Maliqi: Rrezik nga dialogu pa vija të kuqe
Foto: Laura Hasani

Maliqi: Rrezik nga dialogu pa vija të kuqe

Aktuale November 06, 2019 - 07:41
Detajet
Image

Cilido qoftë skenari, mbi të cilin do të zhvillohen bisedimet Kosovë - Serbi, ekziston rreziku real që ideja e korrigjimit të kufijve të rikthehet në tavolinën e diskutimeve. Kështu ka deklaruar në një intervistë për “Zërin” publicisti Shkelzen Maliqi, i cili vlerëson se çështja e Kosovës mund të bëhet pjesë e pazareve të superfuqive botërore, e Rusisë dhe e Amerikës, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: Studentët ia zunë derën MASHT-it, s’ka marrëveshje për bursat studentore

Deklaratat e qarqeve diplomatike se dialogu Kosovë – Serbi nuk ka vija të kuqe dhe se çfarëdo marrëveshje për të cilën dakordohen të dyja palët është e pranueshme, janë sinjale të qarta se në tryezën e diskutimeve mund të rikthehet ideja e korrigjimit të kufijve në kuadër të marrëveshjes finale mes dy vendeve. Kështu ka deklaruar në një intervistë për “Zërin” publicisti, njohësi i çështjeve politike Shkëlzen Maliqi, i cili një skenar të tillë e sheh si opsion tejet real. “Një opsion i tillë mund ta kthejë sërish në tavolinë çështjen e korrigjimit të kufijve si një opsion pragmatik, i cili i përshtatet asaj që edhe sot e thonë disa qarqe diplomatike se dialogu Kosovë - Serbi nuk ka vija të kuqe dhe se për ta është e pranueshme çdo marrëveshje, të cilën e arrijnë të dyja palët”, ka thënë Maliqi.

Po ashtu sipas tij, Kosova mund të bëhet edhe pjesë e pazareve të superfuqive botërore, si Amerika e Rusia, njësoj siç ka ndodhur me rastin e Sirisë. Ndërkohë Maliqi mes tjerash ka folur edhe për detyrat që e presin qeverinë e re, si dhe për mundësinë e arritjes së një koalicioni mes LDK-së e LVV-së, parti të cilat duhet të gjejnë kompromis, pavarësisht dallimeve ideologjiko-historike të tyre.

 Koalicioni LVV - LDK i paalternativë, palët të bëjnë kompromise

Zëri: Është bërë pothuajse një muaj prejse janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë, derisa ende nuk është certifikuar rezultati final. Sipas jush, pse po shkaktohen zvarritje të tilla dhe sa e dëmtojnë këto vonesa procesin në përgjithësi?

Maliqi: Është bërë pothuajse rregull që vetë procesi i votimit të zhvillohet pa probleme, por vonon tepër shumë certifikimi final i rezultatit. Edhe më herët është vërejtur se numërimi i votave për kandidatë po merr shumë kohë dhe ka parregullsi, sepse këto numërime KQZ-ja ua lë komisionarëve të subjekteve politike dhe aty pastaj po dalin probleme si p.sh. disa kandidatë kanë më shumë vota sesa i ka partia. Bëhet fjalë për garë të pandershme brenda subjekteve politike. Ky lloj i numërimit duhet të ndryshojë. Votat për deputetë duhet të numërohen me komplet komisionet ose numërues neutral. Opsion është edhe futja e votimit elektronik. Këtë herë ka pasur edhe probleme të tjera me votat e ardhura nga diaspora me vonesë, me votat nga Serbia, të cilat janë sjellë duke shkelur procedurat etj. Është mëkat pse po ndodhin këto vonesa të panevojshme që dëmtojnë tërë procesin e që tash mund të çojnë në konteste më afatgjatë, pasi koalicioni Nisma – AKR - PD ka mbetur në limbo (harresë), nuk dihet ende a e ka kaluar pragun, çka varet nga llogaritja e votave kontestuese të ardhura nga Serbia.

Zëri: Nga zgjedhjet e 6 tetorit në bazë të rezultateve të deritanishme kemi parë se partia fituese ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa e dyta LDK-ja. Sa e shihni të mundur një bashkëpunim mes këtyre dy partive?

Maliqi: Vetë këto subjekte kanë bashkëpunuar mirë kur kanë qenë në opozitë, po ashtu kanë qenë relativisht afër formimit të koalicionit parazgjedhor e edhe pas zgjedhjeve kanë filluar konsultat e rregullta për krijimin e Qeverisë. Për më shumë, pritjet janë që koalicioni LVV - LDK të realizohet edhe për një arsye tjetër, sepse praktikisht edhe nuk ka alternativë tjetër më të qëndrueshme. Teorikisht është e mundshme që pjesë e koalicionit të jetë Partia Demokratike qoftë me LVV-në, qoftë me LDK-në, por dihet se dy partitë e para kanë qëndrim përjashtues për PDK-në. Për LVV-në është sfidë rritja e saj dhe transformimi në fuqi shoqërore progresiste, siç pretendon, kurse LDK-ja dëshiron që edhe një herë të afirmohet si parti institucionaliste, duke i kryer shumë punë që janë neglizhuar ose kanë mbetur përgjysmë të realizuara.


