22 vjet nga vrasja e mësuesit Halit Geci e nga dalja publike e UÇK-së
Foto: Laura Hasani

22 vjet nga vrasja e mësuesit Halit Geci e nga dalja publike e UÇK-së

Aktuale November 28, 2019 - 08:16
Detajet
Image

Janë bërë 22 vjet që nga vrasja e mësuesit Halit Geci e nga dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dalja e UÇK-së në atë ditë thuhet se ishte orkestruar nga komandanti legjendar Adem Jashari, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: Minxhozi: Viti 2019, viti i frytshëm i bashkëpunimit Kosovë – Shqipëri

Atë ditë të ftohtë nëntori nuk i la vetëm shokët e tij dhe nuk i lëshoi nxënësit pa ua mësuar edhe një mësim të fundit. “Mësimi jepet edhe gjatë luftës”, thoshte mësuesi Halit Geci, i cili në ditën e mërkurë të 26 nëntorit të vitit 1997, e cila ishte edhe e fundit për të, po ua shpjegonte nxënësve se liria fitohej me gjak. Për shkak të sulmeve serbe, atë ditë Geci ishte detyruar t’i lëshonte më herët nxënësit nga mësimi e pasi i përcolli, nuk kishte marrë rrugë për në shtëpinë e tij. Mësuesi Halit së bashku me mësuesin Shaban Rrecaj kishin vendosur të ktheheshin dhe të qëndronin me drejtorin, i cili kishte mbetur i vetëm në shkollë. Aty mësuesi Shaban Rrecaj bashkë me mësuesin Halit u plagosën nga plumbi serb, i cili kishte qenë fatal për të.

Lajmi për vrasjen e mësuesit Geci atë mbrëmje të 26 nëntorit kishte marrë jehonë në gjithë vendin. Ai u varros me nderime të mëdha më 28 nëntor të vitit 1997, në Llaushë të Skenderajt. Në varrimin e tij, ku morën pjesë qindra-mija vetë, doli në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Dalja e saj publike po në atë ditë thuhej se kishte qenë vendim i komandantit legjendar Adem Jashari, i cili bashkë me shokë kishte qëndruar në male për t’i ruajtur ata në rast të sulmeve serbe.

Mëngjesi i fundit me fëmijët e tij

Më 26 tetor të vitit 1997 Lulëzimi dhe Valbona kishin ngrënë mëngjesin e fundit me babanë e tyre, mësuesin Halit Geci. “Ju po hani bukë e dikush po ha plumba”, u kishte thënë mësuesi Geci fëmijëve të tij, i cili kishte ndërprerë ushqimin posa kishte dëgjuar të shtëna me armë zjarri.

Lulëzim Geci ka rrëfyer për “Zërin” momentin e fundit kur ka folur me babanë e tij, të cilit nuk kishte mundur t’i qëndronte pranë as në momentet e fundit të jetës, për shkak të rrezikut nga forcat serbe. “Në mëngjes kemi qenë unë, babai dhe motra. Kemi kryer mëngjesin dhe kanë filluar të shtënat me armë zjarri nga pjesa e Rrezallës së Re. Si ka qenë duke ngrënë kafshatën e parë është ngritur nga buka dhe ka dalë jashtë. Ai ka hyrë brenda dhe ka thënë ju po hani bukë e dikush po ha plumba. Ai na ka thënë hani bukë e përgatituni. Unë atë ditë e kam pasur testin për patentë shoferi, ndërsa motra kishte për të shkuar në shkollë. Kur jam nisur për test e kam parë që te dera e shkollës babai ka qenë me disa kolegë dhe më ka përshëndetur me dorë. Pastaj unë kam vazhduar në drejtimin tim”, ka thënë ai.

Geci ka treguar se lajmin për plagosjen e babait të tij e kishte marrë nga një kushëri i tij e që më pastaj ai bashkë me xhaxhain e tij kishte shkuar në spitalin e Mitrovicës, ku ishte dërguar mësuesi Geci për trajtim. Për shkak se rrezikohej nga forcat serbe Lulëzim Geci ishte detyruar të kthehej në shtëpi, kurse në spital kishte qëndruar vetëm xhaxhai i tij. Në mbrëmje ai dhe familja e tij kishin kuptuar se mësuesi Halit Geci kishte ndërruar jetë.

Ilaz Geci kujton me mall shokun e tij

Me shumë mall edhe sot Ilaz Geci e kujton shokun e tij, mësuesin Halit Geci, me të cilin kishte punuar 30 vjet. Ilaz Geci ka rrëfyer se me mësuesin Halit kishin kryer bashkë shkollimin e më pastaj edhe kishin punuar bashkë si mësimdhënës. Ai ka thënë se pavarësisht kushteve të rënda, ata asnjëherë nuk kanë ndalur shkuarjen në shkollë sa ishin nxënës, edhe pse u është dashur në këmbë të shkonin nga Llausha në Mitrovicë. “Më shumë kemi bërë rrugë sesa gjumë”, është shprehur Geci.

