Riaktivizimi i dialogut, pas formimit të qeverisë
Foto: Laura Hasani

Riaktivizimi i dialogut, pas formimit të qeverisë

Aktuale October 16, 2019 - 07:52
Detajet
Image

Procesi i negociatave Kosovë - Serbi pritet të fillojë pas formimit të qeverisë së ardhshme. Ende pa u konstituuar institucionet e reja faktori ndërkombëtar ka nisur t’i intensifikojë thirrjet për rifillim të këtij procesi. Vlerësohet se me riaktivizim të dialogut mund të ketë edhe ndryshim të formatit të bisedimeve, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Me përfundimin e procesit zgjedhor (6 tetor) bashkësia ndërkombëtare ka nisur ta shtojë presionin sa i përket rifillimit të negociatave Kosovë - Serbi.

LEXO EDHE: Lamtumirë INTERPOL!

Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se ndërkombëtarët kanë nisur angazhimin e tyre në këtë drejtim ende pa u bërë qeveria e re, pasi duan ta përshpejtojnë këtë proces, në mënyrë që zgjidhja përfundimtare të arrihet diku nga mesi i vitit të ardhshëm.

Ndaj, sipas tyre, bisedimet me Serbinë pritet të rinisin menjëherë pas formimit të qeverisë së ardhshme të Kosovës.

Por kandidati i LVV-së për kryeministër Albin Kurti, i cili njëherësh është kryetar i partisë fituese të zgjedhjeve, sipas rezultateve preliminare, ka deklaruar tashmë se para se të rinisë ky proces fillimisht do të bëhet një analizim i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash me Serbinë, shkruan më tutje Gazeta "Zëri".

Ndërkohë, nga LDK-ja (partia e dytë e dalë nga zgjedhjet) kanë thënë se dialogu është i paalternativë, ndaj menjëherë pas certifikimit të rezultateve, siç janë shprehur zyrtarët e këtij subjekti, LDK-ja do t’i nisë bisedimet me LVV-në në këtë drejtim.

Strategjia e LVV-së dhe e LDK-së për vazhdimin e dialogut

Lideri i LVV-së Albin Kurti, i cili në zgjedhjet e 6 tetorit ishte kandidat për kryeministër nga ky subjekt, ka thënë se procesi i negociatave me Serbinë do të drejtohet nga vetë ai posa të vijë në krye të Qeverisë.

Me këtë rast Kurti ka thënë se me një qeveri të drejtuar nga LVV-ja taksa e vendosur ndaj produkteve serbe do të zëvendësohet me masën e reciprocitetit.

“Dialogu është ndërprerë. Unë jam për dialog parimor, mendoj që ky dialog duhet të jetë i përgatitur mirë dhe të mos dështojë. Jam i interesuar që taksën ta zëvendësojë me parimin e reciprocitetit”, ka deklaruar ai.

Në këtë drejtim Kurti ka thënë se ekipi negociator që do të krijohet për dialogun me Serbinë do ta përfshijë edhe opozitën.

“Unë nuk do të jem arrogant me opozitën, do ta krijoj një ekip negociator bashkë me opozitën. Nuk do të lejoj që Serbia të na përçajë”, ka potencuar Kurti.

Ndërkohë, zyrtarët e LDK-së kanë thënë se në momentin që certifikohen rezultatet e zgjedhjeve përfaqësuesit e këtij subjekti do të ulen dhe do të diskutojnë me LVV-në për të gjitha temat, duke përfshirë këtu edhe çështjen e dialogut. Procesi i negociatave me Serbinë sipas tyre është i paalternativë.

“Për LDK-në dialogu është i paalternativë dhe qëllimi final është njohja reciproke e shtetit të Kosovës dhe e Republikës së Serbisë, si shtete fqinjësore me raporte të normalizuara. Ne kemi deklaruar po ashtu që e ruajmë me përkushtimin maksimal integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, sepse kështu e thotë Kushtetua e Kosovës”, ka deklaruar për “Zërin” kandidati për deputet nga LDK-ja, Driton Selmanaj.

Ndërkohë ka konsideruar se angazhimi i SHBA-së në këtë proces është shumë i rëndësishëm për Kosovën. Ndaj në momentin që certifikohen rezultatet, sipas Selmanajt, do të bëhen përpjekje që sa më shpejt të jetë e mundur të krijohet qeveria e Kosovës, në mënyrë që pastaj të realizohen detyrat e reja.

