365 ditë nga taksa 100 për qind, paralajmërohet reciprocitet ndaj Serbisë
Foto: Laura Hasani

365 ditë nga taksa 100 për qind, paralajmërohet reciprocitet ndaj Serbisë

Aktuale November 21, 2019 - 07:44
Detajet
Image

Janë bërë 12 muaj prej se Qeveria e Kosovës pati marrë vendim për vënien e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake. Tash kur ka kaluar një vit nga ky vendim, zyrtarët e dy subjekteve më të mëdha të dala nga zgjedhjet, LVV-së dhe LDK-së, po paralajmërojnë vendosjen e reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë, në momentin që vijnë në krye të Qeverisë së Republikës së Kosovës, shkruan sot gazeta Zëri.

është bërë një vit i plotë prej kur Qeveria e Kosovës pati marrë vendim për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Menjëherë pas vendimit të 21 nëntorit të vitit 2018 pati nisur presioni ndërkombëtar për heqjen e kësaj tarife. Si rrjedhojë e masës 100 për qind u ndërpre edhe dialogu Kosovë-Serbi. Pala serbe disa herë radhazi tha se nuk pranon të ulet në tryezën e bisedimeve për aq kohë sa nuk largohet taksa. Si pasojë e kësaj, takimi i fundit në kuadër të fazës finale të negociatave mes dy vendeve u zhvillua më 9 nëntor të vitit të kaluar. Përkundër këtyre tarifa në fjalë vazhdon të mbetet në fuqi edhe më tej. Ndonëse kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, në vazhdimësi ka thënë se kjo masë nuk largohet deri në ofrimin e një garancioni për njohjen e Kosovës nga Serbia, LVV dhe LDK, të cilat janë duke biseduar për arritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje, kanë paralajmëruar se në momentin që vijnë në pushtet taksën do ta zëvendësojnë me masën e reciprocitetit.

Për një vit, vetëm gjashtë milionë euro import nga Serbia dhe Bosnja

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, ka bërë të ditur se produktet që janë importuar nga Serbia e Bosnja përgjatë një viti, prej kur është vendosur taksa deri tash, kapin vlerën prej 6 milionë eurosh. Me këtë rast, Berisha ka njoftuar se për kohën e njëjtë të vitit të paraprak importi nga këto dy shtete ka kapur shifrën prej 520 milionë euro.

“Krejt importi që kemi pasur gjatë kësaj periudhe është rreth 6 milionë euro nga këto dy vende. Ndërkaq, para vendosjes së taksës kemi pasur 520 milionë euro nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina”, ka deklaruar ai për rel-in.

Rrjedhimisht Berisha ka thënë se këtë vit ka pasur 99 për qind më pak vlerë të importit nga dy shtetet të cilave iu është vendosur taksa 100 për qind nga Kosova.

“Ne kemi pasur rreth 450 milionë euro vlerë të importit të produkteve nga Serbia dhe 85 milionë nga Bosnjë e Hercegovina. Tashmë po bëhet një vit nga vendosja e masës mbrojtëse ndaj këtyre vendeve dhe gjatë kësaj periudhe njëvjeçare ne kemi pasur rreth 99 për qind vlerë të importit më pak nga këto dy vende”, ka potencuar ai.

Efektet e taksës 100 për qind

Gjersa ka folur rreth taksës së vendosur ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), ka thënë se vendimet e shteteve që e kanë nënshkruar marrëveshjen e CEFTA-s, për vendosjen e barrierave tarifore, më shumë sjellin pasoja negative sesa përfitime.

