“Manastiri i Deçanit është i sigurt”, Shoshi: “Evropa Nostra” është bërë instrument i propagandës së Serbisë

“Manastiri i Deçanit është i sigurt”, Shoshi: “Evropa Nostra” është bërë instrument i propagandës së Serbisë

Aktuale April 09, 2021 - 22:04

Sali Shoshi, drejtor i organizatës “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” në Kosovë tha për Euronews Albania se arsyetimet e organizatës ‘Evropa Nostra’ që e ka përfshirë Manastirin e Deçanit, në “listën e 7 monumenteve më të rrezikuara për vitin 2021”, janë të pabazë. Sipas Shoshi, me arsyetimet e dhëna ‘Evropa Nostra’ ka treguar se është bërë pjesë e propagandës së shtetit serb.

Shoshi ka hedhur poshtë pretendimet e organizatës, sipas të cilës manastiri është sulmuar nga ISIS, duke shpjeguar se ngjarja e vitit 2016 kur Manastiri është shkruar me disa grafitë, është konfirmuar edhe nga institucionet ndërkombëtarë se nuk ishte një sulm i organizuar.

“Çështja e dytë e ngritur nga ‘Evropa Nostra’ është ajo e rrugës nacionale Deçan-Plavë, që ka qenë projekt i qeverisë së Kosovës, por kjo është përmbushur me një ujdi me kishën ortodokse serbe ku është rënë dakord se do të ketë një anashkalim.

Dhe çështja e tretë ka të bëjë me pronësinë mes komunës së Decanit dhe Manastirit ku me vendim gjykate i është dhënë të drejtë manastirit”, tha Shoshi.

Ai shpjegoi se përmes një ligji të miratuar pas pavarësisë në Kosovë, garantohet që kleri ortodoks serb të jetë aktiv në vendimmarrjen që kanë të bëjnë me komunitete serb, janë vendimmarrës.

“Manastiri i Decanit si vlerë e trashëgimisë është i sigurt, nuk ka një rrezik, dhe kleri ortodoks është pjesë e vendimmarrjes për Manastirin”, tha ai.