Zëri: Duke u nisur nga dallimet ideologjiko-historike që këto dy parti ndajnë, sa besoni se do të ishte e suksesshme një qeverisje e këtyre partive, të cilat në mandatin e kaluar ishin në opozitë?

Maliqi: Këto dy subjekte e kanë fituar mandatin e pastër me 2/3 e votave shqiptare dhe mbi gjysmën e votave të përgjithshme që ta udhëheqin vendin. Në çështjet ku kanë dallime të mëdha do të mundë të kenë konteste në parim bllokuese, por mund të bëhen kompromiset. P.sh. te modeli i privatizimit ose te projektet privato-publike sigurisht se do të ketë mospajtime, por koalicioni mund të jetë faktor ndihmues që të përcaktohen më qartë modelet e kooperimit, ku nuk do të dëmtohej as interesi publik e as ai privat. Shpesh është krijuar perceptimi se investimet privato-publike janë perde mashtruese për keqpërdorimin e pronës publike, kurse bashkëpunimi LVV - LDK mund të krijojë modele që evitojnë keqpërdorimet, duke vendosur matës të llogaritshëm të respektimit të interesave. Të paktën të dyja palët do ta bëjnë avokatin e njërit, përkatësisht të tjetrit interes.


 Kurti është dashur që planit për mjekët me dy punë t’ia vërë edhe pikëpyetje

Zëri: Ndërkohë kemi dëgjuar disa deklarime publike të zyrtarëve të LDK-së kundrejt Vetëvendosjes. Si ju duken këto dhe sa e rrezikojnë marrëveshjen në mes tyre?
 

Maliqi: Unë e kam përshtypjen se edhe nga ana e Vetëvendosjes ka pasur nxitime e premtime që nuk duhet të bëhen në këtë fazë kur nuk ekziston marrëveshja për programin e qeverisë në ardhje. Mendoj në paraqitjet e Albin Kurtit me deklarata thuajse tashmë është zgjedhur për kryeministër nuk kanë qenë të nevojshme, të paktën në formën si po e bën ai. P.sh. ai u zotua para disa ditësh se si kryeministër nuk do t’u lejohet më mjekëve të punojnë në spitalet publike dhe njëkohësisht edhe në ato private. Të paktën është dashur ta thotë me pikëpyetje, se do të shqyrtohet dhe do të rregullohet kjo problematikë.


Dialogu – pikë konfrontimi mes LDK-së dhe LVV-së

Zëri: Cila besoni se duhet të jetë qasja e qeverisë së re kundrejt dialogut?
 

Maliqi: Kjo është edhe një çështje delikate, në të cilën dy subjektet nuk kanë pasur pajtime ose edhe janë konfrontuar ashpër, sepse LVV-ja ka qenë kundër dialogut, kurse LDK-ja me PDK-në kanë qenë bartëse dhe nënshkruese të Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Edhe te kjo pikë Albin Kurti ka folur sikur kryetar i Lëvizjes dhe jo si kryeministër, i cili mund të propozojë politika të caktuara, por jo t’i mohojë marrëveshjet e arritura, të cilat i kanë ratifikuar institucionet tona. Dialogu duhet të vazhdojë, në të vërtetë ato do të duhej të ishin tani negociata për marrëveshjen finale politike. SHBA-ja ka caktuar dy emisarë për t’u marrë me këtë çështje, çka është dëshmi e mosbesimit ndaj BE-së se ajo mund t’ia lidhë kryet kësaj çështjeje. Mendoj se edhe te kjo LDK-ja mund të kontribuojë në zbutjen e radikalizmit të LVV-së, por as LDK-ja nuk mund të gjejë ndihmë te LVV-ja për refuzimin e kompromiseve dëmtuese që propozojnë ndërkombëtarët.

 Kosova mund të bëhet pjesë e pazareve të Rusisë e të Amerikës

Zëri: Sa besoni se është shuar ideja për shkëmbim të territoreve dhe cilët janë skenarët e mundshëm për Kosovën në kuadër të marrëveshjes finale me Serbinë?

