Shifrat e frikshme të aksidenteve, 7 të vdekur për një muaj

Kronika February 12, 2019 - 08:02
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Vetëm gjatë muajit të kaluar 7 vetë kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në komunikacion, përderisa ditë më parë një grua shtatzënë humbi foshnjën dhe vetë është në rrezik për jetë si pasojë e përplasjes nga një kamionetë. Duke u bazuar në statistikat e Policisë, mesatarisht rreth 40 aksidente në ditë ndodhin në rrugët e Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Rrugët e Kosovës vazhdojnë të përgjaken pothuajse çdo ditë si pasojë e numrit të madh të aksidenteve në komunikacion.

LEXO EDHE: Ushtria, përkrahja dhe 'goditja' amerikane

Viktima e fundit është një grua shtatzënë, e cila u godit nga një kamionetë të shtunën e 9 shkurtit e që si pasojë e aksidentit ka humbur foshnjën, derisa vetë ende është në rrezik për jetë, shkruan më tutje Gazeta "Zëri". 

E aksidentuara po vazhdon të trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po mbikëqyret nga stafi mjekësor në Repartin Intensiv. Këtë të enjte ajo pritet t’i nënshtrohet një operacioni në Klinikën e Ortopedisë.

Në rrjete të ndryshme sociale njerëzit kanë filluar të kërkojnë ndihma monetare për trajtimin e saj jashtë vendit, përderisa në QKUK thonë se do të shihet pas operacionit nëse ka nevojë për një gjë të tillë, pasi aktualisht është nën kujdesin e mjekëve.

“Zyra për informim në QKUK ju informon se pacientja ndodhet nën mbikëqyrje intensive të stafit mjekësor të intensives qendrore. E njëjta pritet t’i nënshtrohet ditën e enjte një operacioni në Klinikën e Ortopedisë”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të QKUK-së.

Rreth 40 aksidente në ditë gjatë janarit

Viti 2019 ka nisur mbrapsht sa i përket sigurisë në komunikacion, pasi që vetëm në muajin janar kanë vdekur 7 persona si pasojë e aksidenteve.

Sipas shifrave të Policisë, në janar kanë ndodhur 1172 aksidente, prej tyre 848 me persona të lënduar. Në vitin e kaluar në aksidente komunikacioni kanë vdekur 129 persona, prej tyre 29 kanë qenë këmbësorë, 50 drejtues automjetesh dhe 50 pasagjerë.

Po ashtu gjatë atij viti janë shqiptuar mbi 400 mijë tiketa për kundërvajtje në trafikun rrugor.

Në një përgjigje për “Zërin” nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, është thënë se Polica e Kosovës po bën përpjekje intensive përmes planeve operacionale, fushatave vetëdijesuese e të tjera që të reduktohen aksidentet rrugore.

Gjithashtu ai ka përmendur që Policia do të vazhdojë të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve që bien ndesh me rregullat e ligjit në trafik, me qëllim ngritjen e nivelit të sigurisë në rrugë dhe parandalimin e aksidenteve rrugore në përgjithësi.

Përveç këtyre aktiviteteve, Policia ka paraparë edhe disa metoda tjera për parandalimin e aksidenteve rrugore e sidomos atyre me fatalitet.

“Policia ka formuar edhe Task-Forcën për parandalimin e aksidenteve në trafikun rrugor dhe plani veprues dhe parandalues i kësaj Task-Force ka paraparë edhe përfshirjen, koordinimin dhe bashkërendimin e njësiteve të ndryshme në terren, në pika kontrolli, në akse rrugore, si dhe aplikimin e metodave të ndryshme të avancuara nga njësitet policore për arritjen e parandalimit të aksidenteve në tërësi e në veçanti të atyre me pasoja fatale”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Ministria paralajmëron radarë me kamera në fund të majit

Ministria e Infrastrukturës në fund të muajit maj të këtij viti do ta implementojë projektin për menaxhimin inteligjent të rrugëve. Zëvendësministri i kësaj ministrie, Rexhep Kadriu, në një prononcim për “Zërin” është shprehur se Ministria ka marrë disa masa për parandalimin e aksidenteve e që njëra ndër to është edhe vëzhgimi i rrugëve nga radarët me kamera.

