Problemet me tekstet shkollore, metodat e mësimdhënies e kushtet infrastrukturore
Foto: Laura Hasani

Problemet me tekstet shkollore, metodat e mësimdhënies e kushtet infrastrukturore

Aktuale December 11, 2019 - 15:03
Detaje

Gjendja e arsimit në Kosovë edhe këtë vit lë shumë për të dëshiruar. Problemet e kamotshme me tekstet shkollore e kushtet joadekuate për mësim po vlerësohen si probleme serioze në mësimnxënie. Njohësit e rrethanave në arsimin e Kosovës për gjendjen kaotike në arsimin kosovar përgjegjësinë e adresojnë te MASHT-i, shkruan sot gazeta Zeri.

LEXO EDHE:  Gjendja kaotike në arsim, do të kemi suficit enorm të ngelaqëve në Kosovë

Njohësi i çështjeve të arsimit në vend, Dukagjin Pupovci, ka thënë për “Zërin” se problemi kryesor i sistemit të arsimit në vend është mungesa e përgjegjësisë dhe e llogaridhënies nga Ministria e Arsimit e nga shkollat.

Sipas tij, në sistemin tonë të arsimit nuk ka pothuajse asnjë mbështetje për mësimdhënie cilësore në formë të udhëzimit e të materialeve mësimore, të cilat kanë qenë edhe me gabime. “PISA jep informacion për gjendjen në fushën e arsimit, por jo edhe për shkaqet e kësaj gjendjeje. Suksesi i nxënësit në test është kombinacion i shumë faktorëve, duke filluar nga programi që zhvillohet në shkollë, tekstet mësimore, metodat e mësimdhënies, kushtet infrastrukturore e deri te gjendja sociale dhe mbështetja e familjes.

Unë mendoj se problemi kryesor i sistemit të arsimit në Kosovë është mungesa e përgjegjësisë dhe e llogaridhënies në të gjitha nivelet, duke filluar nga shkolla e deri te Ministria. Prej kësaj burojnë të gjitha”, ka thënë ai.

Edhe pse janë identifikuar problemet në fushën e arsimit, sipas Pupovcit, Kosova ka probleme me zbatimin e politikave për adresimin e këtyre problemeve. “Kosova ka probleme serioze me zbatimin e këtyre politikave. Për shembull, duhet të respektohen standardet për tekste shkollore, duke mos lejuar që në vitin 2019 të publikohen libra me gabime serioze, siç ka ndodhur para pak muajsh.

Pastaj duhet të depolitizohet punësimi i drejtorëve dhe i mësimdhënësve, me qëllim që të sigurohet cilësia, por edhe llogaridhënia në shkolla. Sigurisht që ka edhe gjëra të reja që dalin nga testi PISA, siç është niveli i ulët i shkathtësive të leximit, që pastaj ka efekt zinxhiror në të gjitha lëndët”. Ai më tutje ka përmendur edhe pagat e mësimdhënësve, me ç’rast ka thënë se rritja e pagave për të gjithë njësoj është demotivuese./ZERI.