Teologu Fitim Flugaj flet për dekorimet e shesheve: Gjërat e bukura muslimani nuk i urren

Teologu Fitim Flugaj flet për dekorimet e shesheve: Gjërat e bukura muslimani nuk i urren

Aktuale December 20, 2019 - 22:24

Teologu Fitim Flugaj ka thënë se për besimtarët myslimanë nuk kanë ndonjë rëndësi festat tjera pos dy bajrameve.

Ai megjithatë ka thënë se “gjërat e bukura nuk i urrejmë”.

Zyrtari i Bashkësisë Islame të Kosovës thotë se përfituesit e mëdhenj të këtyre festave janë bizneset e mëdha pasi sipas tij qytetarët e thjeshtë më shumë shpenzojnë në gjëra të kota.

Flugaj thotë se feja islame nuk është kundër gjërave të bukura siç janë edhe dekorimet, por sipas tij ato duhet të bëhen gjatë tërë vitit.

Ai transmeton një thënie të Muhamedit e cila thotë: “Pjesët e besimit janë disa. Më e larta është të beson vetëm një Zot dhe se Muhamedi është i dërguar i tij, ndërsa më e ulëta është mirëmbajta e rrugës ose largimi i ndonjë pengese nga rruga”.

Teologu thotë se Viti i Ri do të ishte një rast i mirë për një “ri-startim” të mirë të vitit dhe një përmbyllje e mirë e vitit që po lëmë por jo të shndërrohet në një festë të shthurur ku ka shumë të lënduar.

Flugaj thotë se sistemi politik siç ishte Komunizmi shumë rëndësi i ka kushtuar vitit të ri e që sipas tij e ka lënë traditë.

I pyetur nëse dekorimet janë të ndaluara në pazë të parimeve islame, zyrtari i BIK-ut është përgjigjur.

“Jo nuk është “haram”. Ajo nuk ka të bëjë me fenë është çështje e mënyrës së të jetuarit. Po deshe dekoroje”.

Teologu thotë se kalendari gregorian nuk ka bazë fetare dhe sipas tij qytetet që kanë fonde mund të bëjnë dekorimin e qyteteve.