BE-ja, gjysmë viti bllokadë vizave

Aktuale February 11, 2019 - 08:00
Lexo detajet!
Image

Pas rekomandimit të Komisionit Evropian (KE) për heqjen e vizave për Kosovën në korrik të vitit 2018 dhe pas votimit në Parlamentin Evropian dy muaj më vonë,  institucionet e Bashkimit Evropian nuk e kanë ndërmarrë asnjë hap për gjashtë muaj drejt vendimit final për heqjen e regjimit të vizave për kosovarët. Procesi është bllokuar në kuadër të trialogut (Parlament Evropian, Këshill Evropian dhe Komision Evropian) për finalizimin e vendimit për vizat, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

LEXO EDHE: Kamuflimi i Thaçit me korrigjimin 'e lehtë' të kufirit

Për të lëvizur lirshëm në Zonën Schengen kosovarët duhet të presin edhe vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së, i cili këtë çështje ende nuk e ka në rend të ditës.

Vlerësohet se heqja e vizave për qytetarët e Kosovës nuk do të jetë në agjendë të ministrave të BE-së deri pas mbajtjes së zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, të planifikuara për muajin maj të këtij viti.

Liderët vazhdojnë me premtime

E derisa nuk ka lëvizje në këtë proces, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj përsëri kanë filluar me premtime për heqje të vizave.

Sipas dy liderëve, muaji qershor i këtij viti është opsioni real për lëvizjen e lirë të kosovareve në BE.

“Unë dua të shpresoj se pavarësisht rezervave që kanë disa shtete anëtare të BE-së, në qershor do ta kemi vendimin nga BE-ja për liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka thënë presidenti Hashim Thaçi ditë më parë në një deklaratë për medie.

Të njëjtën gjë e ka mbështetur edhe kryeministri Haradinaj, i cili shpreson që heqja e vizave të ndodhë edhe më parë sesa në muajin qershor.

“Sa i përket liberalizimit, presidenti ka të drejtë, qershori është opsion real, por jemi marrë vesh të mos flasim shumë. Unë pres edhe më herët të ndodhë, pasi shumë gjëra kanë ndryshuar pas qëndrimit të Berlinit”, ka thënë Haradinaj.

Pajaziti: BE-ja nuk e ka prioritet heqjen e vizave

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, ka thënë për “Zërin” se mosfutja në agjendë të Këshillit të Ministrave nënkupton që BE-ja nuk e ka prioritet heqjen e vizave për Kosovën.

“Vetë fakti që nuk na kanë futur në agjendë deri tash shihet që nuk jemi prioritet për BE-në, përkundrazi jemi parë si vështirësi për ta dhe për proceset e tyre”, ka thënë Pajaziti.

Sipas tij, liberalizimi do të duhej të jetë i ndarë si proces nga dialogu me Serbinë dhe zhvillimet tjera në vend.

“Pavarësisht se si do të ecë dialogu dhe proceset tjera në vend liberalizimi i vizave ashtu siç është i ndarë nga agjenda e integrimit tonë në BE, ashtu duhet të jetë e ndarë kjo agjendë nga zhvillimet politike në vend. Kjo nuk guxon të ndodhë, sepse do të luhaste shumë besimin e qytetarëve të Kosovës ndaj institucioneve të BE-së dhe të BE-së në përgjithësi”, ka theksuar ai.

Pajaziti vendimin e Këshillit të Ministrave e sheh si vendim politik, i cili me vonesat që po shkakton tregon qartazi që BE-ja është e padrejtë me Kosovën.

“Vendimi që ka mbetur në Këshillin e Ministrave është një vendim i cili është më shumë politik. Kjo është një e padrejtë e madhe që po u bëhet qytetarëve të Kosovës dhe po shpresojmë që sa më parë Këshilli i Ministrave ta fusë në agjendë çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës”, ka potencuar ai.

Pacolli: Liderët gënjejnë qe 10 vjet për vizat

Ndërsa Fitore Pacolli, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje e njëherësh anëtare e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, ka thënë për “Zërin” se as sivjet s’do të ketë liberalizim të vizave, ndonëse liderët që dhjetë vjet e premtojnë një gjë të tillë.

