Kërkohet dorëheqja e Veselit
FOTO: Laura Hasani

Kërkohet dorëheqja e Veselit

Aktuale May 24, 2019 - 07:52
Lexoni detajet
Image

Partitë opozitare në vend po e kërkojnë dorëheqjen e kryeparlamentarit Kadri Veseli, pasi që emri i tij lakohet në një videoincizim, ku kërkohen 200 mijë euro prej një biznesmeni. Por ish-shefi i SHIK-ut ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se do të japë dorëheqje vetëm kur Prokuroria e Kosovës e vërteton që ai me të vërtetë ka qenë i përfshirë në këtë rast, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Përfaqësues të partive opozitare po e kërkojnë dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, pas publikimit në medie të disa videoincizimeve, ku shihen të dyshuarit për vepra kriminale duke marrë para dhe duke u thirrur në emrin e ish-shefit të Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK-ut).

Mirëpo vetë kryeparlamentari Veseli i ka hedhur poshtë të gjitha këto akuza, duke theksuar se do të japë dorëheqje vetëm kur Prokuroria e Kosovës e vërteton që ai ka qenë me të vërtetë i përfshirë në këtë rast.

“Nëse del se është e vërtetë që jam përfshirë në këtë rast unë jam i gatshëm nga sot të jap dorëheqje. Ky është morali im, ky është besimi im jetësor, kjo është politika ime. E them me siguri të plotë, emri im është keqpërdorur në këtë akt kriminal të mashtrimit. Kur të dalë e vërteta e kësaj, atëherë dikush duhet të japë llogari penale dhe institucionale. Pavarësisht a janë pjesë e Policisë, e sistemit të drejtësisë ose e politikës”, ka thënë Veseli në një konferencë për medie të enjten.

Ai po ashtu ka kërkuar të sqarohet ky rast nga organet e drejtësisë, si dhe i ka fajësuar për mosintervenimin me kohë.

“Si është e mundur që për këtë rast të krimit të organizuar, i cili paska pasur fakte në vitin 2013, të ndërmerren veprime me 6 vjet vonesë. Kush është ai ose ata persona që e kanë mbuluar këtë krim të organizuar për më shumë se 6 vjet. Kujt dhe për çfarë llogarie i është dashur kjo vonesë, që paska mundësuar edhe mbulimin dhe mosdënimin e veprave penale. Pse këto videoincizime kanë qenë në sirtarë të Policisë ose të Prokurorisë për kaq shumë vjet dhe nuk janë trajtuar në kohë dhe me veprime të duhura”, ka thënë ai.

Kurse njohës të sistemit të drejtësisë kanë vlerësuar për “Zërin” se mosintervenimi i Prokurorisë së Kosovës për këtë rast për rreth 6 vjet e dëshmon që sistemi i drejtësisë në vend nuk po funksionon dhe është i kapur.

O’Connell: Të korruptuarit nuk do të mundë të hyjnë as në Britani

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, është pyetur nga qytetarët të enjten se çfarë masash do të marrë ambasada që ai i drejton për zyrtarët e korruptuar dhe me histori kriminale. Ai me këtë rast ka deklaruar se cilido zyrtar i Kosovës që ka histori kriminale dhe që ka lidhje me korrupsion nuk do të mundë të hyjë në Mbretërinë e Bashkuar.

“Cilido që ka histori kriminale dhe që ka lidhje me korrupsion nuk do të mundë të hyjë në Mbretërinë e Bashkuar”, ka thënë O’Connell gjatë një diskutimi me qytetarë në rrjetin social “Facebook”.

Kurse kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i pyetur se si i komenton këto zhvillime dhe nëse Veseli do të duhej të jepte dorëheqje pas këtij skandali, tha se askush nuk mund të dalë me një vendim pa e bërë një gjë të tillë gjykata.

Sipas tij, deklarimet se Veseli ka marrë 200 mijë euro duhet të vërtetohen fillimisht.

“Besueshmëria e deklaratave duhet të vërtetohet. Është herët të gjykohet një deklaratë e tillë, sepse duhet që një gjykatë, një instancë, ta vërtetojë besueshmërinë e kësaj deklarate. Në perëndim askush nuk gjykohet apriori. Nëse një gjykatë nuk e jep një vendim, të tjerët nuk kanë të drejtë të japin vendim”, deklaroi Haradinaj pas mbledhjes së djeshme të Qeverisë.

Haxhiu: Rasti i Veselit, dëshmi se s’ka drejtësi të pavarur

Kurse anëtarja e Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Albulena Haxhiu, duke e komentuar skandalin e korrupsionit në të cilin përmendet emri i kryeparlamentarit Veseli, ka theksuar se pikërisht ky rast dëshmon se shteti dhe organet e drejtësisë së Kosovës janë të kapura. “Sipas mediave, thuhet se Prokuroria që nga viti 2013 i ka pasur në dispozicion videot e transmetuara këto ditë në medie. Si është e mundur që asnjëherë nuk e kanë intervistuar Kadri Veselin të paktën si dëshmitar, nëse jo si të dyshuar.

Pra janë në pyetje 6 vjet mosveprim të Prokurorisë. Shteti i kapur ndryshe nuk është”, ka deklaruar ajo.

Ajo po ashtu ka bërë thirrje për mobilizim të qytetarëve dhe angazhim deri në largimin e kësaj klase politike nga pushteti.

Kurse partia e Haxhiut përmes një reagimi për medie të enjten ka kërkuar dorëheqjen e Veselit.

“Gjithë Kosova e gjithë bota e di se po të vërtetohet që Veseli është pjesë e rastit kriminal nuk shkon në dorëheqje, por drejt e në burg. Dorëheqja është akt moral, që bëhet për t’u hapur rrugë hetimeve. Pra kur emrin ta përmendin si kërcënim për fajde duhet të jetë dorëheqja para hetimeve e jo hetimet para dorëheqjes”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Molliqaj: Sistemi i drejtësisë, i kapur nga klani “Pronto”

Në anën tjetër deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka thënë se videoincizimet në të cilat përmendet emri i kryeparlamentarit Veseli, që kanë qëndruar në sirtarët e institucioneve të drejtësisë për 6 vjet radhazi, vërtetojnë se këto institucione janë të kapura nga klani “Pronto”.

“Kadri Veseli lëre më që nuk është gjykuar ose dënuar, por ai nuk është ftuar as edhe një herë në gjykatë për t’u intervestuar lidhur me këtë rast. Kjo dëshmon atë që e themi tash e shumë vite me radhë; sistemi i drejtësisë në Kosovë ka qenë dhe vazhdon të mbetet i kapur nga klani ‘Pronto’”, ka thënë ai.

Ai ka vlerësuar se kjo është dëshmi se Kosovës i duhet urgjentisht vetingu në sistemin e drejtësisë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të sillen para drejtësisë të gjithë ata që janë të përfshirë në afera kriminale dhe korruptive në vend.