Pacientët e mjekët, të rrezikuar nga infeksionet spitalore

Pacientët e mjekët, të rrezikuar nga infeksionet spitalore

Aktuale April 19, 2019 - 08:07
Lexoni detajet!
Image

Pacientët e hospitalizuar rrezikohen të preken nga infeksione të ndryshme si në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) e po ashtu edhe në spitalet rajonale në vend. Përveç tyre drejtorë të klinikave thonë se vetë mjekët janë ata që po rrezikohen më së shumti nga infeksionet gjatë punës së tyre, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Në disa të gjetura të dërguara për gazetën “Zëri” nga mikrobiologu Lul Raka thuhet se Kosova është duke u ballafaquar me probleme të kontrollit të infeksioneve.

LEXO EDHE: Zgjedhjet në veri, Lista Serbe aplikon e fundit

Sipas të gjeturave, infeksionet që merren gjatë kujdesit shëndetësor përbëjnë kërcënim për sigurinë e pacientit dhe për cilësinë e mbrojtjes shëndetësore.

“Sikur vendet e tjera të pazhvilluara, edhe Kosova sot po ballafaqohet me shumë probleme të lëmit të kontrollit të infeksioneve, siç janë: mungesa e mbështetjes financiare, mungesa e zotimit politik, numri i pamjaftueshëm i personelit të trajnuar për këtë lëmi dhe mungesë pajisjesh. Këto infeksione përcillen me sëmundshmëri, vdekshmëri dhe kosto të lartë. Parandalimi dhe kontrolli i infeksioneve në institucionet shëndetësore është një standard i cilësisë dhe ka rol qenësor për mirëqenien dhe për sigurinë e të sëmurëve, të punëtorëve shëndetësorë dhe të vizitorëve. Për këtë arsye Ministria e Shëndetësisë ka formuar një grup punues për të përgatitur planin e veprimit për parandalimin e infeksioneve spitalore”, thuhet në materialet e dërguara.

Duke iu referuar raportit, pacientët e hospitalizuar, punëtorët shëndetësorë, si dhe vizitorët rrezikohen nga prekja e infeksioneve. Sipas tij, infeksionet më së shumti prekin spitalet regjionale.

“Kategoria më e rrezikuar për t’u prekur nga infeksionet spitalore janë pacientët e hospitalizuar, për shkak të sëmundjeve të ndryshme. Mirëpo nga infeksionet spitalore janë të rrezikuar edhe punëtorët shëndetësorë, studentët, vizitorët, si dhe punëtorët e mirëmbajtjes. Infeksionet spitalore më së shpeshti prekin qendrat mjekësore të nivelit tretësor (spitalet universitare), respektivisht repartet e kujdesit intensiv dhe ato të kirurgjisë. Njësitë e Kujdesit Intensiv trajtojnë një numër të kufizuar të pacientëve, mirëpo ato e kanë shkallën më të lartë të infeksioneve spitalore”, tregojnë të gjeturat e Rakës.

Tutje thuhet se dëmet gjatë përkujdesjes mjekësore janë rritur me avancimin e teknologjisë mjekësore.

“Kujdesi shëndetësor shpëton jetë dhe ka sjellë shumë dobi për pacientët, por njëkohësisht bart me vete edhe rreziqe të konsiderueshme e ndërlikime, siç janë: infeksionet gjatë kujdesit shëndetësor dhe gabimet e punëtorëve shëndetësorë. Potenciali për të sjellë dëm gjatë përkujdesjes mjekësore është rritur me avancimin e teknologjisë mjekësore përmes rinovimit të pajisjeve të ndryshme diagnostiko-terapeutike, të cilat bartin me vete edhe rrezikun e mundshëm për të shkaktuar infeksion te pacientët. Më së shpeshti kjo ndodh gjatë përdorimit të kateterëve brendavenoz, gjatë ventilimit me presion pozitiv, përdorimit të kateterave urinare, intervenimeve kirurgjike, rrezatimit etj”, është thënë më tej.

Numri i madh i vizitorëve, shkaktar i prekjes së pacientëve me infeksione

Një nga shkaqet për prekjen e pacientëve me infeksione është vlerësuar të jetë edhe numri i madh i vizitorëve në spitale.

Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Ahmet Asllani, ka thënë për “Zërin” se rastet me infeksione në këtë spital janë të rralla. Sipas tij, vizitat e shpeshta në spital mund të jenë shkaktare të infeksioneve.

“Në spitalin tonë higjiena është shumë e mirë. Vizitat e shpeshta dhe të panevojshme të palëve që vijnë për të vizituar pacientin, pra nuk duhet të vijnë nga 5-6 vetë për ta vizituar një pacient, sepse këta janë ata që i shkaktojnë infeksionet, mendoj”, ka thënë ai.

Asllani ka bërë të ditur se i kanë marrë masat e nevojshme për t’i mbrojtur pacientët nga infeksionet.

Në anën tjetër drejtori i Spitalit të Gjilanit, Nisret Hajrullahu, ka thënë për gazetën “Zëri” se në këtë spital nuk ka pasur ankesa sa u përket infeksioneve. Ai ka thënë po ashtu se si spital nuk kanë marrë raporte sa i përket prekjes së pacientëve me infeksione.

Veseli: Personeli mjekësor rrezikohet nga shumë sëmundje

Drejtori i Klinikës së Biokimisë në QKUK, Shemsi Veseli, ka thënë për “Zërin” se personeli mjekësor rrezikohet më së shumti nga infeksionet. Sipas tij, mjekët në këtë klinikë rrezikohen nga sëmundje të ndryshme si ajo e HIV-it dhe e hepatitit.

“Ne mund të marrim sëmundje të ndryshme në qoftë se nuk i kemi masat mbrojtëse, duke u nisur prej sëmundjes HIV, malaries e hepatitit e shumë sëmundje të tjera që shkojnë në shkallë shumë të lartë të rrezikshmërisë. Për pacient më e ulët është shkalla e rrezikshmërisë, sepse janë të gjitha mjetet adekuate. Shkalla e rrezikshmërisë për pacient është gati zero”, ka thënë ai.

Sipas tij, në të gjitha laboratorët e botës ka një shkallë të lartë të rrezikshmërisë për mjekët. Veseli ka thënë më tej se pret që me anë të një komisioni shumësektorësh do të mundë të bëhet edhe vlerësimi i rrezikshmërisë në klinika.

“Dihet botërisht se laboratorët në gjithë botën e kanë një shkallë të lartë të rrezikshmërisë, për shkak të punës që bëhet dhe të materialit biologjik, sepse shumë pacientë që vijnë te ne potencialisht mund të llogarisim se janë të sëmurë, pavarësisht se a janë ose s’janë. Ka vend ende për të përmirësuar e sidomos besoj se një komision që është propozuar që do të jetë shumësektorësh, mund të jetë edhe ndërministror, ku do të bëhet vlerësimi i shkallës së rrezikshmërisë edhe për Klinikën e Biokimisë dhe për të gjitha klinikat dhe në bazë të sajë edhe do të përcaktohet se a do të ketë koeficient shtesë për ata që janë të atakuar nga rreziqet”, ka theksuar ai./ZERI