Mund të organizohen takime private mes liderëve të Kosovës dhe të Serbisë në Berlin
Foto: Laura Hasani

Mund të organizohen takime private mes liderëve të Kosovës dhe të Serbisë në Berlin

Aktuale April 12, 2019 - 08:31
Lajmet e fundit nga vendi!
Image

Me ftesë të kancelares gjermane Angela Merkel dhe të presidentit francez Emanuel Macron presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, më 29 prill 2019, do të takohen në Berlin me liderët e Ballkanit Perëndimor, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Në këtë takim, në të cilin do të marrin pjesë edhe kryeministrja serbe Ana Brnabiq dhe presidenti Aleksandar Vuçiq, pritet të diskutohet edhe për dialogun me Serbinë, ndonëse ende nuk është bërë publike agjenda.

LEXO EDHE: Pas 5 muajve Mitrovica e Veriut dhe Zveçani ftojnë seancat komunale

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se me këtë takim Gjermania e Franca po mundohen të ndikojnë pozitivisht në arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.

Ata kanë kërkuar nga presidenti Thaçi dhe nga kryeministri Haradinaj të kenë qëndrime të unifikuara në Berlin.

Pavarësisht diskutimit për dialogun, analistët thonë se ekipi negociator nuk duhet të jetë pjesë e këtyre takimeve derisa nuk marrin funksion kushtetues.

Në një përgjigje për “Zërin” nga Kryeministria është thënë se agjenda e diskutimit në Berlin do të përcaktohet nga palët që e kanë ftuar Kosovën në këtë takim, por që pjesë e kësaj agjende do të jenë edhe raportet rajonale.

“Sa i përket asaj se çfarë do të diskutohet është agjendë e përcaktuar nga pala, e cila e fton Kosovën dhe janë kryesisht raportet rajonale e zhvillimet në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor. Mirëpo çfarëdo që do të flitet ne do të lëshojmë komunikatë dhe njoftim zyrtar me kohë”, thuhet në përgjigjen e Kryeministrisë.

Mirëpo dje në një konferencë për medie Haradinaj u shpreh se ende nuk e di se a do të bisedohet për dialogun me Serbinë në Berlin, porse do të kërkojë së paku tema e liberalizimit të vizave të vihet në tavolinë.

Rugova: Samiti i Berlinit nuk mund ta rinisë dialogun Kosovë - Serbi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Naser Rugova, në një përgjigje për "Zërin" u shpreh se tema e dialogut Kosovë - Serbi mund të jetë pjesë e Samitit të Berlinit, por kjo nuk mund të ndihmojë në rifillimin e fazës finale të bisedimeve. Sipas Rugovës, aktualisht në lidhje me këtë proces nuk ka gatishmëri as nga palët e përfshira në dialog, por as nga vetë ndërkombëtarët.

"Në Samitin e Berlinit përfaqësuesit nga Kosova mund t’i takojnë edhe përfaqësuesit serbë, por unë nuk konsideroj se kjo mund të iniciojë rrjedhë normale të rifillimit të dialogut mes Kosovës e Serbisë. Nuk shoh klimë politike dhe gatishmëri të faktorit ndërkombëtar e në veçanti të përfaqësuesve shtetërorë të Kosovës e të Serbisë se do të ketë zhvillim serioz sa i përket dialogut dhe hapa substancialë në këtë drejtim", është shprehur Rugova.

Kërkohet unifikim qëndrimesh për takimin në Berlin

Monitoruesja e Dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Institutin Demokratik të Kosovës, Viloeta Haxholli, në një përgjigje për “Zërin” është shprehur se në takimin në Berlin do të mundë të flitet për dialogun Kosovë - Serbi, madje ajo theksoi se ka mundësi të takimit privat mes përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë me Merkelin dhe me Macronin.

“Me siguri se tema e dialogut do të përmendet në këtë takim e ndoshta edhe do të organizohet takim privat mes përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë bashkë me kancelaren Merkel dhe me presidentin Macron”, është shprehur Haxholli.

Mirëpo ajo potencoi se në rast të bisedimit të kësaj teme duhet unitet qëndrimesh nga ana e presidentit Thaçi dhe nga ana e kryeministrit Haradinaj.

“Është e rëndësishme se presidenti dhe kryeministri t’i koordinojnë qëndrimet e tyre para Gjermanisë dhe para Francës. E dimë se kanë qëndrime të ndryshme për të cilat mendoj se duhet takim i tyre para atij të Berlinit për t’u koordinuar që Kosova të prezantohet njëzëri, sepse në të kundërtën do të ishte situatë joserioze”, ka deklaruar Haxholli.

Edhe njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, ka thënë për "Zërin" se dialogu me Serbinë është arsyeja kryesore pse kryeministri Haradinaj e presidenti Thaçi janë të ftuar në Berlin nga të cilët kërkoi përfaqësim unik.

“Gjermania dhe Franca duket se kanë vendosur të marrin rol më aktiv dhe më udhëheqës në përpjekjet ndërkombëtare për t’i përafruar pozicionet dhe për të mundësuar marrëveshje ligjërisht obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ajo që mendoj se është shumë e rëndësishme në këtë fazë në të cilën ndodhet Kosova është përfaqësimi unik i interesit të Kosovës para liderëve evropianë”, theksoi Fetoshi.