“Për 10 vjet rresht zyrtarët e Qeverisë kanë gënjyer qytetarët për liberalizimin e vizave. Njëjtë kanë filluar edhe këtë vit. Tani 2019-a është viti kur BE-ja ka zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe nuk do të ketë asnjë vendim deri në përfundimin e tyre. Duhet t’i informojmë qytetarët se vendimmarrja për liberalizim të vizave u takon shteteve anëtare të BE-së dhe konstatimi i Komisionit Evropian se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret është vetëm rekomandim të cilin shtetet anëtare mund ta marrin parasysh ose ta injorojnë”, ka thënë ajo.

Deputetja e Vetëvendosjes ka theksuar se shqetësues për vendet anëtare të BE-së mbetet luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit në Kosovë.

Kryeziu: Gjermania, Franca e Holanda mbeten skeptike për vizat

Taulant Kryeziu, nga instituti “Epik”, ka thënë për “Zërin” se qysh nga korriku i vitit të kaluar kur është dhënë rekomandimi pozitiv nga KE-ja asgjë nuk ka lëvizur në raport me heqjen e vizave për Kosovën.

“Proceduralisht nuk ka lëvizur asgjë nga viti i kaluar. Ne kemi formalisht një propozim të Komisionit Evropian se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret që burojnë nga udhërrëfyesi, mirëpo Këshilli, njëri nga dy trupat legjislativë, siç po shihet disa nga vendet kryesore nuk janë pajtuar me këtë qëndrim të Komisionit dhe ne kemi parë hezitimet e vendeve të mëdha të BE-së si Franca, Gjermania e Holanda, të cilat skepticizmin e kanë rreth luftimit të krimit të organizuar dhe të korrupsionit të profileve të larta”, ka thënë ai.

Kryeziu ka theksuar se Komisioni Evropian është ai që ka dhënë rekomandimin pozitiv, mirëpo tash Kosova duhet të tregojë rezultate konkrete në sundimin e ligjit, me qëllim që, siç thotë ai, shtetet skeptike të BE-së të binden për liberalizim të vizave.

“Ajo që i ka takuar Komisionit Evropian ka përfunduar në korrik kur është dhënë rekomandimi pozitiv, tash është punë e Këshillit të BE-së, i cili duhet ta ndërtojë konsensusin. Këtu po flasim për vullnetin e këtyre shteteve të mëdha të BE-së për ta shtyrë para këtë proces, por ky vullnet është i lidhur me rezultatet konkrete që këto shtete duan t’i shohin në Kosovë dhe këtu sundimi i ligjit është kryefjala”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, sipas tij, udhëheqja e Presidencës së BE-së nga Rumania nuk paraqet problem për Kosovën. Kryeziu vlerëson se Gjermania, Franca e Holanda janë vendet të cilat aktualisht janë skeptike për heqje të vizave.

“Vendet mosnjohëse, në këtë rast edhe Rumania, nuk mund ta pengojnë procesin e liberalizimit të vizave, sepse të gjitha 5 vendet mosnjohëse së bashku nuk e përbëjnë 35% të popullsisë së BE-së, pra të asaj që quhet ‘pakicë bllokuese’. Ato pra nuk mund ta pengojnë vendimmarrjen. Ne gjithë problemin e kemi te vendet njohëse dhe te vendet që e kanë mbështetur perspektivën evropiane të Kosovës si: Franca, Gjermania e Holanda”, ka thënë ai.

Fetoshi: Heqja e vizave, peng i zhvillimeve politike

Arben Fetoshi, njohës i çështjeve ndërkombëtare, në një prononcim për “Zërin” ka thënë që bllokimi i procesit të vizave për Kosovën lidhet direkt me zhvillimet politike në Kosovë.

Kësisoj, sipas tij, tarifa 100% ndaj produkteve serbe ka bërë që vendet e BE-së të mos e kenë prioritet heqjen e vizave për vendin tonë.

“Liberalizimi i vizave për Kosovën vazhdon të mbahet peng nga zhvillimet politike. Nuk ka shpjegim tjetër fakti që disa nga shtetet kryesore hezituese tani po deklarohen në mbështetje të liberalizimit, ndërkohë që dialogu vazhdon të jetë i bllokuar si pasojë e tarifës ndaj mallrave serbe. Kjo do të thotë se problemi nuk lidhet ekskluzivisht me presidencën aktuale të Këshillit të BE-së nga Rumania, e cila nuk e ka njohur Kosovën, por as me kriteret të cilat vetë BE-ja ka konfirmuar se janë përmbushur”, ka theksuar ai.