Minxhozi: Viti 2019, viti i frytshëm i bashkëpunimit Kosovë - Shqipëri
Foto: Laura Hasani

Minxhozi: Viti 2019, viti i frytshëm i bashkëpunimit Kosovë - Shqipëri

Aktuale November 28, 2019 - 08:11
Detajet
Image

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi, në një intervistë të dhënë për “Zërin” me rastin e 107-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë vlerësoi se viti që po lëmë pas ishte vit i marrëdhënieve të frytshme ekonomike mes Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas Minxhozit, duke e krahasuar me vitet tjera, shuma e mallrave të shkëmbyera mes të dyja vendeve kap shifrën e 270 milionë eurove, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe:  Kullat e rezistencës në luftë, rrezikojnë të shemben në liri

Ndonëse viti 2019 shënoi një ngritje të frytshme të shkëmbimeve tregtare midis Shqipërisë dhe Kosovës, të dyja vendet në të ardhmen duhet të fokusohen më shumë në eliminimin e barrierave për njëra-tjetrën, si dhe t’i bashkëdyzojnë forcat me qëllim që të thellohet edhe më tej bashkëpunimi në të gjitha fushat. Kështu deklaroi në një intervistë për “Zërin” ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi, i cili bëri të ditur se deri në fund të vitit 2019 shuma e mallrave të shkëmbyera mes të dyja vendeve pritet të kapë shifrën prej 270 milionë eurove. Ambasadori Minxhozi, teksa foli për 50 marrëveshjet e arritura ndër vite midis Kosovës dhe Shqipërisë, theksoi se një pjesë e tyre janë duke u zbatuar, mirëpo barrierat që hasen shpesh gjatë implementimit nuk kanë qenë të kalueshme kurdoherë. Minxhozi po ashtu me rastin e 107-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë uroi të gjithë shqiptarët anembanë botës të kenë prosperitet, qetësi, dashuri dhe jetë të gjatë.

Vlera e mallrave të shkëmbyera Kosovë - Shqipëri arrin shifrën e 270 milionë eurove

Zëri: Z. Minxhozi, Shqipëria po shënon 107-vjetorin e Pavarësisë. Ku gjendet aktualisht vendi dhe sa është shënuar progres gjatë këtij viti?

Minxhozi: Shqipëria është një shtet mbishekullor, kemi ecur përpara në drejtim të zhvillimit të vendit në tërësi. Kurse sa u përket marrëdhënieve me Kosovën sivjet kemi pasur vitin më të mirë ekonomik, vitin e një bashkëpunimi të frytshëm. Pritet edhe 40 ditë për t’u mbyllur viti dhe mendohet që do të kemi një rritje të këmbimit tregtar mbi 15%, duke e krahasuar me vitin e kaluar. Pra janë shkëmbyer mallra më tepër dhe janë rritur eksportet e ndërsjella për njëra-tjetrën. Kosova është një treg i rëndësishëm për Shqipërinë, kurse për Kosovën tregu i Shqipërisë ka ofruar më tepër oportunitete. Kosova në përqindje eksporton më tepër në Shqipëri sesa eksporton në Maqedoni, në Mal të zi ose edhe në Serbi. Prandaj është tepër e rëndësishme që ne ta thellojmë këtë bashkëpunim. Mbledhjet e dy qeverive që janë bërë, pavarësisht nga vërejtjet të cilat janë të drejta në një masë, prapëseprapë kanë dhënë mundësi për të parë ku janë defektet dhe kanë ofruar mundësinë se si të riparohen ato. Me qeverinë e re ne do të jemi edhe më ambiciozë për të bërë programe edhe më afatgjata, jo thjesht në baza vjetore, por edhe më gjatë për të bërë projekte të përbashkëta, për të parë mundësinë e krijimit të kompanive të përbashkëta në sektorët jetikë të ekonomisë e kështu me radhë.

Zëri: Autoritetet kosovare dhe ato të Shqipërisë përgjatë viteve të fundit kanë nënshkruar mbi 50 marrëveshje, të cilat kanë mbetur vetëm në letër. Pse sipas jush kjo zvarritje e autoriteteve të të dyja vendeve për t’i zbatuar këto marrëveshje?

