Pas 5 muajve Mitrovica e Veriut dhe Zveçani ftojnë seancat komunale

Pas 5 muajve Mitrovica e Veriut dhe Zveçani ftojnë seancat komunale

Aktuale April 12, 2019 - 08:13
Lexoni detajet e fundit
Image

Vendimi i krerëve të Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetarë të komunave veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, të cilat i ka shpallur presidenti i vendit Hashim Thaçi kanë nxitur reagimin e shpejtë edhe të kryesuesve të kuvendeve komunale të komunave veriore që t’i japin fund bojkotit pesë muajsh të punës së kuvendeve, prejse kryetarët e komunave veriore kanë dhënë dorëheqje, shkraun Gazeta Zeri.

Lexo gjithashtu: “Batalioni” i të ftuarve nga Specialja

Komuna e Zveçanit dhe ajo e Mitrovicës së Veriut janë të parat që kanë thirrur seancat e kuvendeve komunale për të hënën, në të cilat, sipas informacioneve të gazetës “Zëri”, do të diskutohet për gjendjen e sigurisë dhe për situatën politike në rajonin e komunës. Mbledhja e Kuvendit të Zveçanit është e para pas pesë muajve që kryetarët e komunave veriore kanë nënshkruar deklaratën për ndërprerjen e komunikimit, të bashkëpunimit dhe të raporteve të punës e institucionale me institucionet e Prishtinës.

Deklaratën për ndërprerjen e komunikimit me Prishtinën e kishte nënshkruar edhe shumica e këshilltarëve komunalë të Mitrovicës së Veriut, të Leposaviqit, të Zubin Potokut dhe të Zveçanit dhe prej atëherë asnjë nga komunat veriore nuk ka mbajtur mbledhje komunale.

Në mungesë të funksionimit të kuvendeve komunale, komunat veriore nuk kanë arritur as t’i diskutojnë dhe as t’i shqyrtojnë raportet për harxhimin e buxhetit për vitin 2018. Më 27 nëntor 2018, pas nënshkrimit të deklaratës, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, pati deklaruar se “nga sot administratat lokale dhe qeverisjet me sistemin e Prishtinës në veri nuk ekzistojnë”.

Mbledhjet e kuvendeve komunale ftohen më 16 prill

Pas Zveçanit edhe Mitrovica e Veriut ka ftuar mbledhjen e Kuvendit, e cila gjithashtu do të mbahet të hënën më 16 prill. Zëvendëskryesuesi i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, Bashkim Cimili, ka thënë se Kuvendi nuk ka funksionuar prejse kryetari Rakiq dhe këshilltarët komunalë serbë kanë nënshkruar deklaratën për ndërprerjen e komunikimit me institucionet e shtetit të Kosovës, por ai ka ripërsëritur se administrata komunale ka kryer punët normalisht dhe se shërbimet ndaj qytetarëve janë kryer pa asnjë problem.

Cimili i ka thënë gazetës “Zëri” se kryesuesi i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, Dejan Gurishiq, gjithashtu ka ftuar seancën e rregullt të Kuvendit të Mitrovicës së veriut për 16 prill. “Unë kam marrë ftesën për seancën e rregullt të Kuvendit, në të cilën sipas rendit të ditës do të miratohet procesverbali i seancës së 11-të të rregullt, si dhe do të diskutohet për gjendjen, për sigurisë dhe për situatën politike në pjesën veriore të Mitrovicës”, ka thënë Cimili.

Zëvendëskryesuesi i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, Bashkim Cimili, i tha gazetës se vakuumi në punën e Kuvendit ka bërë që shumë vendime të rëndësishme për qytetarët të mos mundë të merren.

“Puna e Kuvendit ka qenë thjesht e paralizuar. Asnjë vendim nuk ka mundur të merret, sepse seancë e Kuvendit nuk është thirrur asnjëherë për pesë muaj. Këshilltarët nga radhët e subjekteve politike gjithashtu i kanë nënshkruar deklaratat për ndërprerje të komunikimit dhe të bashkëpunimit me Prishtinën. Por puna e administratës komunale ka vazhduar normalisht dhe punët janë kryer”, ka thënë Cimili, sipas të cilit me administratën komunale udhëheq Adriana Hoxhiq, shefe e Administratës Komunale në Mitrovicën Veriore. Hoxhiq, e cila ka zëvendësuar Rakiqin, disa herë gjatë pesë muajve të fundit ka paraqitur raporte edhe financiare të Komunës Veriore, por edhe projektet parësore të Mitrovicës së Veriut për vitin 2019.

Pjesëmarrja në zgjedhje është në interes të serbëve

Në anën tjetër, vendimi i Listës Serbe për të dalë në zgjedhjet e 19 majit për kryetarë të komunave veriore është pritur me entuziazëm nga qytetarët në veri.

Drejtori i Qendrës Spitalore në veri të Mitrovicës, Millan Ivanoviq, ka vlerësuar se pjesëmarrja në zgjedhje është mënyra e vetme për t’i penguar shqiptarët të zbatojnë politikën e tyre kundër interesave të serbëve të Kosovës, ndërkaq një qytetar serb, Zvonimir Shmigiq, tha se është në interes të serbëve që subjektet politike serbe të marrin pjesë në zgjedhje.

“Në këtë mënyrë komunat veriore sërish do të udhëhiqen nga serbët, pasi ata përbëjnë shumicën absolute. Tani mbetet që organet të cilat përkujdesen për sigurinë e qytetarëve të Kosovës ta bëjnë punën e vet, në mënyrë që në ditën e zgjedhjeve votimi të shkojë qetë dhe pa probleme”, ka thënë ai.

Sipas Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, kuvendet shpallen jofunksionale nëse nuk arrijnë ta mbajnë asnjë seancë në periudhën më të gjatë se gjashtë muaj.

Në një rast të tillë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e informon Qeverinë për mosfunksionimin e Kuvendit për çka Qeveria e Kosovës mund edhe ta shpërbëjë Kuvendin Jofunksional. Seancat e kuvendeve të komunave veriore për herë të fundit janë mbajtur në nëntorin e vitit të kaluar.