Nis numërimi i ditëve për Kurtin
Foto: Laura Hasani

Nis numërimi i ditëve për Kurtin

Aktuale January 21, 2020 - 07:54
Albin Kurti, është emëruar mandatar për formimin e qeverisë së re nga ana e presidentit Hashim Thaçi.
Image

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është emëruar mandatar për formimin e qeverisë së re nga ana e presidentit Hashim Thaçi. Propozimi i LVV-së për mandatimin e Kurtit është bërë pavarësisht faktit se ende nuk është arritur një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, shkruan Zëri.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka emëruar liderin e LVV-së Albin Kurtin mandatar për formimin e qeverisë së re, dje pasi Lëvizja Vetëvendosje dorëzoi propozimin te kreu i shtetit. Emërimi i Kurtit nga ana e presidentit është bërë pavarësisht faktit se lideri i Vetëvendosjes nuk është paraqitur në takimin e thirrur nga Thaçi. Gjatë ditës së djeshme kreu i shtetit njoftoi se dekretin presidencial me emrin e kandidatit për kryeministër e ka dërguar edhe zyrtarisht në Kuvendin e Kosovës.

Propozimi për mandatarin nga ana e LVV-së u bë pa u arritur paraprakisht një marrëveshje për bashkëqeverisje me LDK-në. Ky subjekt pritet që sot ta mbajë mbledhjen e radhës të Kryesisë, në të cilën do të diskutojë edhe për zhvillimet e fundit. Ndërkohë, pas dekretit të presidentit kandidati i propozuar për formimin e qeverisë obligohet që brenda 15 ditëve ta paraqesë përbërjen e qeverisë së re para Kuvendit. Për votim të kabinetit qeveritar nevojiten së paku 61 vota të deputetëve.

Kurti: Qasja e LDK-së merre ose lëre do të thotë lëre

Pas nxjerrjes së dekretit për emërimin e kreut të LVV-së Albin Kurtit mandatar për formimin e qeverisë, presidenti Hashim Thaçi e ka cilësuar hap të rëndësishëm formimin e institucioneve. “Ky është hap shumë i rëndësishëm për krijimin e institucioneve të reja dhe nga sot fillon edhe rrjedhja e afatit kushtetues për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër mandatari për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se këtë propozim LVV-ja ka dashur ta dërgojnë te presidenti tek pas arritjes së një marrëveshjeje me LDK-në, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. “Propozimin e LVV-së si subjekt fitues në zgjedhjet e 6 tetorit kemi dashur ta dërgojmë te presidenti pas një marrëveshje me LDK-në. Në mbledhjen konstituive më 26 dhjetor shkova pa pasur një marrëveshje, edhe te presidenti më 6 janar shkova pa marrëveshje paraprake. Dy javë pas takimit katërminutash nuk kemi marrëveshje”, u shpreh ai nëpërmjet një videomesazhi të publikuar në rrjetin social – “Facebook”.

Gjatë deklaratës së tij i pari i LVV-së tha se subjekti që ai drejton nuk e ka pranuar ofertën e fundit të LDK-së ku, ndër të tjera, përmendet edhe çështja e kryeparlamentarit. Në kuadër të kësaj ai pohoi se nuk mund të ketë kthim në të kaluarën, duke lënë të nënkuptohet se posti i kryeparlamentarit nuk do t’i jepet LDK-së, ashtu siç subjekti që udhëhiqet nga Isa Mustafa ka kërkuar së fundi. “Ne nuk e kemi pranuar propozimin e fundit të drejtuesve të LDK-së, por jemi treguar shumë të gatshëm për takime të mëtejme me synim gjetjen e alternativave të tjera, që do ishin të pranueshme për të dyja palët. E theksoj përsëri: Nuk mund të kthehemi në të kaluarën, nuk mund të kthehemi në vitin 2019”, shtoi Kurti.

