Ambasadori i Zvicrës: Samiti i Berlinit nuk e përkrahu idenë e shkëmbimit të territoreve
Ambasadori i Zvicrës në Kosovë Jean-Hubert Lebet vlerëson se ndryshimi i kufijve në kuadër të marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, nuk funksionon dhe një skenar i tillë sjellë destabilizim në Ballkan. Këto komente ambasadori i bëri në tryezën e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) “Dialogu Kosovë-Serbi pas Samitit të Berlinit” raporton “Zëri.info”.
“Ndryshimi i kufijve nuk funksionon, as nuk ka funksionuar kurrë në histori. Ne jemi të lumtur të shohim se Samiti i Berlinit nuk e përkrahu këtë opsion. Në fakt ne nuk kemi asnjë shembull në histori kur ndryshimi i kufijve dhe territoreve ka lejuar paqe dhe normalizim të marrëdhënieve mes palëve. Konflikti ka mundësi të vazhdoj të jetë i pranishëm dhe pas shkëmbimit të territoreve mund të komplikohet edhe më shumë. Në përgjithësi, në Ballkan, ndryshimi i kufijve do të qonte në një kërcënim serioz të destabilizimit të rajonit”, ka thënë Lebet.
Ai po ashtu ka vlerësuar se çfarëdo marrëveshje me shtetin serb nuk duhet shtyrë pasi që ajo kërkon kohë dhe vullnet tek të dyja palët.
“Asnjëherë mos e shtyni një marrëveshje. Ne nuk kemi asnjë shembull kur “një zgjidhje e shpejtë” ishte e qëndrueshme në afat të gjatë kohor. Ajo që është e nevojshme me qëllim që të fillohet procesi i normalizimit për një marrëveshje përfundimtare, është besimi midis palëve që shpien deri tek vullneti i dy palëve që të arrihet marrëveshja. Kjo gjë kërkon shumë punë dhe sigurisht që merr kohë”.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i cili po ashtu mori pjesë në këtë takim ka thënë se Kosova e do një zgjidhje me Serbinë, pavarësisht se nuk e harron asnjëherë të kaluarën. Haradinaj mes tjerash në këtë debat tha se ideja për korrigjim të kufijve tashmë është eliminuar dhe këtë gjë sipas tij e ka konfirmuar edhe Samiti i Berlinit/ZERI