“Qëndrimi i Odës Ekonomike Amerikane sa i përket tarifës dhe çfarëdo barriere tarifore ose jotarifore (që vendet të cilat janë nënshkruese të marrëveshjes CEFTA, përfshirë këtu edhe Kosovën, i vendosin njëra-tjetrës), është që këto barriera janë problematike dhe pavarësisht qëllimeve politike për të cilat ato vendosen, në aspektin ekonomik pasojat janë më tepër të dëmshme sesa që sjellin ndonjë përfitim”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Megjithëkëtë Zeka ka thënë se në rastin e taksës së vendosur ndaj Serbisë e Bosnjës mund të flitet edhe për disa përfitime. Por, sipas tij me një veprim të tillë janë rritur edhe çmimet për disa produkte elementare në Kosovë.

i përcjellim çmimet e produkteve të ndryshme në treg, atëherë shohim që ka pasur një rritje të çmimeve të produkteve esenciale dhe kjo është e natyrshme për shkak se një pjesë e madhe e produkteve të importuara nga Serbia janë zëvendësuar me të atilla të ardhura nga shtetet e tjera, përfshirë edhe shtetet anëtare të BE-së”, ka shtuar ai.

Sidoqoftë Zeka ka thënë se, në rastin në fjalë, rritja e çmimeve është e kuptueshme.

“Nëse mblidhet këtu edhe kostoja e këtyre produkteve, përfshirë edhe koston e transportit të përcjelljes së këtyre produkteve në Kosovë, atëherë natyrisht që është e kuptueshme dhe e natyrshme edhe një rritje e tillë e çmimeve”, ka potencuar ai.

LVV-LDK paralajmërojnë reciprocitet të plotë ndaj Serbisë

Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka bërë të ditur se me ardhjen në pushtet do ta vendosë masën e reciprocitetit me Serbinë. Rrjedhimisht, taksa siç kanë thënë nga LVV, do të zëvendësohet me reciprocitet të plotë ndaj Serbisë. Këtë qëndrim, siç janë shprehur zyrtarët e këtij subjekti, Vetëvendosje e ka pasur edhe para vënies së tarifës.

“Ne edhe para vendosjes së taksës kemi qenë për një reciprocitet të plotë ekonomik, politik, tregtar, sepse ajo është më e drejtë. Përkundër faktit që shumë marrëveshje janë bërë mes dy palëve, Serbia deri tani nuk e ka respektuar pothuajse asnjërën, ndërsa në vazhdimësi është prononcuar kundër shtetësisë së Kosovës”, ka deklaruar nënkryetarja e LVV-së Fatmire Kollçaku.

Edhe LDK-ja, partia e dytë e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, ndan mendimin e njëjtë me LVV-në sa i përket taksës dhe reciprocitetit. Sipas zyrtarëve të këtij subjekti, tarifa e vendosur ndaj produkteve serbe duhet të zëvendësohet me reciprocitet.

“Për këtë çështje liderët e të dyja partive që do ta formojnë qeverinë do të arrijnë një unitet. Kjo taksë me Serbinë duhet të përfundojë me reciprocitet edhe në sferën ekonomike, edhe në sferën politike dhe në të gjitha sferat shoqërore. Reciprociteti është zgjidhja që do të ofrohet karshi Serbisë”, ka deklaruar kandidati për deputet nga LDK, Haxhi Avdyli, i cili sipas rezultateve të deritanishme ka siguruar ulësen në Kuvendin e Kosovës.

Reciprociteti ndaj Serbisë sipas Avdylit është përgjigjja më e mirë që mund t’i jepet një shteti i cili është i orientuar negativisht ndaj Kosovës.

Në anën tjetër, Kryetari i Këshillit Kombëtar i Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ka konsideruar se taksa ndaj Serbisë duhet të largohet vetëm atëherë kur përfundimisht do të ndalet agresiviteti i Serbisë në drejtim të Kosovës.

“Faji i politikës shqiptare nuk është vendosja e taksës, por vonesa e politikës sonë lakmitare për grabitje e jo për ndërtim të shtetit të së drejtës. Taksa duhet të hiqet vetëm pasi të ndërpritet çdo agresivitet i Beogradit”, ka theksuar ai për “Zërin”.

Vendimi i marrë para një viti për vënien e tarifës, sipas Krasniqit, ishte i domosdoshëm.

“Ata duhet ta dinë se, as rruga e luftës që zgjodhëm dje e as taksa e re që u vendos para një viti, nuk ishin zgjedhje të dëshirueshme, ishin çështje të domosdoshme që na i pat imponuar Serbia e politikës së gjenocidit”, është shprehur Krasniqi.//ZER