Një parti, dy deputetë, zero unitet

Aktuale February 11, 2019 - 08:04
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Projektligji për Dialogun, që u miratua në Kuvendin e Kosovës më 2 shkurt, kaloi me 61 vota për. Derisa erdhi në votim ky ligj është përcjellë me shumë kundërshti nga opozita, por jo nga të gjithë deputetët opozitarë, pasi pati nga ta që pavarësisht qëndrimit kundër të partive votuan pro këtij ligji, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Megjithëse i takojnë të njëjtit subjekt politik, Mimoza Kusari e Ilir Deda nuk votuan njëjtë për Projektligjin për Dialogun.

LEXO EDHE: BE-ja, gjysmë viti bllokadë vizave

Mospajtimet për këtë projektligj brenda kësaj partie që përfaqësohet në Kuvend me vetëm dy deputetë nisën qëkur u themelua ekipi negociator, përbërja e të cilit u kundërshtua nga “Alternativa”, shkruan më tutje Gazeta "Zëri". 

Në ditën kur do të dilte në votim Projektligji për Dialogun në seancën e Kuvendit të Kosovës Ilir Deda votoi pro, pavarësisht që në Kryesinë e partisë së tij shumica dërrmuese ishin kundër, kështu duke dalë në kundërshtim me vullnetin e subjektit të tij politik.

Analistët vlerësojnë se edhe pse deputetët kanë të drejtë të mbajnë qëndrime varësisht bindjeve të tyre, kjo parti s’ka dashur t’i prishë raportet si me pushtetin, ashtu edhe me opozitën, duke ndarë për të dyja anët nga një votë.

Kusari nuk e arsyeton votën pro të Dedës

Deputetja e “Alternativës”, Mimoza Kusari, në një përgjigje për “Zërin” është shprehur se partia e saj ishte kundër Projektligjit për Dialogun. Ajo thotë se me gati unitet të plotë në “Alternativë” anëtarët e Kryesisë kanë dalë kundër dialogut dhe ekipit me përbërjen aktuale.

“Ne kemi pasur një qëndrim të subjektit politik ‘Alternativa’, në Kryesi është votuar dhe gati se unanimisht kemi qenë kundër këtij formati dhe këtij delegacioni me këtë përbërje të cilën e ka.

‘Alternativa’ është deklaruar edhe me komunikatë publike për qëndrimin që ka për përfshirjen e të gjitha partive opozitare, në këtë rast të LDK-së e të Vetëvendosjes, ne konsiderojmë që nuk ka rezultat nga kjo, sepse nuk ka hapësirë”, u shpreh Kusari.

Kusari nuk e ka arsyetuar votën e bashkëpartiakut të saj, por është shprehur se Deda sigurisht e ka parë të arsyeshme dhe ka shpresa në këtë ekip, meqë vota e tij ishte kundër vullnetit të partisë.

“Ai është deklaruar që e ka votuar, ne si subjekt kemi qenë me një vendim që këtë proces nuk e mbështesim në formatin në të cilin është aktualisht, për të tjerat zoti Deda i ka arsyet e tij pse mendon që do të ketë sukses ky delegacion”, pohoi ajo.

Gazeta “Zëri” me gjithë përpjekjet nuk ka arritur të bjerë në kontakt me deputetin Deda.

Alija: Deputetët e “Alternativës” po i ndajnë rolet

Njohësi i çështjeve politike, Rasim Alija, në një përgjigje për “Zërin” ka thënë se votat pro e kundër të deputetëve të “Alternativës” nuk shprehin ndonjë mosunitet partiak, por ndarje rolesh.

Ai thotë se deputetët me këto veprime kanë dashur t’i ruajnë raportet e tyre si me pozitën, ashtu edhe me opozitën.

Ai theksoi se vota e Ilir Dedës nuk ka qenë vendimtare për miratimin e Ligjit për Dialogun, sipas tij këto janë taktizime që po përdoren nga partitë politike në Kuvend si me rastin e PSD-së, për të cilën thotë se është pjesë e opozitës, por vepron si të ishte pjesë e Qeverisë.

Ndërsa analisti politik Ramush Tahiri u shpreh për “Zërin” se pavarësisht subjektit politik të cilin e përfaqësojnë deputetët kanë të drejtën e votës sipas bindjeve të tyre.

“Këto janë çështje partiake që secila parti mund të shprehet në këtë mënyrë, përderisa janë deputetë dhe përderisa e kanë mandatin e deputetit ata mund të japin qëndrimin e tyre të lirë në Kuvend”, ka thënë Tahiri.

Duke folur për Ligjin për Dialogun dhe kundërshtimet që ka pasur nga opozita, Tahiri u shpreh se partitë opozitare, përveç Vetëvendosjes, të gjitha janë pro dialogut dhe nuk e kanë kundërshtuar mundësinë e bashkimit me këtë ekip.