Përballja e radhës Rama – Haradinaj, në gjykatë
Foto: Laura Hasani

Përballja e radhës Rama – Haradinaj, në gjykatë

Aktuale January 17, 2020 - 08:04
Image

Ideja e shkëmbimit të territoreve edhe një herë ka përplasur kryeministrin e Kosovës në detyrë Ramush Haradinajn me homologun e tij nga Shqipëria Edi Ramën. Kryeministri i Shqipërisë të mërkurën paditi Haradinajn për shpifjet që ka bërë ndaj tij nëpërmjet deklaratave publike ku ka folur për shkëmbime territoresh. Ky veprim i Ramës ka shkaktuar kundërshtime në Kosovë e në Shqipëri, por gëzim e hare në Serbi, shkruan sot gazeta "Zëri".

Të mërkurën, teksa Kosova po shënonte 21-vjetorin e masakrës makabre që forcat policore serbe kishin kryer në Kosovë, në të cilën ishin vrarë 45 shqiptarë civilë, Kosova pranoi një goditje nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Rama në po këtë ditë dorëzoi një kërkesëpadie kundër homologut të tij në Kosovë Ramush Haradinajt. Përmes kësaj padie ai pretendon se Ramush Haradinaj ka shpifur ndaj tij nëpërmjet deklaratave publike, ku ka folur për shkëmbime territoresh. Një veprim i tillë i Ramës ka shkaktuar reagime në Kosovë e në Shqipëri dhe e dënuan ashpër këtë hap, ndërsa në Serbi i janë gëzuar këtij fakti.

Duke folur për këtë padi kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, të mërkurën në mbrëmje deklaroi se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në bazë të raportimeve në medie ka deponuar padi kundër tij në gjykatë. “Unë, sipas ligjit, do të përgatis përgjigje në padi në afatet e përcaktuara ligjore”, shkroi Haradinaj në “Facebook”. Por, sipas tij, kjo padi nuk ka bazë dhe është ikje nga përgjegjësia që ai ka si kryeministër i Shqipërisë. “Padia e kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diversion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë. Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot në çdo kohë”, është shprehur ai.

Në padinë që ka ngritur Rama përmenden disa emisione të transmetuara gjatë muajit tetor të vitit të kaluar, në të cilat Haradinaj ka folur për këtë temë e ku e ka akuzuar Ramën, që së bashku me Hashim Thaçin dhe me Aleksandër Vuçiqin kanë nisur idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe e Serbisë, shkruan "Zëri".

Kryemadhi: Veprimet e Edi Ramës po shkatërrojnë Shqipërinë

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka komentuar padinë e kryeministrit Edi Rama ndaj homologut të tij në Kosovë Ramush Haradinajt, me ç’rast ka thënë se kjo ishte vetëm një provë që fakton rrezikshmërinë që paraqet kryeministri që në ditën e masakrës së Reçakut padit në gjykatë luftëtarin e UÇK-së dhe vëllain e dëshmorëve që çliruan Kosovën. “Shqipëria është në një rrezikshmëri të madhe, sepse me Edi Ramën rrezikohet çdo ditë e më shumë. Mjafton të shohim se çfarë ndodhi dje, ditën e përkujtimit të viktimave të Reçakut. Edi Rama gjeti momentin për ta paditur luftëtarin e UÇK-së, vëllain e dëshmorëve që çliruan Kosovën me gjakun e tyre në gjykatë”, ka thënë Kryemadhi.

Sipas saj, Rama me këtë veprim dëshmoi se është i gatshëm që edhe më shumë t’i dëmtojë shqiptarët. “Ky është Edi Rama, mendoni çfarë bën në një moment të tillë dhe çfarë mund t’u bëjë akoma më shumë keq shqiptarëve?”, është shprehur tutje ajo.

Veprimet që rrezikojnë marrëdhëniet Kosovë - Shqipëri
 

Ne anën tjetër njohësi i rrethanave politike dhe publicisti Shkelzen Maliqi në një deklaratë për “Zërin” ka thënë se kryeministri Haradinaj, por edhe ai i Shqipërisë duhet të jenë të kujdesshëm në deklaratat e tyre, sepse ato mund t’i rrezikojnë marrëdhëniet Kosovë – Shqipëri.

“Në kohën e qarkullimit të shumë lajmeve të rreme dhe të shpifjeve, politikanët duhet të janë më të kujdesshëm në akuzat e tyre publike, si kjo e Haradinajt se Rama, Thaçi dhe Vuçiqi kanë marrë 10 miliardë dollarë për projektin e copëtimit të Kosovës. Nuk besoj se kjo është e vërtetë dhe Haradinaj do të duhej t'i ketë dëshmitë për këtë pohim, çka nuk besoj se i ka, përndryshe do ta humbë gjyqin. Kur këso akuzash i thotë një kryeministër i Kosovës, ai rrezikon prishjen e raporteve mes dy shteteve, sepse nëse e thotë publikisht këtë duhet ta mbështesë me ndonjë dëshmi relevante, kështu mbetet propagandë retorike”, është shprehur Maliqi.

Sipas tij, është pozitiv fakti që Rama e ka ngritur këtë padi, me qëllim që të mos përsëriten akuza të pabaza nga ana e politikanëve të të dyja shteteve. “Mirë që kryeministri Rama e ka sjellë në gjykatë çështjen që të mos përsëriten këso akuza paushalle ose spekulative , ër shkak të mospajtime politike mes dy kryeministrave” ka thënë tutje ai.


Ligji kërkon nga Rama ta vërtetojë se nuk është tradhtar

Avokati Dastid Pallaska ka deklaruar se padia për “Shpifje” nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për kryeministrin në detyrë të Kosovës Ramush Haradinaj e vendos Ramën para një predikamenti absurd ligjor, kjo nëse çështja shqyrtohet në meritë. Pallaska ka deklaruar se sipas Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes, për t’u liruar nga përgjegjësia ligjore për shpifje dhe/ose fyerje i padituri ka barrën e provës për të vërtetuar se deklarata e tij/saj është e vërtetë, shkruan tutje "Zëri".

“Ky rregull ka një përjashtim të rëndësishëm në rastet kur objekt i kërkesëpadisë për shpifje dhe/ose fyerje është një çështje e interesit publik që si paditës përfshin persona, të cilët mbajnë funksione publike. Në këto raste, barra e provës për vërtetimin se deklarata përkatëse është shpifëse dhe/ose fyese kalon te paditësi. Për më shumë, i padituri në këto raste mund të mbahet përgjegjës vetëm nëse e ka ditur që deklarata e tij/saj është shpifëse dhe/ose fyese dhe ka vepruar me mospërfillje të pamatur ndaj të vërtetës. Kjo do të thotë se po që se padia tejkalon pengesat e shumta procedurale dhe do të shqyrtohet meritorisht – kryeministri i Shqipërisë do ta ketë barrën e provës për të vërtetuar se nuk është ‘tradhtar’”, ka thënë ai.

Pallaska vlerëson se nëse ndodh refuzimi eventual i padisë nga gjykata për shkak të dështimit të Ramës që të përmbushë barrën e provës, sipas ligjit do të nënkuptonte se kryeministri i Shqipërisë është “tradhtar”./ZËRI