Kosova refuzon Mini-Shengenin përjashtues dhe gjysmak

Kosova refuzon Mini-Shengenin përjashtues dhe gjysmak

Aktuale December 19, 2019 - 08:02
Detajet
Image

Autoritetet kosovare, përkatësisht presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka vendosur t’i thotë “Jo” ftesës së kryeministrit të Shqipërisë Edi Ramës për takimin e radhës - Mini-Shengeni Ballkanik, i cili do të mbahet në Durrës të Shqipërisë këtë të premte. Mospërfshirjen e Kosovës në iniciativën e treshes Rama – Zaev - Vuçiq e kanë sugjeruar edhe njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilët vlerësojnë se kjo iniciativë është përjashtuese dhe gjysmake, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: Prokuroria nis hetimet ndaj ministrit Shala për sulmin ndaj gazetarit

Derisa vetëm një ditë na ndan nga takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet në Durrës të Shqipërisë më 20 dhe 21 dhjetor, autoritet kosovare për të dytën herë radhazi kanë vendosur të refuzojnë pjesëmarrjen në evenimente të tilla që kanë për qëllim të çojnë para krijimin e një Mini-Shengeni Ballkanik. Ky refuzim i Kosovës vjen menjëherë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë eveniment. Me këtë rast i ftuari në këtë takim, presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka theksuar se derisa Serbia vazhdon t’i mohojë krimet e kryera ndaj qytetarëve të Kosovës dhe nuk e njeh Kosovën si shtet iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. Ndërkohë ftesë për këtë eveniment nuk ka marrë kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj. Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë ai. “Kosova nuk është e ftuar me aq sa di unë, të paktën jo deri më tani që unë flas. Edhe në rrethanat që janë deri më tani unë nuk marr pjesë, por edhe ftesë nuk kemi marrë”, ka thënë Haradinaj të martën. Menjëherë pas kësaj deklarate është përgjigjur Kryeministria e Shqipërisë, e cila ka thënë se meqë ende nuk është formuar qeveria e re e Kosovës ftesë për këtë takim i është dërguar presidentit të vendit Hashim Thaçit. Derisa formati, epilogu dhe qëllimi i kësaj iniciative mbesin të paqarta, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të integrimit vlerësojnë se Kosova duhet ta refuzojë pjesëmarrjen. Kësisoj ata iniciativën për krijimin e të ashtuquajturit “Mini-Shengen Ballkanik” e kanë quajtur gabim në hapa dhe proces gjysmak e përjashtues.

Kundërshtimet e autoriteteve kosovare ndaj Mini-Shengenit

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi të mërkurën ka bërë të ditur se i është përgjigjur negativisht ftesës që ka marrë nga kryeministrit i Shqipërisë Edi Rama për të marrë pjesë në takimin e radhës për Mini-Shengenin, i cili do të mbahet në Durrës e ku do të marrë pjesë edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev. Përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook” Thaçi ka thënë se derisa Serbia vazhdon t’i mohojë krimet e kryera ndaj qytetarëve të Kosovës dhe nuk e njeh Kosovën si shtet, iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. “Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit tonë. Në një situatë të tillë thirrjet dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina nuk e njohin shtetin e Kosovës”, ka theksuar Thaçi.

Duke shprehur mirënjohjen ndaj bashkëpunimit që Shqipëria ka me Kosovën, Thaçi ka njoftuar se Kosova do ta refuzojë këtë ftesë. “Rrethanat që e kanë pamundësuar pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në takimin e parë të mbajtur në Novi Sad dhe në të dytin të mbajtur në Ohër nuk kanë ndryshuar. Si rrjedhojë, unë si president i Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve shtetërore refuzoj pjesëmarrjen në takimin e tretë të këtij formati rajonal, që mbahet në Tiranë”, ka shkruar i pari i Presidencës.

A duhet ta refuzojë apo ta pranojë Kosova Mini-Shengenin?

