Diplomacia e ryshfetit: Beteja rreth (ç)njohjeve të Kosovës

Diplomacia e ryshfetit: Beteja rreth (ç)njohjeve të Kosovës

Aktuale January 20, 2020 - 08:04
Shkruajnë: Arta Berisha & Serbeze Berisha

Tërheqje të njohjeve kanë rritur zemërimin në Prishtinë dhe ambiciet në Beograd, por lufta për njohje e çnjohje deri më tani ka pasur vetëm një rezultat - bllokimin e dialogut mes të dyja vendeve, shkruan sot Zëri.

Lexo edhe: Mustafa kërkon nga LVV-ja të ketë vullnet për marrëveshje

Kur Surinami, një shtet jugamerikan, u bë vendi i parë që tërhoqi njohjen e Kosovës në tetor të 2017-s dhe njoftimi erdhi nga Serbia Qeveria në Prishtinë deklaroi se kjo nuk është e mundur sipas së drejtës ndërkombëtare. Surinami kishte vetëm një vit që e kishte njohur Kosovën dhe po aq kohë kishte që Serbia e Kosova kishin nisur dialogun për “normalizim marrëdhëniesh”. Nga viti 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë dhe u njoh më shumë se nga 110 vende, Serbia vazhdoi një fushatë agresive kundër Kosovës. 

Në vitet e para fushata diplomatike e Kosovës rriti numrin e njohjeve dhe gjithçka dukej e pakthyeshme deri në vitin 2015 kur lobimi serb triumfoi pasi Kosova dështoi të anëtarësohet në UNESCO.Kjo shënoi një pikë kthese në fushatën serbe për t’i frenuar njohjet e pavarësisë së Kosovës. Raportimet, kryesisht të medieve në Serbi, treguan se diplomacia serbe përdori shpesh forma korruptive kur pas Surinamit, në shkurt të 2018-s, Burundi deklaroi të njëjtën gjë. Derisa njoftimet për tërheqje të njohjeve rritën zemërimin në Prishtinë, në fund të vitit 2018 Qeveria vuri një taksë prej 100 për qind ndaj produkteve serbe si përgjigje ndaj betejës kundër pavarësisë. Aktualisht Serbia numëron 15 vende, por nuk thotë se e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës duke përmendur vetëm emrat e 6 prej tyre. Por në Prishtinë zyrtarët mohojnë të ketë pasur tërheqje.

Dialogu mbi shtetësinë dhe njohjet

Në Prishtinë çështja e disa njohjeve dhe e tërheqjes së tyre shpesh ishte e mjegullt. Korrupsioni në sigurimin e njohjeve është shfaqur edhe në anën kosovare. Bedri Tahiri, një ndërtues në Britani të Madhe, i mandatuar sipas tij nga ministri i Jashtëm për Lobim në vendet afrikane në një intervistë për BIRN-in ka treguar se u janë ofruar para disa vendeve si Gambia dhe Kongo në këmbim të njohjeve ose të anëtarësimit në INTERPOL. Por kjo është mohuar nga Ministria e Jashtme e Kosovës. Ministri i Jashtëm në detyrë, Behgjet Pacolli, ka thënë se asnjë shtet nuk ka njoftuar Kosovën zyrtarisht për tërheqjen e njohjeve. “Në asnjë takim dhe komunikim me shtetet që Serbia i ka përmendur kinse kanë bërë veprime të tilla nuk na është konfirmuar një gjë e tillë”, ka thënë Pacolli për “Zërin”. Përkundrazi, sipas tij, shtetet si Guinea - Bissau, Liberia, Dominica dhe Ishujt Solomon i kanë konfirmuar MPJ-së ose partnerëve të Kosovës se nuk kanë tërhequr njohjet.

