Kolonizimi i veriut po ndodh, 300 shtëpi u ndërtuan te “Lugina e Diellit”
FOTO: Laura Hasani

Kolonizimi i veriut po ndodh, 300 shtëpi u ndërtuan te “Lugina e Diellit”

Aktuale March 25, 2019 - 08:20
Lexoni detajet

Image

 

Rreth 13 mijë shqiptarë, të cilët janë dëbuar gjatë luftës së fundit dhe në shkurtin e vitit 2000 nga banesat e shtëpitë e tyre në veri të Mitrovicës, edhe më tutje jetojnë si refugjatë në jug të Mitrovicës, vetëm disa metra larg nga banesat përtej urës prej nga janë dëbuar, ndërkohë institucionet e shtetit të Kosovës nuk kanë bërë asgjë që atyre t’u sigurohet kthimi, shkruan sot gazeta "Zëri".

Rreth 500 prona të shqiptarëve mbahen të uzurpuara nga serbët, ndonëse në fund të vitit të kaluar 20 prej tyre janë rinovuar nga një organizatë e huaj për t’u krijuar kushte pronarëve që të kthehen. Shqiptarët kanë vështirësi të kthehen sidomos me ndarjen e qytetit të Mitrovicës në dy pjesë, jug dhe veri, ndërkohë deri atëherë Komuna e Mitrovicës nëpërmes një aksioni “Ndihmo edhe ti” kishte arritur të ndërtojë rreh 100 shtëpi në lagjet veriore të banuara me shqiptarë.

LEXO EDHE: Kërkohet luftë ndaj korrupsionit, taksa në plan të dytë

Por me ardhjen në pushtet të Goran Rakiqit në Komunën Veriore të Mitrovicës ndërtimi i shtëpive të shqiptarëve është ndërprerë dhe secili që ka marrë iniciativën të ndërtojë është përballur me policinë dhe me inspektorët e Komunës Veriore.

Derisa shqiptarët nuk lejohen të ndërtojnë në pronat e tyre në veri dhe derisa shqiptarët nuk lejohen të kthehen në banesat e tyre përtej urës, prej nga janë dëbuar gjatë luftës, por edhe në shkurtin e vitit 2000, Serbia vazhdon të investojë shuma të mëdha të mjeteve për ndërtimin e objekteve të larta të banimit, si dhe të vendbanimeve të reja me qellim që serbët nga Serbia të kthehen në KosovëKthimi të serbëve nga Serbia në Kosovë, i kontribuuar edhe BE-ja, e cila para pak ditëve ka ndarë 5.6 milionë euro për financimin e projektit “Kthimi i qëndrueshëm – mbështetja dhe fuqizimi”, në kuadër të të cilit serbëve të zhvendosur në pjesë të ndryshme të Serbisë u është bërë thirrje të kthehen në Kosovë dhe atyre do t’u jepen nga 2.500 euro.

Një vendbanim i ri për serbët në Zveçan, “Lugina e Diellit” gati sa nuk ka përfunduar së ndërtuari, pasi që 300 shtëpi tashmë kanë marrë formë. Pjesa e vrazhdë ka përfunduar dhe tani ka filluar meremetimi i shtëpive. Krahas 300 shtëpive, të cilat do të popullohen me 1500 serbë nga Serbia, në këtë vendbanim do të ndërtohen një kishë, kopshti i fëmijëve, një objekt shëndetësor dhe një shtëpi e kulturës. Për këtë projekt Serbia ka paralajmëruar të investojë 25 milionë euro, ndërsa zyrtarët më të larë të shtetit serbë kanë thënë se në vendbanimin “Lugina e Diellit” investon edhe Kina. Shqiptarët e Mitrovicës vlerësojnë se me këto projekte Serbia po e rikolonizon Kosovën dhe njëkohësisht kanë kërkuar nga institucionet e shtetit që ndërtimi i këtij vendbanimi të ndërpritet.

Halit Barani, kryetar i Qendrës Rajonale të KMDLNJ-së në Mitrovicë, ka thënë se Serbia është duke kryer kolonizim të pastër me sjelljen e serbëve nga Serbia në pjesën veriore të Mitrovicës dhe në Zveçan. “Ky është kolonizim i pastër dhe këtë Serbia e bën hapur. ‘Lugina e Diellit’ është një projekt që sjell në veri serbë, të cilët nuk kanë jetuar kurrë në atë pjesë, ndërsa në anën tjetër shqiptarët nuk lejohen as të ndërtojnë në pronat e tyre në lagjet veriore e as nuk lejohen të kthehen në banesat e tyre që edhe më tutje mbahen të uzurpuara nga serbët”, ka thënë Barani.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, i cili këmbëngul që Mitrovica të bashkohet dhe për këtë ide të tij madje edhe është nënshkruar një peticion që është dorëzuar në Qeverinë e Kosovës dhe në Kuvendin e Kosovës, vlerëson se fajtore pse shqiptarët nuk po mundë të kthehen në pronat e tyre dhe për kthimin e serbëve që nuk kanë jetuar kurrë në Kosovë janë institucionet e shtetit të Kosovës, para së gjithash Qeveria e Kosovës. Ai ka reaguar edhe ndaj BE-së për shkak se ka ndarë 5.6 milionë euro për kthimin e serbëve nga Serbia në Kosovë dhe për gjendjen gjithashtu e bën fajtore BE-në. Bahtiri ka thënë se disa ministri udhëhiqen nga Lista Serbe dhe në këtë mënyrë nuk ka mundur akoma të realizohet ideja e tij për bashkimin e qytetit të Mitrovicës. “Mbi 13 mijë shqiptarë të dëbuar me dhunë nga veriu i Kosovës, e veçanërisht nga pjesa veriore e Mitrovicës, akoma nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre, duke jetuar si refugjatë në pjesën jugore të qytetit dhe në qytete tjera të Kosovës. Kthimin e tyre për 20 vjet me radhë e penguan strukturat kriminale serbe, qoftë përmes zyrtarëve të zgjedhur në institucione komunale në veri ose edhe përmes grupeve mafioze që mbollën terror me veprimet e tyre, që shkuan deri në vrasje”.