Njohësi i çështjeve politike dhe publicisti Shkelzen Maliqi për “Zërin” ka thënë se samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet në Durrës më 20 dhe 21 dhjetor, mund të shikohet si vazhdimësi e samiteve të ngjashme, të cilat janë mbajtur viteve të fundit në kuadër të të ashtuquajturit “Proces i Berlinit”, i cili ka qenë një ecuri e dobishme për shtendosjen në rajon dhe për avancimin e raporteve të ndërsjella mes Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës. Ai vlerëson se meqë nga Kosova, Mali i Zi e pjesërisht edhe nga Bosnjë e Hercegovina ka pasur kundërshtime e refuzime të kësaj nisme nuk e bën të qartë faktin se a do të marrin pjesë këto vende në Samitin e Durrësit. “Është sidomos mjaft e komplikuar çështja e pjesëmarrjes së Kosovës në takimin e Durrësit, sepse ende nuk e kemi qeverinë e re dhe nuk është sqaruar mirë formati e agjenda konkrete se për çka do të bisedohet aty. Nëse bëhet fjalë për vazhdimin e samiteve të Novi Sadit dhe Ohrit mendoj se të paktën Kosova e Mali i Zi nuk do të jenë pjesë e konferencës”, ka thënë tutje Maliqi.
Ndonëse ka thënë se nismat për bashkëpunim rajonal të Ballkanit Perëndimor janë pozitive, Maliqi vlerëson se në këtë rast Mini-Shengeni ka krijuar dhe ka prodhuar efekt negativ, pasi përmes kësaj nisme shtetet janë ndarë në blloqe. “Unë jam ithtar i bashkëpunimit më të ngushtë të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, por nuk jam dakord me nismën gjysmake, gjë që e ka krijuar ndarjen në dy blloqe dhe mosbesimin e dyshimet se çka fshihet pas kësaj ngutje. Personalisht mendoj se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë gabuar që nismën e Novi Sadit e kanë lansuar pa koordinim paraprak me të tria vendet tjera. Vetë ideja e bashkëpunimit më të ngushtë mes gjashtë vendeve në parim mbase nuk është e keqe e as e dëmshme aq sa po thuhet, por është bërë gabimi në hapa dhe nuk po sqarohet mirë e në detaje cilat do të ishin përfitimet për të gjitha vendet dhe me çfarë ecurie do të arrihej një pajtueshmëri e përbashkët pa dëmtime ekonomike, politike e të tjera”, ka shtuar tutje ai.

Nevoja për konsensus rajonal

Njohësi i çështjeve të integrimit Besnik Vasolli, duke folur për Mini-Shengenin e Ballkanit i ka thënë “Zërit” se iniciativat për rritjen e bashkëpunimit rajonal janë pozitive, por vetëm atëherë kur arrihet konsensus i plotë rajonal për to. “Bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm, jo vetëm për anëtarësimin në BE, por edhe për zhvillimin e gjithë rajonit, për sigurinë dhe për mirëqenien. Pra bashkëpunimi duhet të bazohet në parimet e fqinjësisë së mirë dhe jo ndryshe. Fakti që iniciativa e Mini-Shengenit nuk është përqafuar nga të gjitha vendet e rajonit tregon se nuk është dhënë kohë e mjaftueshme për ta arritur konsensusin rajonal aq të rëndësishëm, gjegjësisht një Mini-Shengen përjashtues dhe gjysmak nuk i bën nder askujt”, ka thënë Vasolli.

Kësisoj Vasolli vlerëson se metodologjia për krijimin e një iniciative të tillë duhet të rikonstruktohet, me qëllim që të arrihet konsensus rajonal. “Iniciativat e bashkëpunimit rajonal janë të mirëseardhura dhe duhet të ketë më shumë në të ardhmen. Mënyra e vetme për pajtimin rajonal është përmes bashkëpunimit rajonal, dialogut ndëretnik dhe shoqëror, zbardhjen e së kaluarës, harmonizimin e planeve dhe të projekteve të zhvillimit rajonal etj. Por unë mendoj se vendet që promovojnë këtë ide duhet ta rianalizojnë qasjen dhe metodologjinë e aplikuar për krijimin e Mini-Shengenit dhe të sigurojnë konsensus në gjithë rajonin, i cili rrjedhimisht çon në atë që Kosova të trajtohet si një partner i barabartë. Në fund të fundit, Shqipëria nuk kufizohet me Serbinë”, ka thënë tutje ai.

