Nesër takimi për heqjen e taksës

Aktuale January 21, 2019 - 08:05
Lexoni më shumë lajme nga vendi
Image

Të martën me ftesë të kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli pritet të takohen kryeministri Ramush Haradinaj dhe ambasadori amerikan në Prishtinë Philip Kosnett për të diskutuar rreth kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe. Përfaqësues të PDK-së thonë se presin që në këtë takim të arrihet pajtimi, i cili siguron se raportet me SHBA-në nuk prishen, shkruan sot gazeta "Zëri".

Kryeparlamentari Kadri Veseli nesër do të jetë nikoqir i takimit me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë Philip Kosnett për të diskutuar rreth kërkesës së SHBA-së për heqjen e taksës ndaj produkteve nga Serbia dhe nga Bosnjë e Hercegovina.

LEXO EDHE: Thaçi sot i 'çel letrat'

Derisa në zyrën e kryeministrit nuk kanë pranuar të flasin për këtë takim, duke thënë se nikoqiri i takimit duhet të deklarohet, zyrtarë të lartë të partisë së Kadri Veselit (PDK-së) thonë se presin që ky takim të përfundojë me një marrëveshje, e cila garanton se raportet me SHBA-në nuk do të dëmtohen.

Në anën tjetër deputetët opozitarë thonë se taksa ndaj Serbisë duhet të mbetet në fuqi, por theksojnë nevojën që Qeveria ta argumentojë një gjë të tillë para Bashkësisë Ndërkombëtare. Megjithatë sipas opozitarëve është e pritshme që qëndrimi i kryeministrit Ramush Haradinaj për taksën 100% të ndryshojë, ashtu siç thonë se ka ndryshuar qëndrimi i tij për Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

Reçica: Nisma e Veselit do të përmbyllet me një marrëveshje

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, ka thënë se në takimin e ftuar nga kryetari i PDK-së dhe njëherësh i Kuvendit Kadri Veseli me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe me ambasadorin amerikan Filip Kosnett do të rezultojë me një marrëveshje për çështjen e taksës.

“Besoj që nisma e kryetarit Veseli është një nismë, e cila do të përmbyllet me një marrëveshje të përbashkët... Njëkohësisht mendoj Shtetet e Bashkuara si partneri kryesor i Kosovës gjithmonë kanë pasur parasysh interesat e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës e në kuadër të kësaj besoj se do të tejkalohet kjo situatë që faktikisht i ngjan një lloj bllokade”, ka deklaruar Reçica në një prononcim për gazetën “Zëri”.

Ai më tej ka thënë se Bashkimi Evropian para se të bëjë presion te Kosova për çështjen e taksës duhet të tregojë se kur do të hiqen vizat për Kosovën, pasi tashmë janë përmbushur të gjitha kriteret. Ai gjithashtu ka thënë se BE-ja dhe SHBA-ja duhet të bëjnë presion te Serbia që të mos e pengojë Kosovën qoftë në çështje të brendshme, ashtu edhe në politikën e jashtme.

“BE-ja duhet ta mbajë premtimin që me ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi liberalizohen vizat. Po ashtu BE-ja dhe SHBA-ja duhet të jenë të vendosura që Serbia nuk duhet të ndërmarrë asnjë veprim, ku do të cenohej sovraniteti i Kosovës qoftë i brendshëm, qoftë ai në politikën e jashtme”, ka shtuar deputeti i PDK-së.

Mulhaxha-Kollçaku: Qëndrimet për taksën mund të ndërrojnë si ato për Demarkacionin

Në anën tjetër nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku ka thënë për “Zërin” se vendimi për taksën është i drejtë, megjithatë ajo thotë se Qeveria duhet të dijë ta argumentojë atë para bashkësisë ndërkombëtare.

“Qeveria kur e ka vendosur taksën është dashur të ketë argumentim bindës për partnerët. Ne si Vetëvendosje qysh moti kemi kërkuar reciprocitet të plotë ekonomik e tregtar, por edhe politik sepse kemi plotësisht të drejta, pasi Serbia vazhdimisht na ka bllokuar për anëtarësim. Por Qeveria duhet të dijë ta argumentojë”, ka theksuar Kollçaku.

