Nga nesër protestohet për rritjen e tarifave për sigurimin e automjeteve
Foto: Laura Hasani

Nga nesër protestohet për rritjen e tarifave për sigurimin e automjeteve

Aktuale November 21, 2019 - 07:49
Detajet
Image

Gjatë ditëve në vijim janë paralajmëruar protesta në lidhje me vendimin e marrë nga Banka Qendrore e Kosovës për rritjen mbi 26 për qind të tarifave për sigurimin e automjeteve. Ekspertë të çështjeve të ekonomisë në vend kanë vlerësuar se ky vendim do t’i dëmtoj qytetarët, dhe se prokuroria duhet të bëjë hetime se si është marrë një vendim i tillë, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: 365 ditë nga taksa 100 për qind, paralajmërohet reciprocitet ndaj Serbisë

Banka Qendrore e Kosovës së fundmi ka marrë vendim që të rrisë mbi 26 për qind tarifat për sigurimin e automjeteve në vend.

Një vendim i tillë thuhet se ishte marrë fshehtas, por që ishte bërë publike nga mediat.

Për këtë vendim, ditën e nesërme anëtarët e grupit “Merakli të kerreve” do të mbajnë edhe një protestë paqësore në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë.

Po ashtu edhe anëtarët e grupit “Speedomaniaks” të shtunën do të protestojnë për të kundërshtuar vendimin e marrë nga Banka Qendrore.

“Zëri” gjatë ditës së djeshme i është drejtuar edhe BQK-së për të marr një qëndrim në lidhje me tarifën për sigurimin e automjeteve, por që nga kjo e fundit është thënë se për këtë çështje, sot do të mbahet një konferencë për media.

Ekspertë të çështjeve ekonomike në vend kanë vlerësuar se prokuroria duhet të fillojë hetimet në lidhje me mënyrën se si është marrë ky vendim.

Ata kanë thënë, se me rritjen e tarifave, Banka Qendrore e Kosovës është duke favorizuar bankat e kompanitë e sigurimeve, derisa është duke i dëmtuar qytetarët.

Sipas një dokumenti të bërë publikë në media ditë më parë, me rritjen e tarifave për automjetet prej 0 deri në 750 centimetër kubik që aktualisht paguhet 59 euro, çmimi do të rritet deri në 74.71 euro, ndërsa për automjetet mbi 2701 centimetër kubik, që aktualisht paguhet 247.80 euro, çmimi i ri do të jetë, 313.78 euro.

“Mbi 5 mijë qytetarë protestojnë të premten”

Vendimin e BQK-së, anëtarët e grupit “Marakli të kerreve” kanë vendosur që ta kundërshtojnë me protesta, të cilat thuhet se nuk do të ndalen derisa të kthehet vendimi i vjetër për tarifat e sigurimit të automjeteve.

Anëtari i këtij grupi, Hajdar Hoxha ka thënë për “Zërin” se kanë marrë mbështetjen e rreth 5 mijë anëtarëve të këtij grupi për protestë, përderisa ai ka ftuar edhe qytetarët tjerë tu bashkëngjiten.

“Janë diku 5 mijë anëtarë që janë të interesuar të marrin pjesë, por kjo nuk do të thotë se nuk kemi mbështetje edhe prej qytetarëve të cilët nuk janë të grupit merakli të kerreve. Kërkesa jonë është shumë e thjeshtë, që të kthehet vendimi i vjetër i cili ka qenë dhe të mos nxjerrët një vendim i ri, apo ky vendim që është marrë tani për rritje 26 për qind sepse është e tepërt”, ka thënë ai.

Hoxha ka bërë të ditur se do të vazhdojnë me protesta deri sa të kthehet vendimi i vjetër për tarifa.

“Kjo është vetëm protesta e parë e cila është një orëshe dhe do të jetë paqësore, por nuk do të thotë që kjo do të jetë protesta e fundit. Ne do të vazhdojmë me protesta deri në kthimin e vendimit të vjetër. Do të protestojmë në qoftë nevoja çdo ditë, vetëm që të kthehet vendimi i vjetër ose do të qëndrojmë para BQK-së me tenda deri të kthehet vendimi i vjetër i cili ka qenë”, ka shtuar ai.

