Priten vonesa në formimin e qeverisë

Priten vonesa në formimin e qeverisë

Aktuale October 16, 2019 - 07:56
Detajet
Image

Ndarja e posteve qeveritare mes LVV-së e LDK-së pritet të shkaktojë vonesa në formimin e qeverisë së re. Analistët vlerësojnë se zvarritja e formimit të institucioneve të reja mund të shmanget me ndarjen e barabartë të përgjegjësive mes LVV-së dhe LDK-së, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Formimi i qeverisë së re pritet të marrë më shumë kohë sesa që ishte paraparë. Lidhja Demokratike e Kosovës i ngriu negociatat për arritjen e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje deri në daljen e rezultateve përfundimtare nga ana e KQZ-së.

LEXO EDHE: Riaktivizimi i dialogut, pas formimit të qeverisë

Por numërimi i votave nuk pritet të përfundojë së paku edhe 10 ditë. Kësisoj, përveç vonesës së rezultateve, formimin e qeverisë mund ta vonojë edhe ndarja e posteve qeveritare brenda koalicionit të mundshëm LVV - LDK.

Ndarja e dikastereve është bërë “mollë sherri” mes të dyja këtyre partive, të cilat dolën fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit me rezultat tepër të ngushtë, shkruan më tutje Gazeta "Zëri".

Sipas njohësve të çështjeve politike, ndonëse nuk dihet sa mund të zgjasë formimi i qeverisë, ekzistojnë zëra nga këto parti që nuk duan të arrijnë marrëveshje bashkëpunimi ose së paku ta zvarrisin atë.

Kësisoj, ata theksojnë se për një koalicion sa më të shpejtë LVV-ja e LDK-ja duhet t’i ndajnë në mënyrë të barabartë përgjegjësitë e tyre në qeverinë e re.

Mirëpo për formim sa më të shpejtë të institucioneve të Kosovës kishte bërë thirrje edhe bashkësia ndërkombëtare.

Gjatë ditës së djeshme edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut kërkoi nga dy partitë fituese që sa më parë të lidhin koalicion bashkëpunimi, sepse në të kundërtën, sipas tyre, çdo vonesë do të ndikojë në efikasitetin dhe në efektivitetin e institucioneve të reja.

Mosdakordimi për ndarjen e dikastereve mes LVV-së e LDK-së

Ndonëse menjëherë pas zgjedhjeve shprehën gatishmëri për të lidhur bashkëpunim qeveritar, LVV-ja e LDK-ja ende nuk e kanë arritur atë. Pas një takimi të parë që e patën LDK-ja i ngriu negociatat e nivelit të lartë me Vetëvendosjen, për të pritur numërimin e të gjitha votave deri në certifikim të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Mirëpo një gjë e tillë nuk i pengoi të dy partitë që të kalkulojnë për atë që u takon në qeverinë e re, e cila deri tani sa dihet pritet të udhëhiqet nga lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Ndonëse nga të dy partitë janë shprehur për “Zërin” se ende nuk janë duke biseduar për ndarjen e ministrive, gazeta merr vesh se është diskutuar ndarja e ministrive nga 5 dikastere për të dy këto subjekte, mirëpo një formulë e tillë nuk ka gjetur pajtueshmëri të plotë te këto parti.

Aktualisht LVV-ja e LDK-ja kanë arritur pajtueshmëri vetëm në zvogëlimin e ministrive, nga 21 në 12 sosh. Ata kanë rënë dakord që të bëhet reduktimi ose shkrirja e disa ministrive në disa dikastere tjera qeveritare. Kësisoj theksohet se në Ministrinë e Punëve të Jashtme do të shkrihet Ministria e Diasporës dhe ajo e Integrimeve Evropiane.

Ministria e Administratës Publike dhe Ministria e Pushtetit Lokal do të bëhen një. Gjithashtu në një ministri të vetme pritet të bashkohen edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik me atë të Tregtisë dhe Industrisë. Nga 12 ministritë që qeveria e re po pretendon t’i udhëheqë dy do të kenë qeverisje nga komunitetet.

