Mustafa kërkon nga LVV-ja të ketë vullnet për marrëveshje
Foto: Laura Hasani

Mustafa kërkon nga LVV-ja të ketë vullnet për marrëveshje

Aktuale January 20, 2020 - 07:59
detajet
Image

Pavarësisht se kanë kaluar më shumë se tre muaj që nga zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka dalë e para në këto zgjedhje, nuk ka arritur ta bindë Lidhjen Demokratike të Kosovës që të lidhin koalicion. Ofertat e shkëmbyera në mes të dyja subjekteve për bashkëqeverisje nuk kanë qenë të suksesshme deri më tani, megjithatë nga këto dy subjekte thuhet se ende ka vullnet për arritjen e marrëveshjes bashkëqeverisëse, shkruan gazeta Zëri.

Lexo edhe: 25 mijë qytetarë - në këmbë për Badocin

Takimet e deritanishme mes udhëheqësve të të dyja subjekteve, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk kanë dhënë rezultate për bashkëqeverisje. Pavarësisht mosmarrëveshjeve mes këtyre dy partive politike, arritja e një marrëveshje për koalicion ende është e mundur. Si nga Lëvizja Vetëvendosje, ashtu edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë parë si të rëndësishme lidhjen e koalicionit.

. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë për medie se LDK-ja ka vullnet të lidhë koalicionin me Vetëvendosjen dhe se kjo marrëveshje mund të ndodhë nëse edhe LVV-ja ka vullnet. “LDK-ja ka vullnet dhe përkushtim që të arrihet koalicioni. Kanë mbetur disa gjëra që unë si kryetar i LDK-së kam qenë i bindur se do të zgjidhen dhe do të pajtoheshim në takimin e parë ose në të dytin dhe në asnjë rast nuk kam pritur se do të shkohet kaq gjatë, por vlerësoj se mund të arrihet kjo me vullnetin e partisë që ka dalë e para”, ka thënë ai.

Mustafa ka theksuar se Vetëvendosja duhet ta vlerësojë mirë ofertën e fundit, që ia ka bërë LDK-ja. “LVV-ja duhet ta masë e ta vlerësojë mirë ofertën që ne kemi dhënë, sepse është një ofertë shumë e balancuar që siguron se dy subjektet të kenë participim në organet më të larta përfaqësuese dhe në organet qeverisëse të vendit, e cila në asnjë rast nuk e dëmton asnjërën palë, e shton mirëbesimin dhe mundëson t’i arrijmë synimet tona. Nëse s’bëhet kjo, atëherë do të jetë e pasigurt se si do të funksionojë ky koalicion edhe po të ndodhte koalicioni”, është shprehur Mustafa.

Gjatë ditës së djeshme presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, prapë i është drejtuar kandidatit për kryeministër Albin Kurtit, që t’ia dërgojë emrin e mandatarit. Thaçi ka thënë se Kurti duhet të reflektojë ose të deklarojë refuzimin për mandatarin.

Kurti flet rreth përpjekjes për formimin e qeverisë

Kandidati për kryeministër, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave ka zhvilluar një prezantim para 120 studentëve ndërkombëtarë nga Universiteti i Vjenës dhe ai i Venedikut, ku edhe ka folur për situatën aktuale politike në vend. Mes të tjerash, Kurti ka sqaruar para tyre rëndësinë e zgjedhjeve të 6 tetorit, arsyet e vonesës për formimin e institucioneve të reja dhe përpjekjet që po bëhen për formimin e tyre. Ai ka paraqitur para studentëve programin zhvillimor të Lëvizjes Vetëvendosje, që siç ka thënë ai, në qendër ka krijimin e vendeve të reja të punës dhe shtetndërtimin demokratik ku ka sundim të ligjit. “Prioritet i qeverisë së re se do të jetë forcimi i shtetit dhe zvogëlimi i pushtetit”, theksoi ai në fjalën e tij.

Studentët thuhet se kanë shprehur interesim për qëndrimet e Lëvizjes për çështje të caktuara ndër vite, për hapat konkretë të Lëvizjes si udhëheqëse e qeverisë së ardhshme, si dhe për marrëdhëniet e politikat që bashkojnë komunitetet e ndryshme në Kosovë.

