Ministria e Financave: Deri në vendimin e Kushtetueses pagat dalin me rritje

Ministria e Financave: Deri në vendimin e Kushtetueses pagat dalin me rritje

Aktuale December 07, 2019 - 09:51
Detajet

Pak ditë pas hyrjes në fuqi Ligji për Paga në Sektorin Publik përfundoi në Gjykatën Kushtetuese. Institucioni i Avokatit të Popullit e dërgoi këtë ligj në Kushtetuese, prej së cilës ka kërkuar vlerësimin e përputhshmërisë së ligjit me Kushtetutën e vendit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Pas dërgimit të Ligjit për Paga në Gjykatën Kushtetuese është vënë në dyshim edhe dalja e pagave me rritje për zyrtarët publikë. Zyrtarë nga Ministria e Financave kanë sqaruar për “Zërin” se në bazë të Ligjit për Paga në Sektorin Publik, i cili hyri në fuqi më 1 dhjetor të këtij viti, pagat do të dalin me rritje deri në një vendim të Kushtetueses.

“Për zbatimin e Ligjit për Pagat janë bërë përgatitjet për të filluar implementimi i tij në muajin dhjetor. Mjetet financiare janë në buxhet, masa e pagave e buxhetuar është më se e mjaftueshme për mbulimin e kësaj kostoje financiare. Nëse Ligji për Pagat dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, atëherë deri në marrjen e vendimit nga kjo gjykatë ligji aktual është në fuqi dhe nuk e pengon implementimin e tij nga ana e Ministrisë së Financave”, ka thënë për “Zërin” Muharrem Shahini, zyrtar për informim në Ministrinë e Financave./ZËRI