Pas 10 ditëve rinisin negociatat mes krerëve të LVV-së e të LDK-së

Pas 10 ditëve KQZ-ja mund të dalë me rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 6 tetorit, kësisoj edhe dy partitë fituese të zgjedhjeve mund t’i rinisin bisedimet e tyre për formimin e qeverisë.

Koordinatori i Qendrës së Numërimit të Votave, Burim Ahmetaj, ka thënë për gazetën se brenda pak ditësh mund të përfundojë procesi i numërimit të tërësishëm të votave. Ai njoftoi se brenda tri ditëve do të nisë numërimi i votave me kusht e pastaj edhe i atyre të diasporës.

“Përfundimi i numërimit është çështje jave ose pak më shumë se 10 ditë. Aktualisht jemi në fazën e fundit të kompletimit të votimeve me kusht, që do të thotë se brenda dy-tri ditëve këtë proces mund ta kompletojmë dhe mund të fillohet numërimi i votave me kusht. Po ashtu votat me postë janë afër procesit të finalizimit dhe vlerësimit, kështu që nuk ka asgjë e cila praktikisht e ndalon fillimin e numërimit të këtyre votave”, ka deklaruar Ahmetaj.

Ismajli: Ndarja e posteve mes LDK-së e LVV-së të jetë e barabartë

Njohësi i çështjeve politike, Dashnim Ismajli, ka thënë për “Zërin” se nuk pret që të dështojë mundësia e koalicionit mes LDK-së e LVV-së, sado që pozitat qeveritare mund ta vështirësojnë arritjen e një marrëveshjeje. Ismajli thotë se për shkak të rezultatit të ngushtë që kanë pasur këto parti, edhe ndarjen e përgjegjësive duhet ta kenë të barabartë.

“Duke u bazuar në rezultatin e ngushtë të të dyja partive, që me gjasë do të qeverisin bashkë, ndarja e posteve, duke përjashtuar postin e kryeministrit, që ka qenë marrëveshje paraprake, është rrjedhojë e procesit të bisedimeve ndërmjet dy partnerëve. Megjithatë unë shpresoj se ndarja do të jetë e barabartë dhe më e rëndësishmja do të ishte që ministritë të udhëhiqeshin nga ekspertë të besueshëm dhe njohës të fushave, për të cilat ata emërohen”, ka deklaruar Ismajli.

Edhe pse nuk dihet sa mund të vonojë formimi i qeverisë së re, Ismajli thekson se është e domosdoshme që një gjë e tillë të ndodhë sa më parë.

“Mendoj se koha që do të marrë formimi i qeverisë varet nga partnerët e koalicionit dhe grupet punuese, domethënë harmonizimi i programit qeverisës dhe ndarja e përgjegjësive. Andaj, këtu nuk mund të parashikohet koha, megjithatë sa më shpejt të bëhet, aq më mirë do të jetë për vendin”, ka përfunduar ai.

KMDLNJ: S’ka arsye të vonohet krijimi i institucioneve

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të formohet sa më shpejt të jetë e mundur, ngase sipas tyre çdo vonesë do të ndikojë në efikasitetin dhe në efektivitetin e institucioneve të reja. Përmes një komunikate për medie KMDLNJ-ja thotë se presin që opozita të jetë bashkëpunuese dhe konstruktive.

“LVV-ja dhe LDK-ja edhe para zgjedhjeve kanë bërë përpjekje të bëjnë një koalicion parazgjedhor, porse nuk dolën të garojnë bashkë, kurse tani në rrethana të reja nuk e kanë asnjë problem ta përshpejtojnë formimin e institucioneve të reja, për faktin se janë deklaruar për bashkëqeverisje. Asnjëherë nuk kemi pasur një situatë më relaksuese për formimin e institucioneve të reja dhe çdo vonesë në këtë drejtim do t’i adresohet pozitës ose fituesve të zgjedhjeve”, thuhet në komunikatën e KMLDNJ-së.

Më tutje KMLDNJ-ja pret që ndërkombëtarët të mos bëhen “ ndrikulla” në formimin e institucioneve të reja, por ta respektojnë vullnetin e shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit 2019.