Minxhozi: Nuk mund të themi që këto kanë ngelur në letër, por një pjesë e tyre nuk kanë gjetur zbatim dhe zbatimin nuk e kanë gjetur sepse përveç vullnetit politik kërkohet të merren masa më të thella për të parë politikat e zbatimit të këtyre vendimeve që janë, sepse as nuk diskutohet që të dyja qeveritë janë shprehur për vazhdimin e një bashkëpunimi, për vazhdimin e një kooperimi më të mirë, por barrierat që hasen nuk kanë qenë të kalueshme kurdoherë. Prandaj ka pasur marrëveshje që kanë mbetur në letër, por nuk mund të themi që kanë ngelur aty, sepse ne brenda 5 vjetëve kemi dyfishuar eksportin midis Shqipërisë dhe Kosovës, prandaj ne duhet të bëjmë më të mirën që këto të jenë edhe më efikase. Nuk mund të themi që ato kanë mbetur në letër, sepse ne sot shkëmbejmë, deri në fund të vitit shuma do të arrijë në 260 ose 270 milionë euro, nga 100 sa kanë qenë para 5 vjetëve, prandaj hapat janë për t’u marrë në konsideratë.

 Porti i Durrësit, port i gjithë shqiptarëve

Zëri: Si po funksionon porti i Durrësit për Kosovën dhe çfarë ndodhi me projektin e portit të Shëngjinit?

Minxhozi: Në portin e Durrësit në fillim të këtij viti ka filluar funksionimi i doganës kosovare, që do të thotë mallrat që vijnë në destinacion nëpërmjet portit të Durrësit për në Kosovë kontrollohen nga dogana kosovare. Kjo ka zbutur kohën e pritjes së punimit të makinerive për në Kosovë. Bëj me dije se rreth 70% e mallrave që hyjnë në Kosovë nga jashtë vijnë nga porti i Durrësit dhe ky port është një pikë, në të cilën ne duhet të punojmë sa më tepër, në mënyrë që porti të bëhet sa më efikas. Teoria e portit të Shëngjinit e disa viteve më parë ka rënë sepse ne kemi një port më të madh tani dhe porti i Shëngjinit nuk është një port i përpunimit të mallrave të mëdha, sepse hapësira është shumë e vogël dhe ne jemi munduar që porti në Durrës t’i plotësojë nevojat e Kosovës dhe më gjerë. Për këtë po punohet për ta modernizuar edhe më tej atë dhe po shikohet mundësia që përveç portit të ketë edhe një seksion të veçantë për përpunimin e mallrave enkas për Kosovën, që të ecim një hap edhe më përpara në këtë drejtim. Është shumë e rëndësishme që kjo pjesë e këtij porti të jetë edhe më efikase. Pra ne nuk mund ta quajmë portin e Durrësit thjesht port të Shqipërisë, por edhe port të shqiptarëve.


 Bashkimi kombëtar, përtej folklorizmit patriotik

Zëri: Së fundmi u mbajtën zgjedhjet nacionale në Kosovë, ku fituese e zgjedhjeve doli një parti opozitare, e cila e ka mbështetur vazhdimisht bashkimin kombëtar. Sa besoni se kjo çështje do të vazhdojë të jetë prioritet i Vetëvendosjes dhe i Albin Kurtit nëse vjen në krye të Qeverisë?

Minxhozi: Unë bashkimin kombëtar e shikoj në një plan tjetër. Bashkimi kombëtar është për të gjitha këto që i përmendëm ne deri më tash. Që ne ta bashkojmë ekonominë, t'i heqim barrierat midis nesh, të zhvillojmë projekte e të ecim përpara, ky është bashkim kombëtar. Bashkim kombëtar në letër, të flasin me patriotizma dhe nuk çojnë përpara zhvillimin ekonomik si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, kjo është një mangësi shumë e madhe. Bashkim kombëtar do të thotë që më të mos ketë barriera, që një mall të shkojë nga Gjilani në Sarandë pa pengesa doganore, pa burokraci shtetërore, prandaj ne duhet ta zhdukim këtë diferencë, që ekziston midis nesh me shumë punë, ndryshim ligjesh, amendamente, me projekte e me gjithçka tjetër. Pra edhe z. Kurti për këtë është shprehur dhe kohëve të fundit ka thënë se ne duhet të synojmë të kemi një bashkim forcash për ta rritur ekonominë, për ta rritur zhvillimin, sepse kjo është shumë e rëndësishme, sepse ne akoma nuk po i shfrytëzojmë ato resurse, të cilat i kemi midis nesh.

Zëri: Cilat sipas juve do të duhej të ishin prioritetet më të rëndësishme në rrafshin mbarëkombëtar, që do të çonin më përpara çështjen kombëtare shqiptare në rajon e më gjerë?

Minxhozi: Ekonomia, ekonomia, ekonomia!

Zëri: Cili është urimi juaj për shqiptarët me rastin e Festës së Pavarësisë?

Minxhozi: Unë uroj gjitha të mirat për çdo shqiptar kudo që ndodhet, jo vetëm brenda trojeve shqiptare, por kudo që jetojnë, në Amerikë, në Kanada, në Zvicër, në Itali ose kudo tjetër, ua uroj më të mirat, u uroj prosperitet, qetësi, dashuri dhe jetë të gjatë! //ZERI