Platforma për dialogun, e pakompletuar

Aktuale February 12, 2019 - 08:06
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Edhe pse ishte paralajmëruar që sot do të prezantohet platforma për dialogun me Serbinë, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë, pasi që ky dokument ende nuk është kompletuar. As pas dy takimeve që i mbajtën gjatë ditës së djeshme përfaqësuesit e ekipit negociator nuk arritën të dalin me një datë se kur kjo platformë do të kalojë në Kuvendin e Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Për t’u dakorduar për këtë platformë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, të hënën thirri në takim edhe presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj, bashkëkryesuesin e delegacionit shtetëror për dialog Fatmir Limajn, si dhe anëtarët e delegacionit Enver Hoxhajn dhe Visar Ymerin.

LEXO EDHE: Shifrat e frikshme të aksidenteve, 7 të vdekur për një muaj

Përderisa nuk pati deklarime për medie pas takimit, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj bëri të ditur se temë e diskutimit ishte platforma e dialogut që ditëve në vijim do t’i dorëzohet Kuvendit të Kosovës, pasi e njëjta sipas tij ende nuk është kompletuar.

“Ishte takim në lidhje me platformën. Ajo do të jetë e gatshme besoj deri në fund të javës nga delegacioni shtetëror për institucionet e Kosovës, Parlamentin. Nëse i japim përkrahje platformës, atëherë jemi unikë të gjithë. Shpresoj që të gjejmë një bashkëpunim edhe me partitë opozitare, pra me LDK-në, Vetëvendosjen, edhe nëse nuk janë pjesë e delegacionit mund të gjejmë një gjuhë për platformën që jemi të gjithë fitues”, ka thënë Haradinaj gjatë një vizite në qytetin e Pejës.

Pas këtij takimi me liderët shtetërorë anëtarët e ekipit negociator mbajtën një takim tjetër në orët e pasdites për t’u dakorduar platformën.

Bashkëkryesuesi i këtij ekipi, Fatmir Limaj, bëri të ditur që platforma nuk është ende e gatshme, mirëpo deri në fund të javës do të kompletohet.

“Sot kemi punuar shumë për këtë platformë, edhe nesër do të vazhdojmë punën. Jemi duke folur për një dokument shumë të ndjeshëm dhe duhet të jemi të kujdesshëm për çdo fjalë që thuhet në letër. Edhe nesër do të punohet, nuk e di a do ta përfundojmë nesër, por deri në fund të javës ky dokument do të kompletohet”, ka thënë Limaj pas takimit me ekipin negociator.

LDK-ja dhe LVV-ja nuk e votojnë platformën

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për “Zërin” ka thënë se partia e saj nuk mbështet asnjë veprim të ekipit negociator, ekip ky që sipas saj është vënë në favor të plotë të interesave të presidentit Hashim Thaçi.

“Të gjitha këto veprime, të cilat ekipi negociator i ka ndërmarrë, janë në shërbim të plotë të Hashim Thaçit dhe në shërbim të projektit të tij të rrezikshëm për ‘shkëmbimin territorial’. Ne nuk mbështesim projekte të tilla dhe ekipe të tilla qeveritare, të cilat nuk kanë vija të kuqe për territorin e Kosovës në bisedime me Serbinë”, ka thënë ajo.

Të njëjtën gjë e ka thënë edhe deputetja e LDK-së Besa Gaxherri, e cila vlerëson që platforma dhe ekipi negociator në përgjithësi janë lojë e koalicionin qeverisës dhe e presidentit Hashim Thaçi.

“Kemi pasur dhe kemi ende kritika për këtë platformë, sepse gjithçka është e paqartë dhe është një lojë të cilën e kanë kurdisur koalicioni qeverisës së bashku me presidentin. Platformën ende nuk e kemi parë dhe ne duhet të mblidhemi si subjekt politik e ta kemi një qëndrim unik për të”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Haxholli: Platforma nuk paraqet unitetin e partive politike

E Violeta Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë që ndonëse kjo platformë do të kalojë në Kuvendin e Kosovës, e njëjta nuk paraqet unitetin e spektrit politik për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, pasi po kundërshtohet nga LDK-ja dhe LVV-ja.

“Platforma është vazhdimësi e Projektligjit për Dialog dhe mendoj se do të përkrahet nga partitë që kanë votuar pro Ligjit për Dialog, pra koalicioni qeverisës dhe PSD-ja. Si e tillë nuk paraqet unitetin e partive politike, pasi nuk pres që do të përkrahet nga dy partitë opozitare LDK-ja dhe LVV-ja”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Sipas saj, kjo gjë është në dëm të vendit, pasi që përsëri nuk po arrihet të ndërtohet një qëndrim unik shtetëror për dialogun me Serbinë.