Konjufca kërkon nga qeveria të hiqet konceptdokumenti i Qeverisë për lojërat e fatit

Konjufca kërkon nga qeveria të hiqet konceptdokumenti i Qeverisë për lojërat e fatit

Aktuale March 22, 2019 - 12:01
Lajmet e fundit nga vendi!

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka kërkuar nga qeveria e Kosovës, që ta kthejë prapa konceptdokumentin për lojrat e fatit ku thuhet se përmes hapjes së tyre do të ulet papunësia dhe do të ndalet edhe dhuna në familje, raporton Zëri.info.

“Ky konceptdokumenti i qeverisë për kazino është i mjerushëm, papunësia nuk ulet duke hapur sa më shumë lojëra të fatit dhe kazino. Në këtë koncept shkruan që kazinot e ndalin edhe dhunën në familje, kush ka mujt me shkru këtë fjali, kush është ai ekspert, kjo është për gjynah. Kjo tregon çfarë koncepti ka qeveria për familjen”, ka thënë Konjufca.

Në fjalën e tij ne seancën e sotme që po zhvillohet për pezullimin e kazinove, Konjufca e mirëpriti iniciativën për të diskutuar për këtë çështje megjithëse sipas tij është pak me vonesë.

“Edhe pse me vonesë është mirë që po flasim për këtë temë, por më e keqja është që po flasim vetëm kur njerëzit po humbin jetën”, ka thënë Konjufca.

Konjufca përmendi si shqetësim frikën e gjyqësorit për ti hetuar këto kazino, ai u shpreh se frika e prokurorëve ka vetëm një shpjegim se këto kazino mund të kenë lidhje me zyrtarë të lartë të shtetit.

“Ka kazino ngjitur me institucione shkollore, fetare që domethënë këto janë drejtpërdrejtë në shpërputhje me ligjin. Duhet hetim i gjithanshëm nga ana e policisë pastaj të shkojmë edhe me procedura gjyqësore. Qysh ka mundësi që ka kazino afër këtyre institucioneve dhe kanë mundur të marrin licenca në kundërshtim me ligjin”, ka thënë ai./Zëri