Deklarimi i kreut të LDK-së, i bërë së fundi, se me zyrtarët e LVV-së mund të takohen vetëm për marrëveshjen finale, sipas Kurtit nënkupton një të atillë qasjeje “merre ose lëre”. “Qëndrimi i tyre se takohemi vetëm për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, pra qasja merre ose lëre, do të thotë lëre. Unë besoj se ne mund të kthehemi dhe e kemi detyrim ndaj të gjithë jush që të kthehemi në tavolinën e bisedimeve, për të mos dalë nga ajo deri në gjetjen e një gjuhe të përbashkët dhe arritjen e marrëveshjes sonë”, ka potencuar ai. Krejt në fund Kurti ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të takohet me përfaqësuesit e pakicave.

Osmani: Marrëveshja, vetëm nëse ka vullnet të dyanshëm

Pas mandatimit të Albin Kurtit për ta formuar qeverinë, nënkryetarja e LDK-së Vjosa Osmani ka thënë se metoda e liderit të LVV-së për t’i kumtuar vendimet nëpërmjet videomesazheve nuk përbëjnë qasjen adekuate për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje. Sidoqoftë, ajo ka konsideruar se ka vullnet për arritjen e marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje. Por Osmani ka kërkuar prej të dyja palëve që të angazhohen në maksimalisht në këtë drejtim. “Tanimë që zyrtarisht e kemi mandatimin e kandidatit për kryeministër dhe koha është e përcaktuar me Kushtetutë të vendit, ajo për të cilën bëj thirrje unë është që dy javët e ardhshme të shfrytëzohen maksimalisht për arritjen e marrëveshjes e jo për fajësime ndaj njëra-tjetrës”, ka deklaruar ajo.

Por marrëveshja, siç nënkryetarja e LDK-së është shprehur, mund të ndodhë vetëm po qe se ekziston vullneti i të dyja subjekteve. “Marrëveshja mund të arrihet vetëm nëse ka vullnet të qartë nga të dyja palët dhe vetëm nëse ka gatishmëri për të arritur tek një mes, një kompromis, ku të dyja partitë shihen që vullnetshëm po hyjnë në koalicion. Duhet të investohet të rikthehet besimi, të ulemi në tavolinë me respekt të ndërsjellë dhe duke pasur parasysh fuqinë politike që e përfaqëson njëra dhe tjetra, duke pasur parasysh votat që i kemi marrë më 6 tetor”, ka shtuar ajo.

Dyshimet e LDK-së pas hapit të Vetëvendosjes rreth mandatarit

Pas zhvillimeve të djeshme anëtarja e Kryesisë së LVV-së, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar se ditët në vijim janë shans ideal për ta marrë vendimin historik në përputhje me vullnetin e qytetarëve. Në kuadër të kësaj Haxhiu ka kërkuar nga LDK-ja që ta dëshmojë se e do njëmend ndryshimin. “Për ta jetësuar vullnetin e qytetarëve të shprehur më 6 tetor ne kemi bërë shumë kompromise. Është radha që LDK-ja të tregojë se e do vërtet ndryshimin”, ka potencuar ajo.

Në anën tjetër Besa Gaxherri, nga LDK-ja, ka thënë se tanimë lindin dyshime se si do të veprojë LVV-ja pas propozimit të mandatarit, të bërë pa u konsultuar me LDK-në. “Vetëvendosja e ka dërguar propozimin për mandatar të kryeministrit pa u konsultuar me LDK-në, andaj LVV-ja ose ka bërë marrëveshje me ndonjë subjekt tjetër, ose është e interesuar t’i konsumojë procedurat kushtetuese që procesi të marrë tjetër kahe”, është shprehur ajo.

Ambasada Britanike kërkon përshpejtim të negociatave

Disa orë pas emërimit të liderit të LVV-së Albin Kurti për mandatar për formimin e qeverisë ka reaguar edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë, e cila ka thënë se e mirëpret dekretin e presidentit Hashim Thaçi lidhur me këtë çështje. Nëpërmjet një komunikate të lëshuar për medie, Ambasada e Britanisë së Madhe ka kërkuar që politikanët e votuar të tregojnë guxim në formimin e një qeverie, që është në përputhje me kërkesat e elektoratit. “Politikanët e zgjedhur të Kosovës dhe partitë e tyre tani duhet të tregojnë guxim dhe kreativitet në formimin e një qeverie, e cila pasqyron dëshirat e elektoratit. Ne bëjmë thirrje për përparim të shpejtë në negociata, në një frymë tolerance dhe partneriteti”, thuhet në reagim.

