Rreth 200 mjekë specialistë të papunë, vetëm 60 do të punësohen

Aktuale January 25, 2019 - 08:06
Detajet
Image

Rreth 200 mjekë specialistë po vazhdojnë të presin me muaj ose me vite për t’u punësuar në institucionet shëndetësore të vendit, por këtë vit as një e treta e tyre nuk pritet të punësohet. Kështu kanë thënë për “Zërin” sindikalistët e shëndetësisë, sipas të cilëve, pas miratimit të buxhetit për vitin 2019 pritet të punësohen rreth 60 mjekë specialistë, shkruan Gazeta Zëri.

Mediet kanë raportuar se në fund të dhjetorit 2018 dhjetëra specialistë të mjekësisë i kanë dërguar një letër ministrit të Shëndetësisë Uran Ismailit dhe drejtorit të Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) Basri Sejdiut, nga të cilët kanë kërkuar të shpallin konkurs për punësim, pasi, siç thuhet në këtë letër, pas përfundimit të specializimit po qëndrojnë të papunë në shtëpi.

LEXO EDHE: BE: Vizat, të luftohet korrupsioni i nivelit të lartë

Sipas kësaj letre të botuar në medie, specialistët mjekësorë ua kanë bërë të ditur Ismailit dhe Sejdiut se shkollimin e tyre e ka financuar shteti i Kosovës, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë, ndërsa pas përfundimit të shkollimit specialistik po qëndrojnë të papunë.

 “Besojmë se jeni të vetëdijshëm se sa mund dhe sakrificë nevojitet për t’i përfunduar studimet specialistike, ku përpos 6 vjetëve studime bazike në Fakultetin e Mjekësisë nevojiten edhe 4 deri në 6 vjet të tjera për ta përfunduar shkollimin specialistik. Pas gjithë këtij shkollimi superior, përkatësisht 10 deri në 12 vjet, varësisht nga drejtimi i studimeve, mund edhe ta imagjinoni se çfarë ndjenje është qëndrimi në shtëpi dhe pritja për një kohë të gjatë e shpalljes së konkursit publik për punësim?!”, thuhej mes tjerash në këtë letër.

Syla: Mjekët po ikin në Evropë, të punësohen në Kosovë

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, ka thënë për “Zërin” se duhet të punohet intenzivisht që specialistëve t’u hapen vende të punës në Kosovë.

“Ne kemi pasur marrëveshje me ministrin që të punësohen specialistët e papunë. Diku po sillet një numër rreth 200 të papunësuar. Me kalimin e buxhetit do të hapen disa vende, më shumë se 60 në QKUK. Ndërsa sa u përket stomatologëve, ne duhet të punojmë intenzivisht që poliklinikat e stomatologjisë në qytete të kthehen në ombrellën e sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe atëherë do të hapen edhe vende të tjera”, ka thënë ai.

Syla ka thënë se ndonëse institucionet shëndetësore në vend kanë mungesë të personelit mjekësor, ka ende mjekë të cilët vazhdojnë të jenë të papunë, pavarësisht nevojave për punësim të tyre. Sipas tij, nëse personeli mjekësor vazhdon të shkojë jashtë Kosovës për punësim, atëherë vendi mund të mbetet pa kuadër mjekësor.

“Kërkesat nga vendet e Bashkimit Evropian për mjekë specialistë e për infermierë janë të përditshme. Ata mund të punësohen jashtë. Por fatkeqësia është se mund të mbetemi pa kuadër. Është një mospajtim mes kuadrove që kemi ne. Në të njëjtin kohë kemi numër të mangët të punëtorëve shëndetësorë për kokë banori dhe në anën tjetër kemi të papunë”, ka thënë ai.

Mungesa të specialistëve nëpër spitalet rajonale

Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Ahmet Asllani, ka thënë për “Zërin” se kanë mungesë të specialistëve në disa Klinika, duke përfshirë këtu edhe Klinikën Emergjente.

