që Bujari nuk e ka dorëzuar aplikacionin e plotë, sipas OJQ-ve nënshkruese, aplikacioni i tij duhet të konsiderohet si i pavlefshëm.
“Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale kërkon që seancës plenare t’i paraqiten tre kandidatë. Pavlefshmëria e aplikimit të z.Bujari lë në garë vetëm dy kandidatë, në kundërshtim me ligjin në fjalë”, theksohet më tej në këtë reagim.
OJQ-të nënshkruese të këtij reagimi, në bashkëpunim me juristen e të drejtës së medias, Flutura Kusari, kanë kujtuar se “ky proces është shoqëruar me më së shumti parregullsi, duke filluar nga përbërja e panelit në kundërshtim me praktikën parlamentare, jotransparenca gjatë vlerësimit të kandidatëve dhe vlerësimi i lartë i kandidatit që nuk ka performuar më së miri ne intervistë”.
Komisioneri për Informim dhe Privatësi, thonë këto OJQ, do të jetë personi më i rëndësishëm në Kosovë në mbrojtjen e të dhënave personale dhe garantimin e qasjes në dokumente publike. Ai duhet të jetë profesional, pa ngjyrosje politike dhe me integritet të lartë.
“Shpresojmë që Lëvizja Vetëvendosje do të reflektojë dhe nuk do të rrezikojë një institucion kaq të rëndësishëm. Ndërkaq, për dy kandidatët e tjerë, Krenare Sogojeva Dermaku dhe Edon Miftari jemi në pritje të marrjes së dosjes së plotë nga Kuvendi i Kosovës”, ka përfunduar reagimi i Flutura Kusarit, bashkë me organizatat FOL, GLPS, KDI, KCSF, Çohu, D4D dhe GAP. /Zër