Për zvarritjen e bërjes së qeverisë gjatë ditës së djeshme kanë reaguar edhe zyrtarë të PDK-së. Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e këtij subjekti, Memli Krasniqi, ka thënë se partia fituese e zgjedhjeve, LVV-ja, duhet sa më parë ta formojë qeverinë e re dhe t’i marrë përgjegjësitë që i takojnë. Në një deklaratë për medie, pas mbledhjes së parë të kryesisë së re, Krasniqi tha se kreu i LVV-së, Albin Kurti, duhet ta dijë që jeta institucionale nuk është sikurse videolojërat. “Kërkesa jonë në vazhdimësi ka qenë që ata, të cilët kanë marrë mandatin, sa më shpejt t’i përmbushin obligimet e tyre. Kjo gjë nuk ka ndodhur. Albin Kurti si mandatar duhet ta dijë që jeta institucionale nuk është videolojë”, është shprehur ai.

Por nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se nuk do të pritet deri në pafundësi për ta formuar qeverinë e re. “Nuk mund të presim në pafundësi, nuk mund ta rrezikojmë miratimin e buxhetit e krijimin e situatave të vështira financiare në qindra-mija familje e as të bllokojmë krijimin e institucioneve”, ka theksuar ajo.

Qeveria e ardhshme, siç Nagavci është shprehur, do të punojë për ta luftuar krimin e organizuar e korrupsionin. “Ne po bëjmë hapa përpara në jetësimin e vullnetit të qytetarëve të shprehur më 6 tetor, po angazhohemi për krijimin e një qeverie, e cila do ta luftojë krimin e korrupsionin, që do të punojë shumë për zhvillimin ekonomik e për përmirësimin e jetës së qytetarëve, për mundësitë e reja e për hapjen e perspektivave për të rinjtë tanë”, ka shtuar ajo.

Meqë LVV-ja sipas saj ka besuar se në këtë rrugëtim do të jetë bashkë me LDK-në, do të angazhohet sërish ditëve në vijim që një gjë e tillë të jetësohet. “Bashkë me LDK-në duhet t’i përmbushim shpresat për ndryshim. Kjo është mundësia e fundit për ta jetësuar vullnetin e qytetarëve, për t’u shkëputur përfundimisht nga qeverisjet e papërgjegjshme që shkaktuan largimin e qindra-mija qytetarëve rrugëve të botës”, ka deputetja e LVV-së.

Ndaj skenarët që pengojnë realizimin e vullnetit të qytetarëve sipas nënkryetares së Kuvendit nga Vetëvendosja nuk mund dhe nuk duhet të ngadhënjejnë mbi zërat racionalë. “Është koha që premtimet t’i bëjmë realitet, që besimin të cilin na e kanë dhënë ta kthejmë në votimin e qeverisë së ndryshimit. Qytetarët kanë folur më 6 tetor, të zgjedhurit e tyre do të flasin pas dy jave, me shpresën që do ta përmbushin besimin e dhënë”, ka përfunduar Nagavci.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën më 6 tetor të vitit të kaluar. Në këto zgjedhje fituese doli Lëvizja Vetëvendosje, e cila u pasua nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Negociatat mes këtyre dy subjekteve nisën katër ditë pas përfundimit të këtij procesi, gjegjësisht më 10 tetor 2019, por mes tyre ende nuk është arritur ujdia sa i përket formimit të qeverisë së ardhshme. Sidoqoftë më 26 dhjetor kryetar i Kuvendit u zgjodh ish-shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Glauk Konjufca, i cili pavarësisht faktit që nuk pati marrëveshje LVV - LDK, mori votat e partisë së drejtuar nga Isa Mustafa. Ky i fundit, disa orë para seancës konstituive, qe zotuar se LDK-ja do ta votonte kandidatin e propozuar nga Vetëvendosja për kryeparlamentar në rast se nuk do të kishte marrëveshje, respektivisht nëse nuk do të përfilleshin kërkesat e LDK-së./Zëri