Lamtumirë INTERPOL!

Lamtumirë INTERPOL!

Aktuale October 16, 2019 - 07:48
Detajet
Image

Dy ditë para se Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it të vendoste nëse Kosova do të jetë pjesë e kësaj organizate ose jo, kryeministri në detyrë i Kosovës Ramush Haradinaj ka tërhequr kërkesën e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL. Pas një fushate agresive kundër Kosovës, zyrtarë serbë një vendim të tillë e kanë quajtur fitore të tyre, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Me të filluar punimet e Asamblesë së Përgjithshme të organizatës më të madhe ndërkombëtare për bashkëpunim policor - INTERPOL, autoritetet kosovare kanë vendosur që ta tërheqin kërkesën për anëtarësim në këtë organizatë.

Kreu i Qeverisë në detyrë, Ramush Haradinaj, të martën i ka dërguar letër Asamblesë së INTERPOL-it, me të cilën e njoftoi këtë organ se Kosova po tërheq kërkesën për anëtarësim. Këtë gjë e ka konfirmuar Zyra e kryeministrit Haradinaj, që kanë njoftuar se votimi do të shtyhet për vitin e ardhshëm, shkruan më tutje Gazeta "Zëri".

“Duke marrë parasysh rrethanat e krijuara, duke u bazuar në kompetencat si kryeministër në detyrë, sot kam kërkuar shtyrjen e votimit të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL për vitin e ardhshëm”, thuhet në përgjigjen nga Zyra e kryeministrit.

Ndërkohë ky vendim i Haradinajt erdhi pas intensifikimit të shtetit serb, të cilët me të filluar Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it ishin zotuar se do të bënin të pamundurën që të mos lejonin anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Në anën tjetër, njohësit e çështjeve të sigurisë dhe të çështjeve politike vlerësojnë se as këtë vit institucionet kosovare nuk e kishin prioritet lobimin për anëtarësim në INTERPOL. Kësisoj, sipas tyre, gjasat ishin minimale që Kosova të integrohej në këtë organizatë.

Sipas zyrtarëve serbë, Kina, Irani dhe shtete të tjera kundër anëtarësimit

Kina është shteti i parë që sipas zëvendëskryeministrit të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, është deklaruar kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatën më të madhe ndërkombëtare për bashkëpunim policor - INTERPOL.

Stefanoviq këtë deklaratë e ka bërë të martën, pas një takimi me ministrin e Jashtëm të Kinës, Daki Duan, në ditën e parë të Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it.

Sipas fjalëve të zëvendëskryeministrit të Serbisë, Kina nuk ka ndryshuar aspak qëndrim në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, prandaj ashtu si herëve të tjera, edhe këtë vit do ta kundërshtojë.

Ndërkohë, po sipas zyrtarëve serbë, edhe Irani, ndër shtetet e mëdha, është deklaruar decidiv kundër anëtarësimit të Kosovës, sikundër edhe disa shtete të tjera nga Afrika dhe Oqeania.

Stefanoviq vazhdon fushatën kundër pranimit të Kosovës në INTERPOL

Në fakt, dihet se thuajse gjatë tërë vitit Serbia nëpërmjet zyrtarëve të saj e veçmas të diplomacisë së vet ka qenë shumë aktive në lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

Në shumë raste madje diplomatët dhe zyrtarët e tjerë serbë janë treguar agresivë dhe nuk kanë zgjedhur mjete për të propaganduar dhe për të shpifur kundër Kosovës.

Edhe në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it Serbia e shpërfaqi luftën e saj diplomatike kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Me këtë rast ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka thënë të martën (dje) se në rast se ndodh pranimi i Republikës së Kosovës në INTERPOL, një gjë e tillë do të sillte pasoja në luftën kundër krimit.

Stefanoviq përmes një postimi në rrjetin social “Twitter” u është drejtuar të gjithë atyre shteteve, të cilat vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës.

“Faleminderit të gjithë atyre që respektojnë integritetin territorial të Republikës së Serbisë. Një pranim i mundshëm i Kosovës në INTERPOL do të kishte pasoja në luftën globale kundër krimit”, ka shkruar Stefanoviq.

Ditë më parë përfaqësues të delegacionit serb në Asamblenë e INTERPOL-it kanë njoftuar se do të vazhdojnë me aktivitete intensive diplomatike në këtë Asamble, që edhe këtë vit të parandalojnë pranimin e Kosovës në organizatën ndërkombëtare të policisë - INTERPOL.

Pacolli tregon arsyet e dështimit në INTERPOL

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, në një deklaratë për medie ka lënë të kuptohet se mungesa në Asamble e 18 shteteve mund t’i kushtojë Kosovës me mospranim në INTERPOL.

“Ne në koordinim me Qeverinë jemi duke punuar në këtë drejtim. Unë e shoh një problem mosardhjen e 18 shteteve që na kanë njohur nga Oqeania. Ata siç duket, nuk do të mundë të marrin pjesë. Shkaqet janë largësia e shpenzimet. Në Asamble po ashtu do të mungojnë edhe disa shtete afrikane, të cilat po ashtu na kanë njohur”, ka deklaruar Pacolli pak para se të bëhej publik lajmi për tërheqjen e anëtarësimit.

Më tutje ai ka thënë se zyrtarë nga Qeveria e Kosovës po i kontaktojnë disa shtete për të diskutuar rreth qëndrimeve të tyre karshi anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

“Ne po i vlerësojmë të gjitha notat verbale që i kemi. Për anëtarësim ju e dini që duhen 2/3 e shteteve prezente dhe për fat të keq ne sot kemi të bëjmë me shtete që nuk e kanë njohur Kosovën”, ka thënë ai. Ai ka folur edhe për lobimin që po e bëjnë autoritetet serbe për mospranimin e Kosovës në INTERPOL.

Sipas tij, Serbia po lobon edhe në shtetet të cilat e kanë njohur Kosovën.

“Serbia po tenton edhe te shtetet që e kanë njohur Kosovën, kanë çuar delegacione, por është e kotë. Ne në anën tjetër jemi në kontakt me këto shtete, po i kontaktojmë, në mënyrë që t’i bindim të mos e ndërrojnë qëndrimin”, ka deklaruar Pacolli.

Gjasat, minimale që Kosova të anëtarësohej në INTERPOL

Në anën tjetër, sipas njohësve të çështjeve politike të vendit, gjasat që Kosova të anëtarësohej në INTERPOL këtë vit kaherë është ditur se ishin tejet të vogla.

Njohësi i zhvillimeve politike, Armend Muja, vlerëson se Kosova para vetes nuk ka asnjë pengesë politike, në kuptimin që nuk është kusht për anëtarësim në këtë organizatë të qenët ose jo anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Unë mendoj që ka qenë një hap i ngutshëm, sepse jam më se i bindur që edhe brenda dikasterit qeveritar e dinë sigurt që nuk kanë votat e mjaftueshme për të kaluar dhe në këtë rast, pa qenë të sigurt, është vetëm edhe një fiasko e llojit të UNESCO-s të herës së kaluar. Edhe ky aplikimi i ri, pa qenë të sigurt, vetëm se e poshtëron Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe e zbeh pozicionin e saj gjatë dialogut (me Serbinë)”, ka thënë Muja.

Ndër të tjera ai ka thënë që për të realizuar ambiciet për anëtarësim në INTERPOL diplomacia e Kosovës është dashur të punojë ngushtë me aleatët perëndimorë, gjë që sipas tij nuk ka ndodhur në qeverisjen e kaluar. Madje, sipas tij, relacionet që kanë ekzistuar ndërmjet Kosovës me partnerët perëndimorë janë zbehur.