Sipas tij, ata kanë dërguar një kërkesë në SHSKUK për nevojat që ata kanë në lidhje me punësimin e specialistëve të rinj në spital.

“Ne e kemi dërguar listën për kërkesat dhe për nevojat për specialistë. Në disa profile, siç është reparti i Oftalmologjisë, i Otorinolaringologjisë, i Emergjencës, i Radiologjisë dhe po ashtu edhe në profile të tjera, ne kemi nevojë për specialistë. Momentalisht i kemi 95 mjekë, por kemi nevojë edhe për disa, sepse në disa reparte ka mungesa”, ka thënë ai.

Asllani ka thënë se kanë marrë premtime që këtë vit do të plotësohen kërkesat e spitaleve sa i përket punësimit të specialistëve.

Gjatë vitit që lamë pas edhe drejtorë të spitaleve tjera rajonale kanë thënë për gazetën se kanë mungesë të specialistëve.

MSH: Kemi kërkuar punësimin e 300 profesionistëve shëndetësorë

Zyra për informim në Ministrinë e Shëndetësisë ka thënë për “Zërin” se ky institucion është  angazhuar që gjatë këtij viti të mos ketë specialistë të papunë. Sipas kësaj zyre, për vitin 2019 ata kanë paraparë punësimin e 300 profesionistëve shëndetësorë.

“MSH-ja dhe SHSKUK-ja kanë kërkuar që për vitin 2019 në SHSKUK dhe në njësitë e saj të lejohet punësimi i rreth 300 profesionistëve shëndetësorë, prej të cilëve shumica specialistë. Me miratimin e buxhetit do të zhvillohen edhe procedurat për rekrutimin e profesionistëve sipas nevojave që i kanë institucionet. Pas miratimit të buxhetit, do të hapen edhe konkurset. Aktualisht janë dhjetëra specialistë që presin të rekrutohen në sistemin publik shëndetësor dhe të cilët pritet të angazhohen të gjithë gjatë 2019-s”, ka thënë zyrtarët e MSH-së

Zyra për informim në MSH ka bërë të ditur se gjatë vitit 2018 numri i specialistëve të rekrutuar ka mundur të jetë edhe më i madh sikur disa prej tyre të kishin pranuar të punësohen edhe jashtë QKUK-së.

Baftiu: Ministri Ismaili duhet të raportojë për specialistët e papunë

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Besa Baftiu, ka bërë të ditur për “Zërin” se ministrin e Shëndetësisë Uran Ismailin në muajin e ardhshëm do ta thërrasin për raportim në Komision dhe do ta ngrenë çështjen e specialistëve të papunësuar.

Ajo ka thënë se mospunësimi i këtyre specialistëve në Kosovë po i shtyn ata të kërkojnë punësim në shtetet tjera.

“Mospunësimi i tyre i menjëhershëm ndikon që një pjesë e madhe e tyre ta lëshojë Kosovën. Vendet e BE-së pikërisht dhe Gjermania, shumicën e këtyre mjekëve i merr dhe i punëson atje. Duhet të bëhet një zgjidhje dhe specialistët menjëherë pas përfundimit të specializimit duhet të punësohen dhe të kthehen në vendet e tyre të punës nga i kanë marrë specializimet”, ka thënë ajo.

Baftiu ka thënë se Ministria e Shëndetësisë është përgjegjëse që nuk ka bërë politika të mirëfillta, në mënyrë që specialistët të punojnë edhe nëpër spitalet rajonale.

“Përpara kur specialisti e ka përfunduar specializimin ka pasur një kontratë që pesë vjet duhet të kthehej në vendin nga ku e ka marrë specializimin. Një gjë e tillë ka  vite që nuk po ndodh. Përgjegjësia mbetet në Ministrinë e Shëndetësisë, e cila do të duhej të bënte një politikë të mirëfilltë sa u përket këtyre specialistëve”, ka shtuar ajo./ZERI