EPIK: Viti 2020 mund të jetë më pozitiv për heqjen e vizave
Foto: Laura Hasani

EPIK: Viti 2020 mund të jetë më pozitiv për heqjen e vizave

Aktuale December 06, 2019 - 12:45
Detajet

Edhe 2019-a do të përmbyllet pa liberalizim të vizave. Kështu kanë deklaruar nga Ministria e Integrimit Evropian, të cilët theksojnë se aktualisht janë shuar gjasat që qytetarët të lëvizin lirshëm nëpër Evropë deri në fund të këtij viti. Njëjtë pohojnë edhe njohësit e çështjeve integruese, të cilët, pavarësisht deklarimeve, shtojnë se kanë mbetur edhe disa hapa për t’u plotësuar deri në liberalizi, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: As sivjet s’hiqen vizat

Drejtori ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Politikat Evropiane, Demush Shasha, ka deklaruar për “Zërin” se zhvillimi i fundit sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën ka ndodhur më 24 shtator 2019 me votimin për rinisjen e negociatave teknike për liberalizimin e vizave nga Parlamenti Evropian (LIBE). Pas këtij votimi, Shasha thotë se kanë mbetur edhe 6 hapa, që duhet të plotësohen deri te heqja e vizave. “Përfundimi i negociatave për plotësim-ndryshimin e Rregullores 539/2001 dhe dakordimi mbi një marrëveshje të përkohshme për ndryshimin e saj. Votimi për plotësim-ndryshimin e rregullores LIBE (Parlament) dhe aprovimi në COREPER (Këshill). Votimi për plotësim-ndryshimin e Rregullores në seancë plenare të Parlamentit. Votimi për plotësim-ndryshimin e Rregullores nga Këshilli i BE-së. Ceremonia e nënshkrimit nga Këshilli dhe Parlamenti. Hyrja në fuqi e Rregullores dhe lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Shasha.

Gjasat që kjo procedurë të konsumohet brenda këtij viti janë zero, sepse, siç përmend ai, në rastin e dy vendeve të fundit që kanë përfituar nga liberalizimi i vizave (Gjeorgjia dhe Ukraina) u është dashur 7-9 muaj për të konsumuar procedurën e lartcekur. “Rrjedhimisht i gjithë procesi do të shtyhet për vitin 2020. Gjatë vitit 2020 Presidenca e BE-së do të kalojë te dy vende mike të Kosovës: Kroacia dhe Gjermania. Prandaj ekziston mundësia që çështja e liberalizimit të vizave të përkrahet nga dy presidencat respektive dhe të këtë progres gjatë vitit 2020”, ka deklaruar ai.

Pavarësisht deklarimeve për përmbushjen e kritereve, Shasha thotë se Kosova ende nuk i ka plotësuar të gjitha kushtet. “Vende anëtare të BE-së në vazhdimësi kanë shfaqur bindjen e tyre se Kosova nuk i ka plotësuar kriteret, pavarësisht vlerësimit nga ana e Komisionit Evropian dhe e Parlamentit Evropian. Në këtë drejtim institucionet e Kosovës duhet sa më shpjet të formësohen, me shpresë se qeverisja e ardhshme do të këtë mazhorancën e bollshme parlamentare dhe vullnet politik për të avancuar proceset e ngecura integruese të vendit”, ka përfunduar ai. //ZERI