Qeveria kroate: Do ta përkrahim Kosovën në procesin e integrimeve evropiane

Qeveria kroate: Do ta përkrahim Kosovën në procesin e integrimeve evropiane

Aktuale May 06, 2021 - 12:38

Kryeministri i vendit Albin Kurti ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kroacisë, Gordan Grliq Radman, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet bilaterale në mes të dy vendeve.

Gjatë këtij takimi Radmani e uroi Kurtin për fitoren dhe zgjedhjen kryeministër i Kosovës dhe ia përcolli edhe lajmin e kryeministrit kroat Andrej Plenkoviq për donacionin prej 10 mijë dozash të vaksinës anti-COVID, që Kroacia e ka ndarë për Kosovën.

Radmani po ashtu e siguroi Kurtin se Kroacia do të vazhdojë ta përkrahë dhe ta ndihmojë Kosovën në procesin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike.

Ai kërkoi intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale.

“Kryeministri Kurti e falënderoi ministrin Radman dhe Kroacinë për bashkëpunimin e mirë dhe mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë ndaj Republikës së Kosovës. Ai shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e sinqertë për donacionin prej 10 mijë vaksinash, duke e vlerësuar si lajm që sjell optimizëm e shpresë për intensifikimin e vaksinimit, para muajve të verës, kur mërgata kthehet për pushime në Kosovë. Dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për pozitën e pakicës kroate në Kosovë dhe për mundësitë konkrete të thellimit të bashkëpunimit në mes dy vendeve në fushën e ekonomisë”, thuhet në komunikatë. /Zëri