“Diku nga fundi i majit jemi duke e implementuar me qeverinë hungareze pilotprojektin e ITS-it, menaxhimin inteligjent të rrugëve të Kosovës, që do të thotë kjo se brenda pak muajve do t’i kemi edhe radarët me kamera nëpër rrugë të Kosovës në 22 pika. Duam realisht ta menaxhojmë këtë komunikacion dhe qytetarët ta ulin shpejtësinë e të mos vozitin në ato kushte ku edhe rruga është e papërshtatshme, në këtë mënyrë nuk do të lejojmë më që qytetarët të kenë tejkalim të shpejtësisë”, është shprehur Kadriu.

Kadriu vlerëson që pavarësisht se rrugët qëndrojnë mirë, ndër arsyet e aksidenteve janë edhe sinjalizuesit e rrugëve. Ai thotë që prej buxhetit të këtij viti janë ndarë afër 4 milionë euro, të cilat do të ndihmojnë për shenjëzimin e rrugëve.

“Sa i përket kualitetit të rrugëve dhe pjesës së asfaltimit jemi mirë, mirëpo nuk jemi mirë në pjesën e sinjalistikës horizontale dhe vertikale, e cila mungon në vendin tonë. Në vitin e kaluar kemi kontraktuar kompanitë tona, të cilat kanë filluar vendosjen e vijave të bardha të mesit dhe anësore dhe po përkushtohemi në këtë pjesë, sepse e dimë që ka një rëndësi shumë të madhe shenjëzimi i rrugëve”, ka thënë ai.

Kadriu thotë se kanë bashkëpunim të mirë me Policinë dhe se, sipas raportimeve që marrin nga ata, ndër shkaktarët kryesorë të aksidenteve janë shpejtësia, moskontrollimi i veturave etj.

Zëvendësministri ka paralajmëruar gjithashtu se në muajin e ardhshëm Ministria do të fillojë një fushatë sensibilizuese për parandalimin e aksidenteve dhe vetëdijesimin e ngasësve.

Dedaj: Gjobat nuk e ulin numrin e aksidenteve

Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, në një përgjigje për “Zërin” ka thënë se rritja e gjobave nga ana e Policisë nuk ka pasur kurrfarë efekti në zvogëlimin e aksidenteve, por, sipas tij, duhet të ketë masa konkrete preventive për rritjen e sigurisë në trafik.

“Duke pasur parasysh statistikat e aksidenteve që kanë ndodhur para hyrjes në fuqi të ligjit mbi ndëshkimin e kundërvajtjes dhe duke i krahasuar me tash besoj që nuk ka ndonjë përmirësim, për shkak se gjobat nuk janë ato të cilat mund t’i rehatojnë drejtuesit e automjeteve ose ta zvogëlojnë numrin e aksidenteve, por janë masat preventive të cilat duhet t’i marrin institucionet përkatëse që merren me sigurinë rrugore”, ka thënë Dedaj.

Ai është shprehur se për parandalimin dhe menaxhimin e rrugëve duhet të angazhohet një agjenci e sigurisë rrugore, e cila, siç thotë ai, “do t’i përcillte dhe do t’i hetonte në hollësi shkaktarët e aksidenteve”.

“Unë preferoj që të ketë një agjenci të sigurisë rrugore, e cila duhet të jetë në nivelin qendror dhe në atë lokal, më pas të hulumtohet secili aksident dhe të përcaktohen elementet të cilat e kanë shkaktuar dhe pastaj në bazë të rekomandimeve të merren edhe masat përmirësuese”, theksoi Dedaj.

Dedaj vlerëson se janë pesë faktorë që ndikojnë në shkaktimin e aksidentit. “Faktori njeri, faktori automjet, faktori incident, faktori rrugë dhe faktori i komunikacionit, janë 5 shkaktarët të cilët ndikojnë drejtpërsëdrejti në aksidentet e komunikacionit rrugor”, potencoi ai.

Megjithatë, ai shpreh shqetësim edhe për këmbësorët, të cilët siç thotë ai nuk kanë kurrfarë sigurie dhe mbrojtje.