Ajo më tej ka thënë se në dialogun e Brukselit pala kosovare ka qenë më tepër se konstruktive, por Kosova nuk ka përfituar asgjë.

Në fund ajo ka thënë se pas takimit me ambasadorin amerikan qëndrimi i Qeverisë për taksën mund të ndryshojë, ashtu siç ka ndryshuar edhe qëndrimi kryeministrit Ramush Haradinaj për çështjen e Marrëveshjes së Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi.

“Ne deri më tani nga kryeministri dhe nga kjo Qeveri kemi parë një paqëndrueshmëri në kushte, në vendime. I kemi parë kundërshtimet për Demarkacionin, por në fund kur erdhën në pushtet e miratuan vetë. Sa kanë qenë të qëndrueshëm në atë pikë, edhe këtu mund të jetë ashtu. Kjo Qeveri ka dëshmuar se nuk është e qëndrueshme”, ka përfunduar Kollçaku.

Kundër heqjes së taksës ka dalë edhe shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi. Ai përmes një shkrimi në llogarinë e tij në “Facebook” ka thënë se heqja dorë nga rruga që ka marrë Qeveria e Kosovës do të ishte vendim i gabuar, sepse do të inkurajonte Serbinë të mos ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës.

“Në të njëjtën kohë do të konfirmonte si të drejtë politikën nënshtruese të Thaçit karshi Serbisë. Nëse hiqet taksa pa u hequr arsyet që kanë çuar në vënien e saj, gjithçka do të kthehej sërish në binarët e mëparshëm. Një vendim i tillë do të dërgonte një mesazh të keq, sepse do të ishte dëshmi se Kosova pranon botërisht që nuk është në gjendje të bëjë asgjë për t’u mbrojtur nga sulmet agresive, të cilat Serbia i kryen përmes strukturave të saj në Kosovë dhe nëpërmjet luftës diplomatike kundër shtetit tonë”, ka shkruar Sherifi.

Ai pa oshtu ka thënë se heqja dorë “nga rruga e re e nisur nga kjo Qeveri në një mënyrë do të ndikonte negativisht edhe në të ashtuquajturën fazë të fundit të dialogut”

Alija: Edhe të mbetet taksa, edhe të vazhdojë qeveria “Haradinaj” nuk është e mundur

Në anën tjetër analisti politik Rasim Alija ka thënë se e gjithë çështja e taksës 100% ndaj mallrave nga Serbia është shndërruar në pikëpyetje të mëdha, që vënë në diskutim jo vetëm raportet me BE-në e me SHBA-në, por në aspektin e brendshëm edhe me stabilitetin institucional, përkatësisht me një rrëzim të mundshëm të Qeverisë.

“Do të kishte reaksione krejt tjera nëse taksa do të ishte vendosur qysh moti, me një strategji të qartë dhe analizë se cilat do të mundë të ishin rezultatet e taksës dhe cili do të ishte efekti përfundimtar i saj. Duke qenë që vendosja e taksës është bërë pas dështimit në çdo tentativë të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare, duke akuzuar Serbinë për bllokadë të këtyre proceseve, krejt kjo është shndërruar më shumë në betejë politike jashtë e brenda Kosovës, duke minimizuar efektet ekonomike që do të mundë t’i kishte taksa te ekonomia e vendit”, ka vlerësuar Alija

Ai po ashtu ka thënë se kushtet që janë vendosur për heqjen e taksës, siç është njohja nga Serbia, nuk janë reale duke e pasur paralelisht një proces të dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Një pasqyrë reale e gjendjes është që BE-ja e SHBA-ja po bëjnë presionin e tyre për heqjen e taksës, një PDK që nuk është e qartë në qëndrimet për taksën, presidenti i cili është për heqjen e taksës dhe kryeministri, për të cilin kanë deklaruar se mund ta rrëzojnë nga Qeveria, por nuk e heq taksën. Nëse do të hiqet taksa ose jo do të varet nga PDK-ja më shumë sesa nga kryeministri. Siç duket edhe të mbetet taksa, edhe të vazhdojë koalicioni qeverisës është bërë e vështirë”, ka përfunduar ai./zeri