Kërkohet luftë ndaj korrupsionit, taksa në plan të dytë
FOTO: Laura Hasani

Kërkohet luftë ndaj korrupsionit, taksa në plan të dytë

Aktuale March 25, 2019 - 07:46
Lexoni detajet
Image

Ambasadori i SHBA-së dhe ai i Britanisë së Madhe në Prishtinë gjatë javës së kaluar kanë kërkuar vazhdimisht të luftohet korrupsioni, nepotizmi, por asnjë fjalë nuk e kanë thënë për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe. Për shkak të zhvillimeve politike në Serbi dhe në BE, ku pritet të mbahen zgjedhjet në maj të këtij viti, vlerësohet se çështja e taksës po lihet në plan të dytë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ndonëse në fund të muajit shkurt dhe në pjesën e parë të marsit presioni ndërkombëtar për heqjen e taksës kishte arritur kulmin, gjatë javës që lëmë pas nuk është dëgjuar asnjë thirrje nga bashkësia ndërkombëtare për pezullimin e tarifës. Përkundrazi, ambasadorët e vendeve të QUINT-it kanë mbajtur takime e konferenca të vazhdueshme, por përpos kërkesave për luftim të korrupsionit e të nepotizmit nuk kanë përsëritur fare kërkesën për suspendim të masës 100 për qind ndaj produkteve serbe.

LEXO EDHE: Ganimete Musliu i kërkon Haradinajt shkarkimin e zëvendësministres serbe

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se një zbehje e tillë e presionit ndërkombëtar vjen si rrjedhojë e mostërheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj nga vendimi për taksën, si dhe për shkak të zhvillimeve të brendshme në Serbi. Sipas tyre, Serbia aktualisht po ballafaqohet me protesta masive kundër presidentit Aleksandër Vuçiq dhe në këtë formë as pala serbe aktualisht nuk ka gatishmëri për vazhdimin e dialogut, me ç’rast shihet e pamundur një marrëveshje përfundimtare mes dy shteteve gjatë këtij viti, shkruan tutje gazeta "Zëri".

Por pavarësisht kësaj, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq, gjatë një përgjigjeje dhënë gazetës “Zëri” ka kërkuar edhe një herë që tarifa prej 100 për qind e vendosur ndaj produkteve që vijnë nga Serbia e Bosnjë e Hercegovina të pezullohet sa më parë.

Kossnet dhe O’Connell e “harrojnë” për një javë taksën

Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett, gjatë javës së kaluar deklaroi se Kosova po vazhdon të pengohet nga korrupsioni, nga sulmet ndaj gazetarëve e nga dëbimi i shtetasve të huaj. Një gjë të tillë ambasadori amerikan e potencoi pas publikimit të raportit të Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut në botë për vitin 2018. Pak ditë pas Kosnett foli edhe për udhëheqjen e grave, me ç’rast tha se Kosova arrin sukses vetëm atëherë kur gratë janë vendimmarrëse. Sipas tij, pjesëmarrja e grave në punë është në nivel tejet të ulët. “Me 18 për qind të grave në fuqi punëtore Kosova ka pjesëmarrjen e ulët të grave në punë”, nënvizoi diplomati amerikan. Mirëpo në asnjërin rast Kosnett nuk përmendi çështjen e taksës, pavarësisht se javë më parë kishte qenë tejet i zëshëm lidhur me këtë çështje.

Përgjatë shtatë ditëve të kaluara njëjtë veproi edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruairi O’Connell. Ndonëse u deklarua për punësimet në bazë të familjarizmit, ku tha se punësimet e tilla dëmtojnë inkuadrimin e kuadrove profesionale, ai nuk përmendi fare pezullimin e taksës.

Kocijançiq: Kosova ta pezullojë taksën

Pavarësisht faktit se ditët e fundit është ulur presioni ndërkombëtar për pezullim të taksës zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq, ka përsëritur edhe një herë se BE-ja vazhdon të konsiderojë se tarifa ndaj produkteve serbe e atyre boshnjake duhet të suspendohet. “Siç është thënë në vazhdimësi, BE-ja së bashku me SHBA-në dhe me shtetet e tjera i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta pezullojë menjëherë tarifën, në mënyrë që të mundësojnë rifillimin e shpejtë të dialogut. Status quo-ja nuk është një alternativë dhe nuk ka mundësi tjetër për rifillimin e shpejtë të dialogut midis dy palëve. Tarifa jo vetëm që pengon rrugën e dialogut, por pengon edhe rrugën evropiane të Kosovës”, ka theksuar Kocijançiq gjatë një prononcimi për “Zërin”.

PDK, e vetmja që insiston në heqjen e taksës

Se taksa ndaj produkteve serbe duhet të pezullohet ka deklaruar edhe deputeti i PDK-së Hajdar Beqa, i cili ka thënë se kjo masë tashmë e ka arritur efektin e saj. “Mendoj se zgjidhja rreth çështjes së taksës është që ajo të pezullohet. Por nëse Serbia nuk reflekton as pas pezullimit, atëherë ne duhet prapë ta vëmë taksën”, është shprehur ai.

Kosova sipas Beqës nuk ka kohë për të humbur, pasi viti 2019 është një momentum për ta zgjidhur përfundimisht çështjen me Serbinë. “Ne duhet t’i shikojmë interesat e shtetit tonë. Taksa ka qenë një vendim i drejtë në raport me kohën, konsideroj se e ka arritur efektin dhe duhet të pezullohet deri në reflektimin e palës tjetër”, ka potencuar ai.