Por tërheqjet e njohjeve janë konfirmuar edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Në takimin e 31 tetorit të vitit të kaluar ambasadori gjerman në OKB, Christoph Heusgen, ka kërkuar nga Serbia ta ndalë fushatën e bindjes së shteteve që ta tërheqin njohjen e Kosovës. “E di që ministrit të Jashtëm të Serbisë i pëlqen të udhëtojë në Ishujt e Paqësorit dhe të Karaibe, në mesin e destinacioneve të tjera. Por mendoj se paratë e taksapaguesve serbë mund të përdoren më mirë sesa në udhëtime për t’i bindur këto vende që ta tërheqin njohjen e Kosovës”, ka thënë Heusgen. “Zëri” ka kërkuar qasje në dokumentet zyrtare që ndërlidhen me tërheqjen e njohjeve, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje. Megjithatë MPJ-ja ka konfirmuar se ka marrë një letër nga Ishujt Solomon, në të cilën thuhet se ky shtet “ngrin raportet me Kosovën deri në përfundim të dialogut Kosovë - Serbi”.

Gazeta ka kontaktuar edhe ministritë e Jashtme të këtyre vendeve, por ato nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje rreth tërheqjes ose jo të njohjeve. Tërheqjet e njohjeve patën dy argumente: E para, se njohja e Kosovës ishte veprim i pamatur dhe suspendohet derisa Kosova e Serbia të arrijnë një marrëveshje dhe argumenti i dytë, ishte se “Rezoluta 124 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën”.

Këto vende e cilësuan dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian si proces për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Gëzim Visoka, profesor i studimeve të konflikt dhe të paqes në Universitetin e Dublinit në Irlandë, thotë se argumentet nuk qëndrojnë. “Me dialog synohet normalizimi dhe arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme. Kur BE-ja mori nga OKB-ja mandatin (për dialog) synohej përmirësimi i jetës së qytetarëve pas pranimit të verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), ku shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në mospërputhje me të drejtën ndërkombëtare”, thotë Visoka. Ndërsa për argumentin e Rezolutës 1244, Visoka shpjegon se “ka parashikuar zgjidhjen e statusit të Kosovës në përputhje me vullnetin e qytetarëve të saj dhe ndërmjetësuesi i OKB-së (Marty Ahtisaari) ka propozuar pavarësi të mbikëqyrur”.

Visoka thotë se në rastin e këtyre shteteve, Serbia ka mësuar nga diplomacia agresive dhe e ryshfetit e Marokut, e Kinës dhe e Tajvanit. “Serbia ka shfrytëzuar këto vende postkoloniale me histori të njohur për shitje ose për dhënie me qira të njohjes diplomatike”, thotë Visoka për “Zërin”.

Visoka, që është gjithashtu editor i librit “Routledge Handbook of State Recognition”, një prej botimeve më gjithëpërfshirëse mbi njohjen e shteteve, shpjegon se tërheqja e njohjeve është një praktikë diplomatike e politike pa një bazë të qartë në të drejtën ndërkombëtare. “Kur një vend njihet si shtet i pavarur dhe sovran nuk mund të çnjihet përderisa nuk ndryshojnë kushtet mbi të cilat është bërë njohja, që nënkupton se ai vend të ketë popullsi, territor, qeveri efektive dhe zotësi për ndërveprime ndërkombëtare”, thotë ai.

Sipas Visokës, tërheqjet janë vetëm ndërprerje e marrëdhënieve diplomatike. “Është praktikë e njohur dhe e shfrytëzuar gjerësisht në marrëdhëniet ndërkombëtare”, thotë ai.

Vendet për të cilat Ministria e Jashtme e Serbisë thotë se tërhoqën njohjen e Kosovës kanë një histori çnjohjesh dhe rinjohjesh të shteteve, kryesisht në këmbim të përfitimeve personale të liderëve politikë, si dhe të interesave të tjera gjeopolitike. Këto vende ( Suriname, Burundi, Guinea-Bissau, Liberia, Dominica) kanë njohur dhe kanë rinjohur disa herë Tajvanin dhe Saharanë Perëndimore.

Përveç taksës dhe reagimeve ndërkombëtare, brenda vendit tërheqjet e njohjeve rritën tensionet politike, dëmtuan unitetin politik karshi Serbisë dhe frenuan aplikimin për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, sidomos në UNESCO e në INTERPOL. “Tërheqjet e njohjeve frenuan zgjerimin e sovranitetit ndërkombëtar të Kosovës”, thotë Visoka.

