Zgjedhjet në veri, Lista Serbe aplikon e fundit
Foto: Laura Hasani

Zgjedhjet në veri, Lista Serbe aplikon e fundit

Aktuale April 19, 2019 - 08:04
Lajmet e fundit nga vendi!
Image

Lista Serbe ka pritur momentet e fundit t’i hyjë garës në zgjedhjet, që do të mbahen më 19 maj të këtij viti në katër komunat veriore. Përpos kësaj partie serbe, garës do t’ia mësyjnë PDK-ja dhe LVV-ja, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Lista Serbe (LS) në orët e vona të së enjtes e ka dorëzuar aplikacionin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore, të cilat do të mbahen më 19 maj të këtij viti.

LEXO EDHE: Ultimatumi s’e heq taksën

Përveç Listës Serbe, në zgjedhjet për Mitrovicën e Veriut, Zveçanin, Leposaviçin dhe Zubin Potokun do të marrin pjesë edhe dy subjekte politike shqiptare: Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje, shkruan më tutje "Zëri".

Lista Serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet e 19 majit e ka arsyetuar me pengimin që veriun e Kosovës ta udhëheqin kryetarët shqiptarë. Pëlqimin për pjesëmarrjen në këto zgjedhje drejtuesit e subjektit politik më të madh serb në vend e kanë marrë edhe nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

KQZ-ja do t’i shqyrtojë aplikimet

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë për “Zërin” se pas pranimit të aplikimit për pjesëmarrje në zgjedhje të partive politike, KQZ-ja do t’i shqyrtojë aplikimet për certifikim ose jo të subjekteve politike.

“Të gjitha aplikimet që pranohen do të shqyrtohen nga Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe për Certifikim dhe pastaj do t’i paraqesë në KQZ rekomandimet përkatëse për çdo aplikim, për certifikim ose jo”, ka thënë Elezi.

Ai tutje ka shtuar se planifikimi i zgjedhjeve dhe përgatitjet janë duke shkuar konform detyrimeve kushtetuese.

“Në përmbushje të detyrimeve kushtetuese e ligjore Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me përgatitjet për organizimin e këtyre zgjedhjeve. Këto përgatitje janë duke shkuar sipas planifikimeve”, ka deklauar Elezi.

LDK-ja dhe AAK-ja bojkotojnë zgjedhjet në veri

Përveç Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje asnjë subjekt tjetër politik shqiptar nuk do të bëhet pjesë e zgjedhjeve për kryetarë të komunave veriore.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka thënë për gazetën “Zëri” se strukturat e LDK-së nuk e kanë parë të arsyeshme të bëhen pjesë e këtyre zgjedhjeve komunale në veri të Kosovës.

“Jo ne si LDK nuk kemi aplikuar që të marrim pjesë në këto zgjedhje dhe uroj që qytetarët e Kosovës të cilët jetojnë atje dhe partitë, të cilat ata i përkrahin të aplikojnë. Ne nuk kemi aplikuar, sepse ashtu e kanë vlerësuar strukturat tona në atë pjesë të Kosovës”, ka thënë Rugova.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re e kanë konfirmuar për “Zërin” se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e veriut. Deputeti i AKR-së, Islam Pacolli, duke e konfirmuar për “Zërin” se nuk do të jenë pjesë e zgjedhjeve u ka bërë thirrje partive politike shqiptare që të marrin pjesë të bashkuara në zgjedhjet në veri, në mënyrë që edhe shqiptarët të cilët jetojnë në atë pjesë të vendit të kenë përfaqësues politikë nëpër komuna.

"Mendoj se ne shqiptarët në pjesën e veriut, meqë jemi shumë pak, duhet të jemi të unifikuar dhe të shkojmë me nga një kandidat nëpër ato komuna e jo me shumë kandidatë dhe në fund pa vota fare. Unë u bëj apel të gjithëve që të mos e këqyrin vetëm përkatësinë politike, por të kandidojmë me kandidatë të përbashkët që edhe përkrahjen ta kemi më të madhe", ka thënë Pacolli.

Baraliu: Partitë politike, të papërgjegjshme ndaj afateve ligjore

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, ka thënë për "Zërin" se ka kohë që partitë politike në veri e praktikojnë formën e aplikimit për pjesëmarrje në zgjedhje në momentet e fundit. Sipas tij, veprimet e tilla janë papërgjegjësi ndaj afateve ligjore.

"Është bërë një praktikë e kahershme që vazhdon të bazohet në punën joefikase dhe në papërgjegjshmërinë politike të disa subjekteve të caktuar që t’i shfrytëzojnë afatet dhe momentet e fundit t’i përgatisin dokumentet e duhura për t’i kryer obligimet e tyre sa i përket regjistrimit dhe certifikimit në KQZ", ka thënë Baraliu.

Ai ka thënë se partitë serbe në Kosovë po sillen ndaj institucioneve të Kosovës ashtu siç po urdhërohen nga Beogradi.

"Partitë serbe bëjnë kalkulime të ndryshme të rrethanave politike dhe varësisht se si u konvenon, i marrin instruksionet nga Beogradi dhe ashtu do të sillen. Nuk pritet asgjë e mirë fatkeqësisht, duke u bazuar në praktikën e deritanishme të sjelljes së tyre, të cilat janë të dirigjuara dhe të instrumentalizuara drejtpërsëdrejti nga Beogradi", ka thënë Baraliu./ZERI