Bunjaku: Ulësja e kryeparlamentarit s’duhet ta bllokojë marrëveshjen

Derisa janë mundësitë ligjore, ende ka gjasa të lidhet koalicioni mes Vetëvendosjes dhe LDK-së. Kështu ka thënë deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Valentina Bunjaku, e cila është shprehur se as pozita e kryeparlamentarit nuk duhet të jetë bllokuese e marrëveshjes mes dy subjekteve. “Derisa janë mundësitë ligjore dhe kushtetuese ende ka gjasë të lidhet koalicion në mes LDK-së dhe LVV-së, vullnet ky i elektoratit nga zgjedhjet e 6 tetorit. Pavarësisht barrierave të shumta që dalin për ta arritur këtë vullnet e për hir të qytetarëve dhe të vendit një karrige pushteti si ajo e kryeparlamentarit nuk duhet të jetë bllokuese e procesit madhor për vendin”, ka thënë ajo.

Bunjaku ka thënë se LDK-ja nuk është e etur për pushtet dhe se nuk pranon nënshtrim për elektoratin e saj. “Një gjë duhet ta dimë se LDK-ja është deklaruar e gatshme të shkojë prapë në opozitë dhe se nuk është e etur për pushtet, por ndarja e pushtetit nënkupton përgjegjësi dhe obligim proporcionalisht me përkrahjen qytetare. LDK-ja nuk pranon nënshtrim, përbuzje e as nënçmim për elektoratin e saj dhe si e tillë shumë herë është lënduar, është sulmuar e madje edhe është vrarë nga oponentët politikë”, ka shtuar ajo.

Thaçi: Kurti të reflektojë ose në të kundërtën duhet ta deklarojë refuzimin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ditës së djeshme ka pritur në takim ish-shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin William Walker. Me këtë rast Thaçi ka kërkuar që sa më shpejt të krijohen institucione në vend dhe se edhe një herë ka theksuar se Albin Kurti duhet të deklarohet rreth mandatarit ose ta refuzojë atë. “Po kalon, prandaj unë si president i vendit, duke parë angazhimet e kryetarit të partisë që ka dalë fituese nga zgjedhjet dhe që ka nominuar më shumë se gjysmën e kabinetit të tij dhe unë e kam shkruar nomimin e tij si kryeministër e ai nominim është ende është në zyrën e tij dhe shpresoj se Kurti do të reflektojë, sepse është në interes të tij dhe të elektoratit të tij ose në të kundërtën duhet ta deklarojë refuzimin”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se është në vullnetin e spektrit politik që ta përmbyllë këtë proces të suksesshëm të zgjedhjeve të 6 tetorit dhe se ai do ta respektojë Kushtetutën, ligjin e Kosovës dhe autoritetin tij të plotë si president i vendit. Ish-ambasadori OSBE-së në Kosovë, William Walker, pas takimit që ka zhvilluar me presidentin Thaçi ka kërkuar nga partitë politike që sa më shpejt ta formojnë qeverinë, në mënyrë që t’i japin një pushim presidentit Thaçi

Baraliu: S’ka alternativë tjetër, përveç koalicionit mes LDK-së e LVV-së

Njohësi i çështjeve politike dhe kushtetuese në vend Mazllum Baraliu është shprehur optimist se gjatë kësaj jave do të lidhet marrëveshja mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai ka thënë për “Zërin” se nuk ka mbetur asnjë alternativë tjetër përveç koalicionit. “Tashmë nuk ka mbetur ndonjë tjetër alternativë rezervë, veçse koalicioni. Shpresoj që në gjysmë të javës së ardhshme ose në fund të javës të lidhet koalicioni. Tashmë ata duhet ta shohin se nuk kanë zgjidhje tjetër dhe se do të humbin nëse vendi shkon në zgjedhje”, ka thënë ai.

Sipas tij, LDK-ja dhe LVV-ja kanë deklaruar publikisht se do të lidhin koalicion vetëm me njëra-tjetrën dhe se nuk kanë zgjidhje, përveçse ta bëjnë një gjë të tillë. Sa i përket pozitës së kryeparlamentarit, Baraliu ka thënë se nëse LDK-ja këmbëngul ta marrë këtë pozitë, atëherë Vetëvendosja duhet të bëjë kompromis, në mënyrë që të lidhet marrëveshja. “LDK-ja nëse këmbëngul në diçka që vetë e ka votuar, që të ketë rikthim në gjendjen e mëparshme, atëherë kjo gjë është diçka joserioze. Edhe nëse e kërkon këtë, mendoj se Vetëvendosja duhet ta bënte kompromisin e madh, që të mos e fundosin shpresën e qytetarëve për ndryshimin e madh”, ka përfunduar ai./Zëri