Mulhaxha-Kollçaku: Qëndrimet për taksën mund të ndërrojnë si ato për Demarkacionin

Aktuale January 21, 2019 - 13:11
Lexoni më shumë lajme nga vendi

Të martën me ftesë të kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli pritet të takohen kryeministri Ramush Haradinaj dhe ambasadori amerikan në Prishtinë Philip Kosnett për të diskutuar rreth kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe. Përfaqësues të PDK-së thonë se presin që në këtë takim të arrihet pajtimi, i cili siguron se raportet me SHBA-në nuk prishen, shkruan sot gazeta "Zëri".

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku ka thënë për “Zërin” se vendimi për taksën është i drejtë, megjithatë ajo thotë se Qeveria duhet të dijë ta argumentojë atë para bashkësisë ndërkombëtare.

“Qeveria kur e ka vendosur taksën është dashur të ketë argumentim bindës për partnerët. Ne si Vetëvendosje qysh moti kemi kërkuar reciprocitet të plotë ekonomik e tregtar, por edhe politik sepse kemi plotësisht të drejta, pasi Serbia vazhdimisht na ka bllokuar për anëtarësim. Por Qeveria duhet të dijë ta argumentojë”, ka theksuar Kollçaku.

Ajo më tej ka thënë se në dialogun e Brukselit pala kosovare ka qenë më tepër se konstruktive, por Kosova nuk ka përfituar asgjë.

Në fund ajo ka thënë se pas takimit me ambasadorin amerikan qëndrimi i Qeverisë për taksën mund të ndryshojë, ashtu siç ka ndryshuar edhe qëndrimi kryeministrit Ramush Haradinaj për çështjen e Marrëveshjes së Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi.

LEXO EDHE: Nesër takimi për heqjen e taksës

“Ne deri më tani nga kryeministri dhe nga kjo Qeveri kemi parë një paqëndrueshmëri në kushte, në vendime. I kemi parë kundërshtimet për Demarkacionin, por në fund kur erdhën në pushtet e miratuan vetë. Sa kanë qenë të qëndrueshëm në atë pikë, edhe këtu mund të jetë ashtu. Kjo Qeveri ka dëshmuar se nuk është e qëndrueshme”, ka përfunduar Kollçaku.

Kundër heqjes së taksës ka dalë edhe shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi. Ai përmes një shkrimi në llogarinë e tij në “Facebook” ka thënë se heqja dorë nga rruga që ka marrë Qeveria e Kosovës do të ishte vendim i gabuar, sepse do të inkurajonte Serbinë të mos ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës.

“Në të njëjtën kohë do të konfirmonte si të drejtë politikën nënshtruese të Thaçit karshi Serbisë. Nëse hiqet taksa pa u hequr arsyet që kanë çuar në vënien e saj, gjithçka do të kthehej sërish në binarët e mëparshëm. Një vendim i tillë do të dërgonte një mesazh të keq, sepse do të ishte dëshmi se Kosova pranon botërisht që nuk është në gjendje të bëjë asgjë për t’u mbrojtur nga sulmet agresive, të cilat Serbia i kryen përmes strukturave të saj në Kosovë dhe nëpërmjet luftës diplomatike kundër shtetit tonë”, ka shkruar Sherifi.

Ai pa oshtu ka thënë se heqja dorë “nga rruga e re e nisur nga kjo Qeveri në një mënyrë do të ndikonte negativisht edhe në të ashtuquajturën fazë të fundit të dialogut”. /ZERI