Ndikimi i Mini-Shengenit në marrëdhëniet Kosovë - Shqipëri

Ndërsa duke folur mbi atë se si do të ndikojë iniciativa e Mini-Shengenit në marrëdhëniet Kosovë – Shqipëri Besnik Vasolli ka thënë se meqë të dyja vendet gëzojnë pavarësisë të plotë, si të tilla kanë të drejtë ta refuzojnë ose ta pranojnë çfarëdo nisme rajonale. “Marrëdhëniet Kosovë - Shqipëri tejkalojnë marrëdhëniet rajonale, janë marrëdhënie speciale dhe janë krijuar për shumë vite. Në fund të ditës Shqipëria gëzon sovranitetin e saj dhe ka të drejtë të jetë pjesë e nismave rajonale edhe nëse Kosova mendon ndryshe”, ka potencuar ai.

Ndonëse do të ishte pozitive që Kosova e Shqipëria të kishin një qëndrim unik për Mini-Shengenin, Vasolli thotë se assesi një proces i tillë nuk mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet specifike të të dyja vendeve. “Do të ishte mirë të kishim një qëndrim të harmonizuar, por si dy shtete të pavarura është e kuptueshme që të ketë mendime edhe të ndryshme. Nuk mendoj se Mini-Shengeni po e dëmton Kosovën, kështu që nuk besoj se ndikon negativisht në marrëdhëniet midis Kosovës e Shqipërisë”, ka thënë Vasolli.

Pozita e Kosovës dhe e Serbisë në Mini-Shengenin Ballkanik

Ndërkaq politologu Shkelzen Maliqi ka vlerësuar se pozita e Kosovës në Mini-Shengenin Ballkanik përbën pjesën më delikate të këtij procesi. “Më delikate në këtë proces është pozita e Kosovës, nëse ajo do të hynte në këtë nismë pa njohjen e pavarësisë së saj nga Serbia, për fillim ndoshta edhe me trajtimin e barabartë të Kosovës me vendet tjera në proceset edhe pa njohje formale. Opozita në Serbi e kundërshton po aq ashpër Mini-Shengenin sa edhe kundërshtarët e këtij projekti në Kosovë, sepse në Beograd po thuhet se një status i barabartë i Kosovës në këto samite do të ishte praktikisht njohje e Kosovës e që, sipas tyre, për pasojë do të kishte krijimin e hapësirës së përbashkët ekonomike e politike për shqiptarët në rajon, që ata e quajnë afirmim nga ana e Vuçiqit të ‘Shqipërisë së Madhe’”, ka potencuar ai.
Kësisoj sipas tij, para se të merret një vendim për pjesëmarrjen ose jo të Kosovës në këtë proces duhet të pritet përbërja e qeverisë së re, e cila duhet ta analizojë tërë projektin në mënyrë kritike. “Politika kosovare duhet ta ulë topin dhe ta analizojë në hollësi e në mënyrë kritike projektin. Gjithnjë ka kohë që ai të refuzohet me argumente ose të kërkohet korrigjimi i tij për atë pjesë, që do të mundë ta dëmtonte sovranitetin e zhvillimin ekonomik të Kosovës edhe karshi Serbisë, edhe karshi Shqipërisë, por edhe karshi vendeve të tjera”, ka shtuar tutje ai.

Të mërkurën menjëherë pasi presidenti i Kosovës Hashim Thaçi refuzoi thirrjen e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për të marrë pjesë në samitin e radhës në Tiranë, ku do të mbahet tryezë për Mini-Shengenin, ka reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Me këtë rast ai ka theksuar se mundësia që të vijë edhe homologu i tij nga Mali i Zi nuk është e parealizueshme. Vuçiqi para gazetarëve tha se po përgatitet të shkojë në Shqipëri, ku do të marrë pjesë në një takim të premten dhe të shtunën për zbatimin e mëtutjeshëm të një nisme rajonale të quajtur “Mini-Shengen”. “Po përgatitem për Shqipërinë. Nuk është e pamundur që të vijë edhe presidenti i Malit të Zi”, theksoi Vuçiqi.

Në takimin e mëparshëm gjatë një muaji më parë në Ohër përfaqësuesit e Malit të Zi thanë se po shqyrtonin iniciativën dhe Bosnjë e Hercegovina nuk kishte ende një qëndrim për të. //ZERI