Parashikimet e gabuara për marrëveshjen me Serbinë

Parashikimet e gabuara për marrëveshjen me Serbinë

Aktuale May 24, 2019 - 07:56
Lexoni detajet
Image

Qysh nga viti i kaluar presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ishte shprehur i bindur se marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë do të arrihej brenda 2019-s. Se konflikti Kosovë - Serbi do të zgjidhej në mars të këtij viti kishin deklaruar edhe disa zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, të cilët vijnë nga radhët e PDK-së. Gjatë muajve të kaluar kishte pasur edhe raportime të atilla ndërkombëtare, të cilat thoshin se marrëveshja do të nënshkruhej gjatë verës, gjegjësisht gjatë muajit qershor të këtij viti. Por asnjë prej këtyre skenarëve nuk pritet të jetësohet, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Përkundrazi njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se Kosova dhe Serbia janë shumë larg arritjes së një marrëveshjeje përmbyllëse.

LEXO EDHE: Kërkohet dorëheqja e Veselit

Sa i përket zgjidhjes finale mes dy vendeve sipas tyre me një zë nuk janë as politikanët në Kosovë, as bashkësia ndërkombëtare, shkruan më tutje "Zëri". 

Ndërkohë përfaqësuesit e partive opozitare janë shprehur të bindur se marrëveshje nuk do të ketë pa u rrëzuar së pari Qeveria dhe pa shkuar vendi në zgjedhje të parakohshme.

Megjithëkëtë, kreu i shtetit po vazhdon të mos zmbrapset nga deklarimi i tij, se marrëveshja “historike” mes dy vendeve do të nënshkruhet brenda këtij viti.

Zotimet për marrëveshje gjatë 2019-s

Në janar të këtij viti presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pati dhënë një intervistë për gazetën zvicerane “Blick”, me ç’rast pati pohuar se muajt në vijim do të rezultonin me një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve, Kosovës e Serbisë.

“Jo, kurrë më nuk do të ketë luftë mes shqiptarëve edhe serbëve, pikërisht falë kësaj marrëveshjeje të paqes që mund të arrihet në muajt e ardhshëm. Kush pengon arritjen e marrëveshjes së paqes merr mbi supe përgjegjësinë e tragjedive të tjera ndëretnike shqiptaro-serbe e ndoshta edhe më gjerë”, qe shprehur Thaçi para pesë muajsh.

Se ky vit do të jetë viti i marrëveshjes kreu i shtetit e potencoi disa herë radhazi.

“Unë dua të besoj se viti 2019 do të jetë viti i marrëveshjes. Kjo është mënyra më e mirë për vendet tona dhe për gjithë Ballkanin perëndimor”, kishte deklaruar Thaçi , i cili qëndrimin e ngjashëm vazhdon ta përsërisë edhe sot.

Ndërkohë zëvendëskryeministri që vjen nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, në fund të vitit të kaluar pati thënë se marrëveshja me Serbinë do të ndodhë më së largu në mars të vitit 2019.

Kurse mediet ndërkombëtare patën shkuar pak muaj më tej. Qysh në shkurt të këtij viti gazeta prestigjioze gjermane “Frankfurter Rundschau” pati shkruar se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do të nënshkruhet në qershor të 2019-s. Mirëpo tash e disa muaj dialogu po vazhdon të jetë i bllokuar dhe marrëveshja të mos shihet fare në horizont.

Opozita: Marrëveshja, pas zgjedhjeve

Teksa ka folur rreth dialogut dhe marrëveshjes finale mes dy vendeve, deputeti i LDK-së Naser Rugova është shprehur i bindur se gjatë muajve në vijim nuk do të ketë përmbyllje të procesit të negociatave, pasi nuk ka aspak gatishmëri në këtë drejtim.

Situatën për arritjen e marrëveshjes sipas Rugovës e komplikojnë edhe më shumë problemet që kanë mes vete partnerët e koalicionit qeverisës, konfuzioni që ka shkaktuar ideja e presidentit për korrigjim të kufijve, si dhe komunikimi joadekuat mes kreut të shtetit dhe kryeministrit.