“BQK po favorizon kompanitë e sigurimeve, prokuroria të nis hetimet”

Për vendimin e marrë nga BQK-ja, është kërkuar edhe fillimi i hetimeve nga Prokuroria e shtetit.

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Naim Gashi ka thënë për “Zërin” se edhe Kuvendi i ri i Kosovës duhet të themelojë një Komision hetimor për punën e BQK-së.

“Unë mendoj që Prokuroria e Kosovës duhet të fillojë menjëherë hetimet se si erdhi deri te ky vendim, ndërsa Kuvendi i ri i Kosovës duhet të themelojë një Komision hetimor për punën e BQK-së në raport me bankat komerciale dhe kompanitë e sigurimeve”, ka thënë ai.

Gashi ka thënë tutje se për marrjen e një vendimi të tillë, BQK-ja nuk ka pasur edhe konsultime me publikun, derisa sicc ka thënë ai, nga ky vendim do të përfitojnë oligarkët e Kosovës.

“Nga ky vendim përfitojnë oligarkët e Kosovës, të cilët janë të lidhur drejtpërdrejt me liderët politikë dhe familjarët e tyre. Për marrjen e këtij vendimi, BQK nuk ka pasur transparencë dhe asnjë konsultim me publikun, madje ishin mediat ato që zbuluan skenarin për rritjen e sigurimit të automjeteve. Autoriteti i Konkurrencës si institucion kompetent ka thënë se nuk është konsultuar asnjëherë nga BQK për marrjen e këtij vendimi skandaloz”, ka theksuar ai.

Aksidentet po ngarkojnë materialisht kompanitë e sigurimeve

Ditë më parë është raportuar se Shoqata e Sigurimeve të Kosovës ka kërkuar që tarifat për sigurim të detyrueshëm të automjeteve të jenë 36 për qind më të shtrenjta.

Sipas kësaj shoqate, rritja e tarifave është e domosdoshme për shkak të kolapsit e industrisë të sigurimeve që ndërlidhet me numrin e madh të aksidenteve në komunikacion.

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Musa Limani ka thënë për “Zërin” se edhe pse aksidentet kanë ngarkuar anën materiale të kompanive të sigurimeve, ato nuk duhet të mbulohen me tarifat për sigurimin e automjeteve.

Sipas tij, për këtë çështje kompanitë e sigurimeve duhet të diskutojnë me zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme në mënyrë që të merren masat adekuate për ndalimin e aksidenteve në trafik.

“Normalisht, se aksidentet e kanë ngarkuar anën materiale të kompanive të sigurimit, por kjo nuk do të thotë se ato duhet të mbulohen me rritjen e tarifave për sigurimin e automjeteve. Ata, janë të obligueshëm t'i përgjigjen obligimeve të tyre, sipas kontratave për sigurime”, ka thënë ai.

Limani ka thënë më tej se nëse merret vendimi për rritjen e tarifës atëherë një gjë e tillë do të bie ndesh me parimin ekonomiko-social të politikës fiskale.

“Kjo me fjalë të tjera do të thotë se qytetarët e Kosovës ngarkohen me taksa, përkatësisht në rastin konkret me tarifën e sigurimeve të automjeteve, me tepër se që është mundësia materiale e tyre”, ka shtuar ai.

KLMDNJ: Po zhvatet buxheti i qytetarëve

Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut e ka kundërshtuar rritjen e taksës për sigurim të automjeteve. Nga ky Këshill është thënë se Banka Qendrore e Kosovës vend që ta luaj rolin e rregullatorit të kompanive të sigurimeve po bëhet pjesë e zhvatjes aktive të buxhetit të qytetarëve.

“Në shumë vende të botës nëse i keni dy vetura dhe të cilat nuk i përdorni çdo ditë, me një palë tabela mund të ngasni veturat duke i zhvendosur sipas nevojës, nga njëra veturë në tjetrën. Rritja e paralajmëruar e tarifave nga kompanitë e sigurimeve, me pëlqimin diskriminues të BQK-së vetëm sa do ta rris numrin prej 100 mijë automjeteve të pasiguruara dhe të paregjistruara”, është thënë në reagimin e tyre. //ZERI