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, aktualisht zëvendëskryeministër në largim i Kosovës, Enver Hoxhaj, thotë se tërheqjet erdhën edhe i mungesës së një politike të jashtme aktive të Kosovës. “Është goditje gjeopolitike për Kosovën”, ka thënë Hoxhaj. Tërheqjet frenuan zgjerimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës

Në Prishtinë numrat nuk kanë qenë edhe aq të rëndësishëm, ngase politikanët në pushtet kanë përdorur shpjegime për “njohje kualitative” duke aluduar se disa nga shtetet më të mëdha dhe më me ndikim në botë e kanë njohur Kosovën. Kur numri i deklarimeve për tërheqje të njohjeve u rrit, zemërimi u shtua në anën kosovare, ndonëse me ose pa vendet që deklaruan tërheqjen e njohjeve kjo nuk e ndryshon aktualisht realitetin numerik në çështjen e anëtarësimit në OKB. Të dyja, Kosova e Serbia, kanë aleatët më të fuqishëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së: Kosova ka SHBA-në, Francën dhe Britaninë e Madhe, ndërsa Serbia e ka Kinën e Rusinë dhe çështja anëtarësimit të Kosovës në OKB mbetet e bllokuar. Vendi i fundit që ka njohur Kosovën në shkurt të vitit 2018 është Barbados.

Në Prishtinë shpresohet që një marrëveshje ligjërisht e obligueshme me Serbinë do t’i hapte rrugë Kosovës për anëtarësim në OKB. Autoritetet në Prishtinë, por edhe përtej Kosovës besojnë se përveç formave korruptive që ka përdorur, Serbia gjithashtu është ndihmuar edhe nga Rusia. Pretenduesi për postin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, thotë se dialogu me Serbinë nuk mund të bëhet për ridefinim të shtetësisë së Kosovës. “Kjo nuk ka gjasa të ndodhë pavarësisht se Serbia po e përdor këtë argument që t’i bëjë presion Kosovës, që të bëjë koncesione në Bruksel duke hapur çështjen e sovranitetit të Kosovës”, ka thënë Kurti për “Zërin”.

Kabineti i kryeministres së Serbisë Ana Brnabiq dhe as Ministria e Jashtme e Serbisë nuk janë përgjigjur në pyetjet rreth fushatës së njohjeve dhe të akuzave për korrupsion. “Duhet të rimendojmë se si t’i qasemi Serbisë dhe si ta godasim atë kudo që mundemi. Por duhet të kërkojmë një mbështetje më të madhe ndërkombëtare nga partnerët tanë”, thotë Hoxhaj

Zyrtarët e SHBA-së dhe të BE-së kanë kërkuar që Serbia ta ndërpresë fushatën kundër pavarësisë së Kosovës dhe të dyja palët të krijojnë kushte për dialog. Emërimi i Matthew Palmerit si përfaqësues special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor tregon se Uashingtoni po planifikon t’i forcojë përpjekjet për të arritur një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës e Serbisë.

Njohja është nyja më e madhe për të dyja shtetet, që pritet të rifillojnë dialogun për normalizim marrëdhëniesh. Në fakt, të dyja, Uashingtoni dhe Brukseli, i kanë kërkuar Serbisë ndaljen e fushatës kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës si kusht për vazhdimin e dialogut, përderisa nga Kosova kërkohet heqja e taksës.

Ndërkohë për Visokën, tërheqja e njohjeve mund të sjellë edhe implikime të tjera për shtetësinë e Kosovës. “Nëse trendi i tërheqjes së njohjeve vazhdon dhe Kosova mbetet e izoluar, ekziston mundësia që ideja për bashkim me Shqipërinë të konsiderohet si opsion. Kjo do të shërbente si pretekst për forcat politike në Kosovë që janë pro bashkimit kombëtar të shtyjnë përpara një projekt të tillë”, thotë Visoka.

Ky artikull është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autoreve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian, i BIRN-it ose i AGK- së.