“Mungesa e konsensusit institucional në Kosovë çon në atë drejtim që as Samiti i Berlinit dhe as takimi në Paris nuk do ta orientojnë në binarët e duhur fillimin e një dialogu serioz mes dy vendeve, kur kësaj ia shtojmë faktin se për çdo marrëveshje duhet një konsensus i gjerë politiko-nacional. Kjo nuk shihet që mund të arrihet në Kosovë”, ka theksuar Rugova.

Ndërkaq deputetja e LVV-së Fatmire Kollçaku ka thënë se ky subjekt asnjëherë nuk ka besuar se pushtetarët e tanishëm do ta arrijnë një marrëveshje finale me Serbinë.

Ky proces sipas saj duhet ta ndërrojë formatin, të bëhet një rivlerësim i negociatave deri më tani, tek pastaj të vazhdohet me bisedimet për të arritur deri te një marrëveshje.

“Dialogu është një formulë e dështuar dhe kjo tanimë po tregohet. Dihet se asnjë marrëveshje deri më tani Serbia nuk e ka respektuar. Është për habi si është menduar që mund të arrihet një marrëveshje finale kur Serbia asnjëherë nuk i ka pranuar krimet që i ka kryer në Kosovë, kur asnjëherë nuk i është kthyer të kaluarës”, ka theksuar ajo.

Ndaj sipas Kollçakut vetëm një qeveri e re dhe e përgjegjshme mund ta rinisë nga fillimi dialogun dhe mund t’i vendosë prioritetet për ta vazhdimin e këtij procesi.

Moskoordinimi i spektrit politik kosovar dhe atij ndërkombëtar

Violeta Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka vlerësuar se pas bllokimit të dialogut ka pasur një përpjekje të të dyja shteteve qendrore të BE-së, Gjermanisë dhe Francës, t’i rikthejnë edhe një herë Kosovën e Serbinë në tavolinën e dialogut.

“E pamë në Samitin e Berlinit që tema e dialogut ishte temë qendrore, pra aty edhe një herë u përsërit mundësia e arritjes së një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë. Tani pritet që edhe në Paris, në korrik, të mbahet një samit ku këtë herë do të marrin pjesë vetëm Kosova e Serbia, me ndërmjetësim të Gjermanisë dhe të Francës”, ka deklaruar ajo.

Megjithëkëtë, Haxholli ka thënë se nuk pritet që të ketë marrëveshje përmbyllëse muajt e ardhshëm.

“Se a mund të arrihet një marrëveshje në një afat të shpejtë nuk e besoj, për shkak se edhe brenda Kosovës politikanët janë shumë larg njëri-tjetrit sa u përket qëndrimeve të tyre lidhur me atë se cila duhet të jetë zgjidhja finale mes Kosovës e Serbisë, por edhe në bashkësinë ndërkombëtare nuk ka pajtueshmëri mes shteteve që janë të përfshira në procesin e dialogut. Prandaj nuk besoj se një marrëveshje e tillë është afër, mendoj se ende është larg”, është shprehur ajo.

Kurse njohësi i çështjeve politike Rasim Alija ka konsideruar se një gjë tashmë është vulosur se në kuadër të dialogut Kosovë - Serbi dhe marrëveshjes finale nuk do të ketë shkëmbim të territoreve. Ndaj sipas tij duhet kohë që presidenti, i cili po e përfaqëson Kosovën në dialog, të ndërrojë strategji në këtë proces.

“Këtë e ka vulosur Samiti i Berlinit dhe presidentit të vendit do t’i duhej kohë ta rikuperojë veten nga kjo e të ndërrojë strategji. Me ekip negociator që është sa për të qenë aty, me president që nuk e luan rolin kushtetues që e ka, atë të unitetit, e kryeministër që përpiqet ta ndalë presidentin e vendit në aventurën e tij, marrëveshje brenda këtij viti duket e pamundshme”, ka theksuar ai.

Madje sipas Alijës gjasat më të mëdha janë që brenda këtij viti vendi të shkojë drejt zgjedhjeve sesa të mbyllet çështja Kosovë - Serbi. “Më shumë mundësi ka që brenda këtij viti të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme sesa marrëveshje finale me Serbinë”, ka theksuar ai.