AAK: Taksa do të vazhdojë derisa të vijë garancia për njohje

Për dallim prej PDK-së, që po vazhdon të kërkojë pezullimin e taksës, nënkryetarja e AAK-së Teuta Haxhiu ka thënë se tashmë është dëshmuar që taksa ka qenë vendim i drejtë dhe se është vendosur për shkak të interesit të vendit. “Konsideroj se u dëshmua që ky vendim i Qeverisë është vendim i drejtë. Nuk u vendos pse ne kishim dëshirë, por për shkak se neve na ishte imponuar. Taksa është një qëndrim i paluhatur i kryeministrit Haradinaj, të cilin e kanë fuqizuar qytetarët, pasi çdo ditë e më shumë kërkojnë që taksa të mos hiqet”, ka deklaruar ajo.

Sipas Haxhiut, Kosova duhet ta shohë interesin e saj dhe të mos e heqë taksën derisa nuk jepet një garanci nga ndërkombëtarët për njohjen e Kosovës nga Serbia. Por për një gjë të tillë, sipas saj, është tejet me rëndësi që të ketë një qëndrim unik mes spektrit politik në Kosovë.

Arsyet që zbehën presionin ndërkombëtar për pezullimin e taksës

Teksa ka folur rreth faktit që bashkësia ndërkombëtare kohët e fundit ka ndërprerë presionin për heqje të taksës, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka vlerësuar se zbehja e presionit ndërkombëtar ka ardhur pasi ata tashmë janë bindur se idetë për korrigjim të kufijve janë të rrezikshme. “Besoj se të gjithë faktorët e përfshirë në procesin e dialogut janë pajtuar që ideja për ndërrimin e kufijve, ideja antikombëtare e Thaçit është e dëmshme dhe në fakt është e panegociueshme. Kam përshtypjen se kjo ka ndikuar më tepër që të zbehet përpjekja e ndërkombëtarëve për të bërë presion mbi Prishtinën, sepse e kanë parë që idetë fillestare të presidentit Vuçiq dhe të presidentit Thaçi janë të pazbatueshme dhe shumë të rrezikshme për vendin”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Megjithëkëtë, Selmanaj ka thënë se ruajtja e marrëdhënieve me ndërkombëtarët për LDK-në është tejet e rëndësishme dhe e padiskutueshme.“Për LDK-në ruajtja e raporteve me bashkësinë ndërkombëtare është e pakontestueshme dhe e pacenueshme. Askush nuk guxon t’i cenojë raportet me miqtë ndërkombëtarë”, ka nënvizuar Selmanaj.

Kurse deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Ismajl Kurteshi ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e LVV-së se vendimi për taksën ka qenë i drejtë dhe si i tillë duhet të vazhdojë të mbahet në fuqi. Pushimi i presionit ndërkombëtar për suspendim të tarifës sipas tij ka ardhur si rrjedhojë e mostërheqjes së shefit të ekzekutivit nga vendimi për taksën. “Kjo rezistencë e kryeministrit në këtë rast ka dërguar një mesazh se vërtet është bërë mjaft duke bërë presion vetëm mbi institucionet e Kosovës dhe duke i toleruar skajshmërish veprimet destruktive të Serbisë karshi Kosovës”, ka deklaruar Kurteshi.

Në anën tjetër edhe Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka vlerësuar se presioni i bashkësisë ndërkombëtare është ndalur si rrjedhojë e këmbënguljes së kryeministrit për të mos e hequr tarifën dhe si rrjedhojë e zhvillimeve të brendshme në Serbi. “Arsyet se pse nuk po vazhdon më presioni për heqjen e taksës ka të bëjë me atë që po e shohin se kryeministri Haraidnaj pavarësisht kërkesave dhe presioneve nuk po tërhiqet nga ky vendim. Përpos kësaj, një arsye tjetër mund të jetë edhe gjendja në Serbi. Po e shohim që ka protesta masive kundër udhëheqjes së presidentit Vuçiq, çka do të thotë se as Serbia njëherë nuk është e gatshme që të vazhdojë dialogu”, ka deklaruar ajo.

Dialogu mund të mos vazhdojë deri pas zgjedhjeve të BE-së

Sipas Violeta Haxhollit, aktualisht asnjëra palë nuk po shfaq gatishmëri që dialogu të vazhdojë. Ajo më tej ka vlerësuar se gjatë muajit që vjen mund të ketë përpjekje të serishme për të vazhduar dialogu, por po ashtu ka gjasa që ky proces të mos vazhdojë deri pas zgjedhjeve të brendshme të BE-së, gjegjësisht pas muajit maj të këtij viti.

Ndërkohë njohësi i çështjeve politike Arton Demhasaj ka konsideruar se presioni i ndërkombëtarëve për heqjen e taksës është ndërprerë, por kjo nuk nënkupton zbehje të kërkesave të ndërkombëtarëve për pezullim të tarifës. “Nuk besoj se është zbehur presioni ndërkombëtar për ta hequr taksën. Por besoj që i është dhënë një afat Qeverisë së Kosovës që për një kohë të marrë një vendim lidhur me këtë”, ka deklaruar ai. Ndaj po qe se presioni ndërkombëtar vazhdon të shtohet në ditët në vijim, sipas Demhasajt Qeveria duhet ta shikojë mundësinë e pezullimit të tarifës./Zeri/