Maliqi: Për skenarët është vështirë të flitet, nuk kanë mbetur më shumë opsione që do t’i kënaqnin të dyja palët. Pasi dihet se BE-ja mbeti relativisht e përçarë dhe rreth zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ofron më asgjë të qëndrueshme, nuk dihet se si mund të bindet Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës pa ndonjë kundërofertë. Tani që Franca dhe disa shtete të tjera të BE-së ia mbyllën derën hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe të Maqedonisë Veriore, është dërguar sinjali negativ edhe për vendet e tjera të Ballkanit, duke përfshirë edhe Serbinë, e cila edhe pse po i zhvillon negociatat nuk e di më as përafërsisht datën e anëtarësimit. Në këtë kontekst nuk funksionon më as kushtëzimi i anëtarësimit me njohjen e Kosovës. As Kosovës nuk i konvenon një skenar i tillë dhe kjo mund ta kthejë sërish në tavolinë çështjen e korrigjimit të kufijve si një opsion pragmatik, i cili i përshtatet asaj që edhe sot e thonë disa qarqe diplomatike se dialogu Kosovë - Serbi nuk ka vija të kuqe dhe se për ta është e pranueshme çdo marrëveshje, të cilën e arrijnë dy palët. Janë të mundshme edhe pazaret mes superfuqive, p.sh. që Trumpi e Putini të dakordohen rreth Kosovës e rreth Krimesë. Po ringjallen mekanizmat e marrëveshjeve direkte mes fuqive të mëdha si me rastin e Sirisë.


 Pezullimi i taksës - çelësi që zhbllokon dialogun

Zëri: Cili duhet të jetë epilogu i taksës 100% ndaj produkteve serbe e boshnjake dhe a besoni se me heqjen e saj do të zhbllokohej dialogu?

Maliqi: Edhe sot si para 10 muajve nuk është propozuar heqja e taksës, por pezullimi i saj i përkohshëm për 4 deri në 6 muaj për t’i dhënë mundësi dialogut. Pezullimi do të mundë të ishte i menjëhershëm ndaj Serbisë, kurse për Bosnjë e Hercegovinën do të mundë të pritej edhe pak, në mënyrë që ky shtet të paktën t’i zbusë disa praktika që janë më të ashpra se ato të Serbisë. Mendoj se pezullimi do ta zhbllokonte dialogun, por nuk jam i sigurt se vetë dialogu do të ketë sukses pa e ditur se çfarë kompromisi propozohet.

Zëri: Si e shihni fushatën e egër, të cilën Serbia po e zhvillon kundër Kosovës? Cila duhet të jetë kundërpërgjigjja e autoriteteve kosovare në këtë rast?

Maliqi: Ka dy interpretime për këtë ashpërsi e insistim. Njëri është se Serbia para fazës finale dhe për përdorimin e brendshëm demonstron qëndrimin e palëkundshëm, në mënyrë që pastaj t’i thotë opinionit të vetë - ja, kemi provuar gjithçka, por nuk ka qenë e mundshme, duhet të pajtohemi me fqinjët. I dyti shpjegim është ai i marrëzisë së zakonshme të serbëve që bëjnë obstruksione deri në fund duke shpresuar se do të sigurohet mirëkuptimi dhe dalin humbës.

Zëri: Sipas jush, ku gjendet Kosova në sferën ndërkombëtare, duke qenë se kemi dështuar disa herë të bëhemi pjesë e INTERPOL-it, qytetarët vazhdojnë të mos kenë liri të lëvizjes, si dhe numri i njohjeve ka rënë dukshëm?

Maliqi: Te ne, edhe në mediet më serioze, ekziston një keqkuptim i procesit të njohjeve kur thuhet nuk ka më njohje të reja, diplomacia jonë është e dobët. Mbase edhe është e dobët e improvizuese, por vështirësia për sigurimin e njohjeve të reja kushtëzohet nga polarizimi i botës, sepse Kosovën e kanë njohur vendet më të fuqishme perëndimore e kjo është pengesë për njohjen e vendeve që janë konfrontuar me Perëndimin. Diplomacia jonë eventualisht ka shanse të lobojë te 6 ose 7 shtete që mund ta njohin Kosovën, por është e kotë të kërkohet njohja nga satelitet e Rusisë, shumë shtete të botës së tretë, si dhe te shtetet islamike që kanë mosbesim ndaj Perëndimit dhe nuk u intereson fare për Kosovën. Sa i përket INTERPOL-it, e disfavorshme është rregulli se duhet të na përkrahin 2/3 e vendeve anëtare të kësaj organizate, ndërkaq Serbia mjaftohet me 1/3. Edhe me ketë kusht para tre vjetësh kemi qenë shumë afër anëtarësimit, mungonin 3 vota. Por sa i përket liberalizmit të regjimit të vizave, mendoj se BE-ja është turpëruar tepër me vendimet e fundit rreth Ballkanit Perëndimor. Besoj se në dhjetor do ta kemi liberalizmin, nuk e garantoj si politikanët, por e kam një intuitë për këtë.