AAK tregon se a kanë pasur takim me presidentin Thaçi

AAK tregon se a kanë pasur takim me presidentin Thaçi

Aktuale July 24, 2019 - 09:33
Lexoni detajet

Është bërë gati një javë prejse kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit, por presidenti Hashim Thaçi ende nuk ka thirrur në takim partitë politike ose koalicionin qeverisës për të diskutuar rreth mandatimit të një kandidati të ri për kryeministër, shkruan Gazeta "Zëri". 

Këtë i pari i shtetit obligohet ta bëjë sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ndonëse ekziston një opsion i tillë, që të formohet Qeveria pa shkuar në zgjedhje, të gjitha partitë politike, duke përfshirë edhe ato të koalicionit qeverisës, po kërkojnë zgjedhje të parakohshme. 

Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, ka pohuar se si koalicion qeverisës nuk kanë pasur takim me presidentin për t’u konsultuar për hapat e radhës, pas dorëheqjes së kryeministrit.

“Nuk kemi pasur takim me presidentin e Kosovës. Sa i përket gjendjes së tanishme, të gjitha partitë politike, duke përfshirë këtu edhe koalicionin, pothuajse njëzëri janë që të mbahen zgjedhjet e parakohshme. Mirëpo është në duar të presidentit që ai të vendosë për datën e zgjedhjeve. Ne jemi të gatshëm të komunikojmë me presidentin dhe ta caktojmë datën e zgjedhjeve”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Teksa ka folur rreth paralajmërimit të LVV-së për seancë të jashtëzakonshme për ta shpërndarë Kuvendin, Lekaj ka thënë se pa një marrëveshje mes koalicionit dhe opozitës çdo veprim mund të jetë i ngutshëm.

Megjithëkëtë, ka thënë se AAK-ja e përkrah çfarëdo hapi që e çon vendin në zgjedhje brenda 45 ditëve.

Edhe zyrtarët e Nismës Socialdemokrate ditëve të fundit kanë kërkuar që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme./ZERI