“Si LDK jemi shumë të interesuar që ky proces të jetë transparent. Duke qenë transparent e bën të mundshëm edhe përfshirjen e opozitës në këtë proces”, është shprehur Selmanaj.

Maliqi: Mund të kemi riformatizim të dialogut

Publicisti Shkelzen Maliqi ka thënë se ndërkombëtarët kanë kërkuar vazhdimin e dialogut pandërprerë prejse ky proces ishte bllokuar vitin e kaluar. Intensifikimi i tanishëm i kërkesave nga të gjitha zyrat e mëdha sipas tij është vetëm përshtatje ndaj momentit të ri që është krijuar pas zgjedhjeve në Kosovë.

Koalicioni LVV - LDK sipas Maliqit është i paalternativë, ndaj ndërkombëtarët po ua kujtojnë atyre se cila detyrë i pret në momentin që vijnë në pushtet.

“Edhe para se ajo të zyrtarizohet ndërkombëtarët po ua kujtojnë politikanëve tanë se cila është detyra imediate që i pret edhe për faktin se ata janë të interesuar ta dinë se cilët prej tyre do ta udhëheqin procesin e bisedimeve me Serbinë, në mënyrë që të mos krijohet sërish situatë si ajo me ish-kryeministrin, i cili kokëfortësisht nuk pranonte pezullimin e taksën 100%, duke e kushtëzuar atë me njohjen paraprake të Kosovës nga ana e Serbisë”, ka deklaruar ai.

Meqë ndërkombëtarët konsiderojnë se duhet të përshpejtohet përfundimi i bisedave mes Kosovës dhe Serbisë dhe zgjidhjen e shohin diku nga mesi i vitit tjetër, sipas Maliqit, ata nuk duan të ketë humbje kohe shtesë.

"Posa të krijohet qeveria e re bisedimet do të riaktivizohen. Për këtë tashmë është përgatitur plotësisht administrata amerikane, duke përzgjedhur dy emisarë specialë, që do të merren me bisedimet, njëri drejtpërdrejt me ato mes Kosovës dhe Serbisë dhe tjetri me rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ka mbetur edhe BE-ja t’i caktojë emisarët e saj”, ka nënvizuar ai për gazetën.

E tërë kjo, siç Maliqi është shprehur, tregon se me shumë gjasë do të ketë riformatizim të procesit të negociatave.

“Kjo tregon se me gjasë do të kemi riformatizim të dialogut, që nuk do të zhvillohet më domosdoshmërisht në Bruksel, por do të jetë e tipit të diplomacisë intensive, qoftë të fluturimit të emisarëve nga Prishtina në Beograd, qoftë edhe konferencë e tipit të Rambujesë ose Dejtonit”, ka theksuar ai.

Konsensusi nacional rreth dialogut, i domosdoshëm

Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se procesi i dialogut nuk mund të fillojë pa u zgjedhur institucionet e reja, të dala nga zgjedhjet.

Menjëherë pas kësaj, sipas Haxhollit, njëra prej palëve të përfshira në dialog duhet ta ndërrojë qasjen sa i përket taksës, në mënyrë që të rifillojë procesi i bisedimeve.

“Pa konsolidim dhe pa konstituim të Kuvendit dhe të zgjedhjes së qeverisë nuk mund të pritet që ky proces kaq i rëndësishëm i politikës së jashtme të vazhdojë. Hapi tjetër pastaj që duhet të ndodhë është të ndryshohen rrethanat, të cilat kanë pezulluar procesin. Pa ndryshuar pozicioni rreth taksës dialogu s’mund të vazhdojë. Njëra nga palët duhet të tërhiqet nga pozicioni i saj”, ka theksuar ajo.

Haxholli më tutje ka konsideruar se arritja e një konsensusi të gjerë nacional në Kosovë është i domosdoshëm sa i përket procesit të negociatave.

“Është shumë me rëndësi që edhe koalicioni qeverisës, por edhe spektri politik, të arrijnë ta krijojnë një unitet dhe një konsensus sa i përket qasjes së Kosovës ndaj Serbisë dhe qasjes që Kosova do ta ketë në procesin e dialogut. Partitë duhet t’i lënë anash kalkulimet politike”, ka potencuar Haxholli.

Takimi i fundit mes palës kosovare dhe asaj serbe, në kuadër të dialogut, është mbajtur para rreth një viti, gjegjësisht më 9 nëntor 2018.