Vetëm me një pjesë bukë e një gotë ujë me sheqer Ilaz Geci me shokun e tij Halit Geci atë botë kalonin ditën, vetëm e vetëm të mos ndërprisnin shkollimin, për shkak se kushtet ekonomike ishin të rënda.

Ilaz Geci po ashtu kishte qenë duke dhënë mësim me mësuesin Halit në ditën kur ky mbeti i vrarë, por që Geci shpëtoi pasi nuk ishte kthyer më në shkollë. “Kur kemi ardhur në shkollë u dëgjuan krismat, zhurmat e helikopterit. Nga ora 12:00 jemi marrë vesh me drejtorin e shkollës t’i lëshojmë nxënësit. Një pjesë e nxënësve në lagjen ‘Gecaj’, ‘Shatroll’, ‘Silanaj Lanaj’, ‘Zeranaj’, ‘Bimbash’ u morëm vesh që t’i përcillte mësuesi Halit bashkë me Shaban Rrecajn. Unë, Skender Rrecaj, Hamide Kajtazi, Flori Rreci e Muharrem Kodra kemi përcjellë nxënësit në lagjet ‘Rrecaj’, ‘Spahiaj’ e ‘Aliqkaj’. Kur kam hyrë në klasë i kam thënë mësuesit Halit që po i lëshojmë nxënësët. Ai kishte qenë duke e plotësuar ditarin, orët e fundit të mësuesit Halit. Ai atë ditë kishte shpjeguar një temë se liria fitohej me gjak”, ka thënë ai.

Ilaz Gecaj nuk e kishte ditur që mësuesi Halit atë ditë ishte kthyer prapë në shkollë, ku edhe gjeti vdekjen. “Atë ditë drejtori i shkollës ka mbetur në drejtori. Ne kemi shkuar dhe kur kemi mbërritur të xhamia aty kemi dëgjuar zhurmën e autoblindave. Ne jemi mbështetur te muri i një servisi. Aty kanë qenë tri autoblinda, por ne kemi shpëtuar. Britma e nxënësve ka qenë e trishtueshme. Ata kanë ikur nëpër ara. Kur janë larguar autoblindat ne kemi shkuar në shtëpi. Për t’i bërë shoqëri drejtorit të shkollës mësuesi Halit dhe Shaban Rrecaj janë kthyer në drejtori. Ne kemi menduar se të gjithë i kanë përcjellë nxënësit e viktima nuk ka pasur”, ka treguar ai.

Dalja e UÇK-së në skenë, mbrojtja e ushtarëve nga Adem Jashari

Në varrimin e mësuesit Halit Geci ushtarët e UÇK-së: Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi kishin dalë për herë të parë publikisht. Dalja e tyre publike po në atë ditë thuhet se ka qenë ide e komandantit Adem Jashari. Lulzim Geci ka thënë se Adem Jashari kishte vendosur të lërë gjurmë pikërisht në varrimin e babait të tij. E derisa UÇK-ja kishte dalë publikisht, mësuesi Ilaz Geci ka thënë se Adem Jashari me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së kishin qëndruar në male për t’i ruajtur ata në rast se kishte sulme nga policia serbe. Geci ka treguar se ai ishte zgjedhur ta udhëheqë ceremoninë e varrimit të shokut të tij të ngushtë, ku edhe i ishte marrë mikrofoni pasi Rexhep Selimi kishte lexuar një letër para gjithë të pranishmëve në varrimin e mësuesit Halit. “Adem Jashari bashkë me disa ushtarë kishin zënë pozicionet nëpër kodra, në rast se vjen policia serbe të jenë të gatshëm. Unë kam qenë duke ia dhënë fjalën Fatmir Sejdiut kur ka ardhur një veturë BMW e zezë, prej së cilës zbritën tre persona me uniforma. Ma kanë marrë mikrofonin nga dora dhe e kanë lexuar një letër të shkruar me dorë. E shpërfaqi se UÇK-ja do ta vazhdojë luftën deri në çlirimin e plotë të vendit tonë. Posa e ka kryer fjalimin Rexhep Selimi ata kanë shkuar. Tërë masa ka thërritur UÇK, UÇK”, është shprehur ai.

Përtërihet emri i mësuesit Halit

Pa vdekjes së mësuesit Halit shkolla, në të cilën ai ka dhënë mësim, e cila tashmë është e re, ka marrë emrin e tij, derisa për çdo përvjetor të vdekjes së tij mbahet dita e shkollës, në të cilën organizohen programe të ndryshme nga nxënësit e shkollës. Emri i mësuesit Halit po ashtu është ripërtërirë në familjen e tij, pasi Lulëzimi e ka emëruar djalin e tij, tanimë 15-vjeçar, i cili e mban atë emër me krenari. E profesionin e mësuesit Halit e ka vazhduar e bija e tij Valbona, e cila është mësuese, kurse djali i tij Lulëzimi, i cili atë botë kishte qenë pjesë e UÇK-së, tashmë është pjesë e Policisë së Kosovës. //ZERI